11 kg heroinë nga Kosova drejt Shqipërisë, pranga 39-vjeçarit nga Peja në Morinë

23 Shkurt 2024, 13:00Kronika TEMA

11 kg heroinë nga Kosova drejt Shqipërisë, pranga

11 kilogramë heroinë u sekuestruan nga autoritetet policore në Morinë. Droga ishte fshehur në një makinë, që drejtohej nga 39-vjeçari Arben Kelmendi nga qyteti i Pejës, i cili ra në pranga.

Në një njoftim zyrtar për mediat, policia thotë se ndalimi i tij u bë në bazë të informacioneve që autoritetet kishin për tentativën për të trafikuar lëngë narkotike drejt vendit tonë.

Pakot e heroinës u zbuluan të fshehura në automjet, duke përdorur edhe qenin e policisë.

Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet doganore të PKK Morinë, me shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës dhe të Kosovës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinimi”.

Gjatë operacionit, në hyrje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi kosovar Arben Kelmendi, 39 vjeç, banues në Pejë.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte ky shtetas, u gjetën 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë e ndarë në pako, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 39-vjeçarit.

Vijojnë hetimet e përbashkëta për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje