Arrestohet në Dubai i shumëkërkuari Dritan Gjika, kreu i mafies shqiptare në Ekuador

26 Maj 2025, 20:28Kronika TEMA
Arrestohet në Dubai i shumëkërkuari Dritan Gjika, kreu i mafies

Është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Dritan Gjika, i njohur edhe si kreu i mafies shqiptare në Ekuador. 

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Brendshme e Ekuadorit, e cila me anë të një postimi në X thotë se arrestimi i Gjikës u bë gjatë një operacioni ndërkombëtar të zhvilluar sot (26 maj).

Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.

***

Dritan Gjika i cilesuar si një nga perfaqesuesit më në zë të krimit të organizuar shqiptar që vepron në Ekuador, u kap në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në operacion thuhet se janë përfshirë Njësia Kombëtare e Interpolit në Ekuador, oficerë të policisë së Emirateve Arabe dhe policia spanjolle.

Gjika ka pasur dy njoftime me kartelë të kuqe nga  Interpoli, i akuzuar për trafik droge, pastrim parash dhe përfshirje në krim të organizuar.

Sipas të dhënave të tij të imigracionit, referuar policies ekuadoriane, 47-vjeçari shqiptar mbërriti për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me një vizë të përkohshme vizitori.

Ai u bë një nga njerëzit më të kërkuar të vendit, duke u akuzuar për udhëheqjen e një organizatë kriminale që vepronte në vendin e vogël latino- amerikan dhe Spanjë. 

Akuzat qe rëndojnë mbi të janë ato të  transportimit të sasive të mëdha substancash narkotike  në vendet e Amerikës Qendrore dhe Evropës.

Struktura kriminale që ai drejtonte përfshinte një ekip menaxhimi, personel logjistik dhe bashkëpunëtorë që punonin për të kryer këtë krim, me ndihmën e kompanive legjitime që u përdorën për të pastruar fonde dhe për të fshehur aktivitete tregtare dhe financiare.

Veç akuzave kriminale ndaj tij, ka pasur akuza për interferim në proceset politike të vendit,si zgjedhje lokale, por edhe kontrata rryshfetesh që mbërrinin deri tek njerëzit e afërt të ish-presidentit të Ekuadorit Guljermo Laso.

Lini një Përgjigje