Gjykata e Shkallës së Parë në Spanjë ka vendosur pro ekstradimit të Lulzim Berishës në Shqipëri. Ky vendim nuk është perfundimtar pasi ai ka të drejtën e ankimit.
Pavarësisht se 52-vjeçari, i mbrojtur nga dy avokatë spanjollë, i kërkoi rreth një muaj më parë gjykatës që të mos dorëzohet në Shqipëri duke pretenduar se i rrezikohet jeta, dhe ka frikë nga një hakmarrje për shkak të së shkuarës së tij, Gjykata Kombëtare e Spanjës ka pranuar kërkesën e prokurorisë spanjolle për ekstradim.
Në gjyq, Prokuroria spanjolle ka përmendur të shkuarën e Lulzim Berishës, rrezikshmërinë që ai paraqet, dhe akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.
Prokuroria ka theksuar se atij i rrezikohet jeta vetëm jashtë burgut, dhe duke ua dorëzuar Lulzim Berishën autoriteteve shqiptare, ai nuk do të rrezikohet në asnjë moment.
Megjithatë Lul Berisha, ish kreu i bandës së Durrësit, ka të drejtën për të apeluar, vendimin e Gjykatës Kombëtare në Gjykatën e Lartë të Spanjës.
Lulzim Berisha u arrestua në Spanjë në dhjetor të vitit 2023. Në vitin 2020, ai u shpall në kërkim nga SPAK për 2 vrasje të ndodhura në 2005-ën, atë të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, të cilat u zbardhën me 15 vite vonesë. Më vonë çështja ndaj Vajdin Lames u pushua dhe vijoi vetëm për Klodian Saliun.
Përveç vrasjeve, emri i Lulëzim Berishës lidhet edhe me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Lulzim Berisha u arrestua më 6 prill të vitit 2006 për 10 akuza, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera në vitet ’98-’99.
Më 16 janar të vitit 2012, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me burgim të përjetshëm për gjashtë vrasje, por Gjykata e Lartë, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe vendosi dënimin me 25 vite burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.
Ai qëndroi 10 vjet e tetë muaj në burg deri kur më 5 dhjetor të vitit 2016, u lirua me kusht nga burgu. Por më 27 maj të vitit 2022, ishte Gjykata Kushtetuese ajo që vendosi për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, që duket se fshihej në Spanjë për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë.
Lini një Përgjigje