Lefter Koka para SPAK-ut: Kam zbatuar vetëm ligjin, nuk kam shpërdoruar detyrën

15 Prill 2022, 14:04Kronika TEMA
Lefter Koka para SPAK-ut: Kam zbatuar vetëm ligjin, nuk kam

 

“Nuk kam shpërdoruar detyrën. Kam zbatuar të gjithë procedurën dhe kërkesat ligjore.

Është zbardhur dëshmia e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, i cili prej disa orësh u mor në pyetje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

“Për shpronësimin, është ngritur një Komision i Posaçëm”, është shprehur ish-ministri.

Gjithashtu sipas burimeve, Koka është pyetur në lidhje me procedurat e ndjekura për inceneratorin e Fierit.

Koka ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje apo ndikim në kompanitë që kanë marrë para për kryerje punimesh në incenerator.

“Mospublikimi i ofertës tenderuese në fletoren evropiane është bërë për shkak se në rastin në fjalë nuk parashikohej në ligj”.

Kjo është hera e parë që Koka u mor në pyetje pas arrestimit të tij, pasi nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.

Prej dy javësh, Koka është transferuar në paraburgimin e Durrësit.

Më 4 prill, Gjykata e Lartë e Tiranës hodhi poshtë rekursin për ish-ministrin e Mjedisit, i arrestuar për çështjen e inceneratorëve, i cili shërbeu në detyrën e ministrit në vitet 2013-2017.

Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte lënë në fuqi vendimin “arrest me burg” për Kokën.

Avokati i Kokës kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit të GJKKO-së, duke kërkuar masë më të lehtë sigurie.

Kujtojmë që, përveç Kokës, u arrestua ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe funksionarë të tjerë.

Ndërkohë, në kërkim ndërkombëtar janë shpallur biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Kjo, pas skadimit të afatit 30-ditor për arrestimin e tyre.

Pas dorëzimit të mandatit të deputetit, Bllako u arrestua dhe u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”.

Koka ishte i pari që u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor, për korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorët.

Ishte GJKKO-ja, e cila më 16 dhjetor vendosi masën e sigurisë “arrest me burg’”.

Në dëshminë e tij, gjatë seancës, ish-ministri theksoi se “nuk e kam shkelur ligjin”.

Arrestimi ka ardhur, pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve.

Akuza e LSI-së lidhej me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Gjashtë ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI-ja.

E para lidhet me emërtimin e procedurës.

Sipas kryetares së kësaj partie, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.

Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori.

Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.

Arsyeja e katërt lidhej me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.

Lefter Koka fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në Qarkun e Durrësit.

Mirëpo, më 1 shtator, vetëm dhjetë ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook.

Karriera e tij politike ka nisur që në fillimvitet 2000.

Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007.

Më pas, Koka, pjesë e LSI-së, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën, asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.

Në shtator 2017, Koka do të merrte postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i Qarkut Durrës.

Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.

1 Komente

  1. T
    Tironci

    Ne e kupton Terri se ku e ka shkelur ligjin dhe ku jo.....o nene cfar ministrash kemi pasur dhe kemi !

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje