Policia e Himarës u ka ardhur në ndihmë 5 turistëve që u përballën me disa incidente fatmirësisht pa pasoja për jetën në Gjirin e Fillkurit.
Përmes një njoftimi për mediat blutë e Himarës bëjnë me dije se 4 turistë, suedez dhe anglezë që kishin dalë me kajak nga zona e Potamit në drejtim të Filikurit, humbën kontaktin me grupin dhe mbetën të bllokuar për shkak të erës së fortë dhe dallgëve.
Pas një aksioni, ata u lokalizuan pranë “Gurit të Kuq”.
"Në rastin e parë, katër turistë të huaj, dy shtetas suedezë dhe dy nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët kishin dalë me kajak nga zona e Potamit në drejtim të Filikurit, humbën kontaktin me grupin dhe mbetën të bllokuar për shkak të erës së fortë dhe dallgëve.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë kërkimet përgjatë vijës bregdetare dhe arritën t’i lokalizojnë pranë “Gurit të Kuq”. Turistët u evakuuan në mënyrë të sigurt", njoftoi sot policia.
Ndërkohë policia i erdhi në ndihmë edhe një turiste australiane që ishte bllokuar në Gjirin e Filikurit, pasi kishte mbetur e lënduar.
"Në rastin e dytë, një shtetase australiane kërkoi ndihmë pasi kishte pësuar dëmtime fizike dhe ndodhej e bllokuar në Gjirin e Filikurit. Menjëherë u angazhua mjeti lundrues i Policisë Kufitare, i cili bëri të mundur lokalizimin dhe transportimin e saj drejt Portit të Himarës, ku më pas u dërgua për trajtim mjekësor në spital.
Turistët falënderuan shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar. Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve dhe, në këtë kuadër, fton qytetarët që në rast nevoje të telefonojnë në numrin 112", thuhet më tej në njoftim.
Lini një Përgjigje