Po transportonin ilegalisht 20 emigrantë drejt Shkodrës, arrestohen në flagrancë tre persona në Gjirokastër

15 Gusht 2025, 12:37Kronika TEMA
Po transportonin ilegalisht 20 emigrantë drejt Shkodrës, arrestohen

Policia e Gjirokastrës ka finalizuar me sukses operacionet “Attempt 3” dhe “The Bridge 1” kundër dhënies së ndihmës emigrantëve nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Në kuadër të këtyre operacioneve janë arrestuar në flagrancë tre persona që po transportonin drejt Shkodrës 20 emigrantë, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në Mal të Zi.

Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë shtetasi A. Rr., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap në vendin e quajtur “Kthesa e Andon Poçit”, duke transportuar 10 emigrantë.

Gjithashtu, janë arrestuar shtetasit R. Sh., 45 vjeç, dhe F. S., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë. 

Autoritetet kanë sekuestruar 3 automjetet e përdorura për transportimin, si dhe celularët e të arrestuarve.

Njoftimi i Policisë:

Gjirokastër/Finalizohen gjatë 24 orëve, operacionet "Attempt 3" dhe "The bridge 1", kundër dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit.

Për të dyja operacionet arrestohen 3 shtetas që transportonin drejt Shkodrës, 20 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht, në Mal të Zi.

Sekuestrohen 3 automjetet e përdorura për transportimin, si dhe celularët e të arrestuarve.

Në kuadër të operacionit të koduar "Attempt 3", Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, Forcën e Posaçme "Shqiponja" dhe me Sektorin Operacional arrestuan shtetasin A. Rr., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap në vendin e quajtur "Kthesa e Andon Poçit", duke transportuar 10 emigrantë.

Në kuadër të operacionit "The bridge 1 ", Seksioni për Hetimin e Krimeve në DVKM Gjirokastër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë së Kufirit të Gjelbër Kakavije, arrestuan në flagrancë shtetasit R. Sh., 45 vjeç dhe F. S., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë. Shtetasi R. Sh. u kap në vendin e quajtur "Ura e Glinës", duke transportuar 10 emigrantë, ndërsa 37-vjeçari kontrollonte rrugën, me automjet tjetër, për të sinjalizuar bashkëpunëtorin e tij, për prezencën e Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje