Një 44-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi goditi me mjet prerës një punonjës sigurie në Spitalin Rajonal të Fierit.
Sipas burimeve policore, 44-vjeçari Shkëlqim Murati pasi ka shkuar me urgjencë në spital, ka parkuar makinën keq duke i penguar rrugën ambulancës.
Përballë kësaj situate punonjësi i sigurisë, e ka lëvizur automjetin duke e parkuar në një vend tjetër brenda ambienteve të spitalit.
Kjo gjë duket se ka acaruar 44- vjeçarin, i cili është nervozuar duke u shprehur “Pse më ke lëvizur makinën” dhe më pas e ka qëlluar me mjet prerës në njërin krah.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin Sh. M., 44 vjeç, banues në Fier, pasi për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës një punonjës sigurie në Spitalin Rajonal Fier, i cili është dëmtuar lehtë”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Murati shkëlqen në përdorimin e thikës dhe çdo material prerës, prandaj e ka edhe emrin "Shkëlqim"?! Le të provojë nja dy a tre vjet burg minimalisht dhe pastaj të "shkëlqejë" dhe më shumë. Kjo është në dorën e drejtësisë gjithmonë. Po të dojë drejtësia, e bën Shkëlqimin të shkëlqej më bukur...