Rrjetet kriminale shqiptare, aktorë kryesorë të tregtisë së drogës në BE

22 Nëntor 2022, 11:37Kronika TEMA

Rrjetet kriminale shqiptare, aktorë kryesorë të tregtisë

Shqipëria shënjestrohet sërish si një nga vendet e Ballkani Perëndimor që strehon rrjete kriminale që mbajnë vendin e parë në tregjet rajonale të drogës.

Kësaj here, vendi është pjesë e listës së dalë nga raporti i Qendrës Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga (EMCDDA).

Në raport ravijëzohet se rrjetet kriminale në Ballkanin Perëndimor janë bërë aktorë kryesorë në tregjet rajonale dhe të Bashkimit Evropian të drogës.

Dhe si një nga arsyet e përshpejtimit të këtyre rrjeteve kriminale në tregjet rajonale është përmendur pozicioni strategjik gjeografik.

Referuar raportit, pozicioni strategjik gjeografik i vendeve si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, kombinuar me kërkesën e lartë për drogë, kanë përshpejtuar operacionet e grupeve kriminale.

Sakaq, për kërkesën e lartë për drogë, raporti ka përmendur Bashkimin Evropian dhe Turqinë.

“Disa vende të BE-së janë të vendosura në rrugë trafikimi që kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor përpara se të rihyjnë në BE”, thuhet në raportin e EMCDDA.

“Çka do të thotë se flukset e trafikimit mund të jenë komplekse”, ka vijuar raporti, i cili është pjesë e një studimi më të madh rajonal të kryer midis viteve 2019 dhe 2022.

Sakaq, raporti ka identifikuar praninë operacionale të grupeve të Ballkanit Perëndimor në Belgjikë dhe Holandë, ku portet e Antwerpen dhe Roterdamit janë të rëndësishme për shpërndarjen dhe importimin e drogës në BE.

Po ashtu është gjetur se Gjermania, Italia, Spanja, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar janë vende të rëndësishme për ato grupe në tregjet e kokainës, heroinës dhe kanabisit në Evropë.

Është vënë re edhe një detaj me rëndësi të veçantë.

Rrjetet e sipërpërmendura kanë miratuar teknologjinë më të fundit të disponueshme për të përmirësuar efikasitetin e prodhimit të drogës, trafikimit dhe pastrimit të parave.

E gjitha kjo përfshin pajisje komplekse për kultivim të brendshëm, drone ose përdorimin e kriptomonedhave dhe komunikimeve të koduara.

Edhe Ballkani Perëndimor edhe vendet e BE-së duket se shërbejnë si strehë për grupet kriminale që fshihen nga rivalët ose ndëshkimi.

“Anëtarët e rrjeteve kriminale italiane dhe turke raportohet se i shmangen drejtësisë duke u vendosur në Ballkanin Perëndimor, ndërsa organizatat kriminale ruse mendohet se janë të përfshira në aktivitete të pastrimit të parave përgjatë vijës bregdetare të rajonit”, ka detajuar EMCDDA.

1 Komente

  1. F
    FakeNews from Athina

    boll mashtruat boten o plehra

    Lini një Përgjigje