Gjendet i vdekur 18-vjeçari durrsak në Korçë, dyshohet se u vetëhodh nga kati i 8 nën efektin e alkoolit

25 Dhjetor 2023, 09:03Kronika TEMA
Gjendet i vdekur 18-vjeçari durrsak në Korçë, dyshohet

Një 18-vjeçar nga qyteti i Durrësit dyshohet se i ka dhënë fund jetës mëngjesin e kësaj të hëne.

I riu mendohet se është vetëhedhur nga kati i 9 i pallatit në zonën e terminalit.

Sipas informacioneve paraprake, raportohet se 18-vjeçari kishte ardhur për festa me disa shokë të tjerë dhe kanë marrë me qira një nga hyrjet e pallatit.

Pas festimeve të mbrëmjes së djeshme, nën efektin e alkoolit, 18-vjeçari dyshohet se është hedhur nga dritarja dhe ka ndërruar jetë në vend.

“Më datë 25.12.2023, rreth orës 03:50, në lagjen nr. 17, Korçë, në trotuar, është gjetur i pajetë shtetasi G. M., 18 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet e para dyshohet se ky shtetas nën efektin e pijeve alkoolike, mund të jetë vetëhedhur nga tarraca e një pallati, në të cilin 18-vjeçari së bashku me disa shokë të tjerë kishin marrë me qera ditore, një hyrje apartamenti në katin e tetë (të fundit) të tij.

Trupi i pajetë është transportuar në morgun e spitalit Korçë, për të kryer veprimet mjeko-ligjore.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar të gjithë personat që u gjetën në ambientin të cilin e kishin marrë me qera dhe vijon intervistimi i tyre për sqarimin e plotë të rrethanave dhe mekanizmit të ngjarjes së rëndë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, njofton policia.

Lini një Përgjigje