Tre persona janë arrestuar nga policia e Vlorës ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pasi shpërndanin kanabis me doza në zona të ndryshme të qytetit.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, pas një hetimi 8-mujor, kanë finalizuar operacionin e koduar “Ndalesa”, ku si rezultat, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Erik Qirko, 22 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”; Bledar Kasaj, 48 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”; Romeo Hysenaj, 43 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini”.
Gjithashtu, u shpall në kërkim Donald Memaj, 28 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia 2”.
Policia ka sekuestruar doza me lëndë narkotike kanabis, peshore elektronike dhe aparate telefonike.
Këta shtetas dyshohen se vepronin si grup, duke siguruar lëndën narkotike, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e shpërndanin për shitje në qytetin e Vlorës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje