"Shqipëria, partnere e një rëndësie të veçantë për SHBA-të"

22 Prill 2022, 09:24Kronika TEMA

"Shqipëria, partnere e një rëndësie të

Në fillim të janarit 2022, Komanda e Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara në Evropë (SOCEUR) bëri me dije se do të ngrejë në Shqipëri një shtab të operacioneve speciale.

Kjo u pa si një “vendim strategjik” i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), pasi një seli operative në Shqipëri, do t’u jepte SHBA-ve më shumë fleksibilitet logjistik dhe qasje më të mirë në qendrat rajonale të transportit.

Lëvizja i vendosi operatorët specialë amerikanë pranë shteteve të tilla, si: Greqia, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ku ndikimi politik, ekonomik dhe ushtarak rus është rritur në mënyrë të vazhdueshme.

Për presidentin e “George Marshall Center”, Ermal Jauri, ky vendim vjen pasi SHBA-të e cilësojnë Shqipërinë një partnere të një rëndësie të veçantë.

Ai, për Albanian Post, argumenton se baza operacionale SOCEUR është një ndër “më të mëdhatë” dhe e një rëndësie “të jashtëzakonshme”.

“Vendosja e kësaj komande në Shqipëri ishte e pamenduar më parë”, thotë Jauri, i cili ka shërbyer në Shtabin e Forcave Multinacionale në Irak.

Sipas tij, kjo ka rëndësi edhe për vetë Ballkanin, i cili është një rajon shumë kompleks në çështjet e sigurisë.

“Vetë Ballkani është një rajon si një qendër vullkanike që zien gjatë gjithë kohës dhe vendosja e SOCEUR-it do të thotë shumë”, thekson ai.

Ndonëse, deri më tani SOCEUR nuk ka sqaruar se sa trupa do të vendosen në Shqipëri, kapiteni i Forcave të Armatosura Shqiptare në rezervë, Jauri thekson se anëtarët e shërbimit do të përcaktohen në bazë të rrotacionit.

Për të, selia në Shqipëri ngjan me site të ngjashme në pjesë të tjera të Evropës.

Komanda, me bazë në Shtutgart, Gjermani, ka gjithashtu qendra të vogla operacionale në Estoni dhe Ukrainë, ku trupat koordinojnë përpjekjet stërvitore me forcat lokale.

Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në koordinim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje.

Por, ky vendim u prit me kritika nga mediat kineze dhe ruse, të cilat akuzuan se SHBA-të dhe NATO-ja duan të shtrijnë ndikimin e tyre në rajon.

Për Jaurin, këto komente ishin të pritshme.

Vetë Qendra e tij, e cila bën shpeshherë studime dhe skenarë të influencës ruse, sidomos në rajonin e Ballkanit, ka arritur në përfundimin se në Malin e Zi “një pjesë e mirë e investimeve strategjike për të mos thënë më shumë janë bërë nga kinezët”.

Po ashtu, ai liston se influenca ruse në Serbi dhe Bosnjë dallon dhe nuk ka nevojë për “sytë e një eksperti”.

“Kjo bën që sigurisht çdolloj veprimi i NATO-s në zonat e tyre të interesit përbën kërcënim për to”, shpjegon Jauri për AP-në.

Sipas tij, në këtë mënyrë, kritikat ruse dhe kineze mbeten mjaft të kuptueshme.

Po ashtu, vendimi i SOCEUR-it në Shqipëri – për website-n amerikan të lajmeve, “Business Insider” – mund të jetë një përpjekje me takt për të ruajtur një pjesë të aksesit ose për ta mbajtur Turqinë larg nga influencimi i vendeve të tjera për t’iu larguar NATO-s.

Gatishmëria e Shqipërisë për të pritur selinë pa dyshim luajti një rol, pasi Qeveritë e tjera mund të ishin përballur me kundërshtimin e brendshëm.

Tani për tani, selia e re është më shumë simbolike sesa operacionale, por operatorët specialë janë gjithmonë në kërkim të aksesit dhe do të përfitojnë nga kjo bazë.

Vendimi për ta vendosur atë në Shqipëri sugjeron se Ballkani është sërish një rajon me rëndësi për ushtrinë amerikane.

Lini një Përgjigje