Të veshur si efektivë dhe nën thirrjet “ndal, policia”, detajet si ndodhi atentati në firmën e inerteve në Kurbin

11 Shkurt 2024, 09:12Kronika TEMA
Të veshur si efektivë dhe nën thirrjet “ndal,

Vrasja në Kurbin mëngjesin e kësaj të shtune e ekonomistit të firmës së inerteve, Selman Mihana, 70 vjeç dhe plagosja e pronarit, Ardjan Gjeloshi 51 vjeç, u krye nga persona të veshur si policë.

Ata kanë qenë në një automjet “Range Rover” dhe pasi kanë hyrë në godinën e biznesit, kanë thënë “ndal, policia” dhe më pas kanë hapur zjarr me kallashnikov, raporton Klan News.


Dyshohet se autorët e kanë pritur objektivin në vendin e punës për të kryer ekzekutimin. Në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 20 gëzhoja kallashnikovi.


Policia po heton dhe është e fokusuar në tre pista për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë në Gurrëz të Kurbinit.

Pista e parë ku janë përqendruar hetimet ka të bëjë me konfliktet në lidhje me biznesin me pjesëtarë të një fisi nga fshati Pllanë. Por policia nuk ka përjashtuar edhe pistën e hakmarrjes pasi në vitin 2002 Ardian Gjeloshi dhe vëllai i tij, Dritan Gjeloshi qëlluan mbi një kamionçinë dhe lanë të vrare Marie Prengën, infermiere, nënën e 4 fëmijëve, ndërsa u plagosën oficeri i FNSH, Kastriot Prenga dhe Gjergj e Vitore Prenga.

Ndërsa një tjetër çështje ku po kanalizohen hetimet është edhe plagosja e djalit të Ardian Gjeloshaj.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit dhe ka marrë në pyetje punonjësit që ndodheshin në objekt orën e ngjarjes.

Hetimet vijojnë, ndërsa autorët ende mbeten në kërkim.

 

 

Lini një Përgjigje