
Tre shqiptarë kanë tentuar të arratisen nga burgu i Trevisos mëngjesin e të enjtes, 9 qershor, por për dy prej tyre mbeti thjesht tentativë.
Ata u bllokuan menjëherë nga gardianët pasi kishin kaluar rrethimin e burgut. Ndërsa shoku i tyre ka mundur të shpëtojë nga duart e efektivëve dhe arratia e tij vijon.
Siç shkruajnë mediat italiane, i burgosuri që ka shpëtuar dhe është në kërkim, është Edison Pula, 27 vjeç, i cili është arrestuar pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për tentativë vrasje, posedim të lëndëve plasëse dhe krime të tjera që lidhen me trafikun e drogës.
Pula u arrestua shkurtin e vitit 2021 nga karabinierët e Trevisos së bashku me një bashkatdhetar jashtë një qendre tregtare, i dyshuar si pjesë e bandës që kishte “mbjellë” terror në fund të vitit 2021 përgjatë Terraglio me grabitjet në vilat e personave të njohur. Ai gjithashtu akuzohet se grabiti më 14 nëntor vilën e naftëtarit Giancarlo Miotto dhe gruas së tij Irina.
Edison Pula ishte anëtar i bandës së Niklës, i akuzuar për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjes në Larushk dhe për një sërë veprash të tjera penale.
Sipas mediave italiane, që kanë publikuar dhe pamjet e arratisjes, ka qenë ora 5 e mëngjesit, kur tre shqiptarët të mbyllur në burgun e Trevisos tentuan të arratisen.
Si në një skenë filmi, të rinjtë, kanë përdorur çarçafët për t’u ngjitur tek kangjellat dhe dritaret e larta të dhomave.
“Një skenë tipike nga filmi vizatimor ” Vëllezërit Dalton ” i frymëzuar nga komiku Lucky Luke”, shkruajnë mediat italiane.
Lini një Përgjigje