
Një 42-vjeçar është vënë në prangat e Policisë së Durrësit pasi dyshohet se ka vjedhur në të paktën katër banesa të ndryshme gjatë muajit korrik.
Policia e qytetit bregdetar thotë se gjatë arrestimit, 42-vjeçarit Juljan Ismailaj i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 ora dore, një unazë floriri, 2 celularë dhe një automjet.
Njoftimi i Policisë:
Vidhte në mënyrë të përsëritur, në banesa, sende dhe bizhuteri me vlerë, kapet dhe arrestohet 42-vjeçari.
Sekuestrohen disa nga sendet e vjedhura, 2 celularë dhe një automjet.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas denoncimeve të marra nga qytetarët, për raste të vjedhjeve në banesa, kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin J. I., 42 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 42-vjeçari, gjatë muajit korrik 2023, ka vjedhur sende dhe bizhuteri me vlerë, në 4 banesa të ndryshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 ora dore, një unazë floriri, 2 celularë dhe një automjet.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje