Vrasja e Lulzim Vishës, gjendet edhe një armë me silenciator në banesat e personave të skeduar të krimit

24 Janar 2025, 20:01Kronika TEMA
Vrasja e Lulzim Vishës, gjendet edhe një armë me silenciator

Gjatë kontrolleve të policisë në banesat e personave të skeduar të krimit rreth zonës ky ndodhi vrasja e Lulzim Vishës, A2 mëson se efektivët gjetën një armë zjarri me silenciator. Më herët Policia gjeti edhe armën e dyshuar të krimit brenda automjetit të djegur që dyshohet se u përket autorëve të vrasjes së 48-vjeçarit.

48-vjeçari Lulzim Visha u gjet në Kamëz mëngjesin e sotëm i pajetë brenda makinës së punës së tij, ndërsa në mjet u sekuestruan mbi 12 gëzhoja. Policia ka dyshime se ai është vrarë me pistoletë me silenciator, pasi nga dëshmitë e banorëve të zonës, nuk janë dëgjuar të shtëna arme.

Trupi i tij u zbulua nga një banor i zonës, mëngjesin e kësaj të premteje. Si zakonisht ai kishte dalë që në mëngjes për në punë dhe në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner, u qëllua për vdekje nga persona të paidentifikuar. Lulzim Visha punonte si postier në një postë private.

Policia u njoftua për ngjarjen rreth orës 7:40 minuta të mëngjesit, kur një banor i zonës e pa atë të pajetë në mjet. Por grupi hetimor nuk e ka të qartë kohën se kur ka ndodhur krimi.

Në pyetje policia ka marrë banorët e zonës. Ata kanë pohuar se nuk kanë dëgjuar të shtëna apo të kenë parë persona të dyshimtë.

Për zbardhjen e krimit, agjentët kanë ngritur dy pista hetimore. E para ka të bëjë me hasmërinë. Vëllai i Lulzim Vishës, Besnik Visha më 10 prill të 1997 ka vrarë Refik Domin te Universiteti Bujqësor. Krim për të cilin ai e ka shlyer dënimin.

Ndërsa si pistë të dytë, policia po heton një konflikt që dy vëllezërit kanë pasur muajt e fundi me disa persona të tjerë në zonën e Zall Mnerit.

48-vjeçari dyshohet të jetë nxjerrë në pritë dhe më pas të jetë qëlluar për vdekje.

Menjëherë pas krimit, policia ka dyshime se autori të jetë larguar me një automjet të zi. Disa orë pas vrasjes, në Zall Herr policia gjeti të djegur një automjet, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Zona ku ndodhi ngjarja nuk ka kamera sigurie, ndërsa për të gjetur prova që mund të identifikojmë autorin, efektivët kryen kontrolle në disa banesa përreth, kryesisht persona me precedentë dhe rekorde kriminale.

1 Komente

  1. S
    Shqiperia me koke poshte !

    Si duket te gjitha partite politike , do kene ndonej mareveshje qe le te vriten si te duahn shqiptaret ! njeri me tjetrin.... kjo tregon qe ne cdo kohe ka vetem vrasje vrasje dhe vetem vrasje ... dhe kure behen kontrolle , gjetem Arme , gjetem Arme , gjetem Arme etj.... por asnjehere te gjithe partite politike nuk Analizojne se nga kane ardhur keto Arme ! normal nga hapja e depove ne 97... Dhe ha u denua njeri apo mbajti njeri pergjegjesi per hapjen e depove ! asnje njeri ! Perkundrazi Ai qe urdheroi hapjne e depoeve , demshperblehet me dhenjen e pashaportes, marjen e lejes ne SPAK dhe do te fluturoje ne Gjermani ! Arseht i din SPAK qe i ka dhen lejen dhe pashaporten ! nderkohe qe ne shqiperi vrasjet e panumerta vazhdojne dhe me mijra te vrare nga Armet e Atij qe duhej te ishte ne Burg sote.... Askujt nuk i Intereson populli i thjeshte , vetem per Votime dhe kaqe.... dhe per skllaverine qe ju duhen....

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje