Vrasja e shqiptares në Itali, i arrestuari nuk njeh avokaten: Është i hutuar dhe në shok prej asaj që ka ndodhur

23 Prill 2023, 10:40Kronika TEMA

Vrasja e shqiptares në Itali, i arrestuari nuk njeh avokaten:

Mediat italiane shkruajnë se gjykata i ka komunikuar 31-vjeçarit Osman Bilyhu urdhrin e arrestit për vrasjen e 38-vjeçares Anila Ruçi. Kjo ngjarje ndodhi në Scaldasole të mërkurën pasdite.

E reja shqiptare u gjet e vrarë me thikë në shtëpinë që jetonin së bashku. Ajo ia kishte prezantuar fqinjëve dhe miqve në zonë si vëllain e vet Osman Bilyhun, por hetimet zbuluan se ata në fakt bashkëjetonin.

31-vjeçari ndodhet në spital sepse edhe ai është i plagosur. Megjithatë, në momentin e leximit të masës së sigurisë, i riu shqiptar nuk i është përgjigjur as pyetjeve të hetuesit dhe as avokates.

“Duket shumë i hutuar. Nuk e di nëse është për shkak të mjekimeve që po i jepen për plagët që ka pësuar apo është ende në shok prej asaj që ka ndodhur, pavarësisht se çfarë mund të ketë ndodhur”, tha Elierta Myftari, avokatja e vendosur për të nga e motra e Bilyhut.

Sipas Il Giorno, seanca dëgjimore që ka ndodhur në spital ishte jashtë normales. I arrestuari nuk e njihte Myftarin si avokaten e vet. Ai ka kërkuar që të mbrohet nga një avokat i vendosur nga shtetit. Madje ai nuk ka njohur as autoritetin e magjistratit  duke i kërkuar që të tregojë një mjet identifikimi.

“Do të kërkojmë autorizimin që të takohet në spital me motrën e vet, e cila rikonfirmon besimin tek unë dhe kur të jetë në gjendje të flasë me vëllanë e saj do të mund të zgjidhë këtë situatë”, tha avokatja.

Anila Ruçi u gjet e pajetë e goditur me thikë në qafë në derën e pasme të banesës së saj. Ajo që dha alarmin ishte estetistja e saj pasi e reja kishte planifikuar një takim me të, por nuk ishte paraqitur. Në vendin e ngjarjes policia gjeti të plagosur edhe Osman Bilyhun, bashkëjetuesin që e prezantonte si vëllain e vet tek njerëzit.

Lini një Përgjigje