Agim Baçi: Në vend të debatimit për moral e kulturë debatojmë për blerje e shitje

19 Shtator 2025, 22:34Kulturë TEMA

Nga Agim Baçi

Filozofi francez, Zhylien Benda, shkroi gati njëqind vite më parë atë që njihet si “Tradhtia e intelektualëve”.

Ai parashikoi se e keqja e shoqërive të sotme do të kulmonte me shkatërrimin moral të atyre që paguhen për të edukuar breza. Dhe sot, në vend të debatimit për nevojat morale e kulturore të shoqërisë, debatohet për treg, për blerje dhe shitje, duke kaluar në plan të parë argëtimin. Kjo “tradhti intelektuale” ka sjellë më pas edhe djerrinën e madhe të autoritetit të tyre.

Shoqëria shqiptare të paktën ka kohë që nuk i referohet ndonjë kënaqësie të debatit intelektual e as nuk i drejtohet më atyre për zgjidhje. Aq më pak duket e i merr në konsideratë politika, pasi autoriteti i tyre për të përballur jetën me dinjitet ka rënë, duke i dhënë fuqinë botës së spektaklit.

Në këtë betejë kanë kaluar në thuajse në mosqenie edhe autoritetet fetare, të cilët nuk gjejnë hapësirën e duhur për t’u përballur publikisht me shqetësimet e sotme të shoqërisë. Ata kanë mbetur peng i së shkuarës së fitoreve historike dhe thirrjet e tyre janë si në fundin e një shpelle, ku i dëgjohet jehona, por jo fuqia e vërtetë e asaj që dëshirojnë të thonë.

Në këtë kryqëzim, ku as elitat intelektuale e as ato fetare nuk mundet dot të frenojnë këtë dëshirë për argëtim – që nuk është veçse një dëshirë për t’iu larguar realitetit dhe vetes- manipulimi i mendjes rrezikon të bëhet gjithnjë e më i lehtë nga ata që duan të dominojnë jetët tona.

Një zhdukje e tillë kufiri na sjell në skenë atë njeri të parashikuar nga shkrimtari i madh Dostojevski, “njeriun që nuk do të ketë turp nga asgjë”.

Dhe njeriu që nuk ka turp nga asgjë, është njeriu që me shumë kënaqësi i ikën së vërtetës për të jetuar në argëtim, në harresë. Për një njeri të tillë, debati moral nuk ekziston dhe pyetjet që kanë dominuar që në fillesat e saj botën, si “Përse ia vlen të rrojmë?”, “Përse të vdesim?”, “Çfarë është e shenjtë?”, “Çfarë është e drejtë?”, rrezikojnë të përfundojnë në një muze të së shkuarës.

Për të shpëtuar nga kjo djerrinë, është e rëndësishme të gjejmë shtegun e pyetjeve morale.

Kjo nuk do të thotë të shmangim komunikimin, por në syrin e kamerës të mos lejojmë të fitojë imitimi, por të bëjmë çdo përpjekje që të triumfojë bindja se njeriu është i lirë.Të paktën, elitat fetare kanë detyrë që të gjejnë çdo hapësirë për t’i kujtuar njeriut se nga çdo krijesë tjetër e dallon liria për të vendosur, liria për të gjykuar. Dhe këto elita duhet t’u drejtohen sidomos atyre që paguhen për të edukuar brezat.

agim baçi: dashurisë

 

2 Komente

  1. s
    shoubiz

    Edhe morali e kultura jeton nga blerja-shitja.

    Përgjigjjuni
    1. N
      Nje tjeter ky Baci nga ata te sekt te Saliut

      Po more bishti i Saliut, nje vemje e keqe je o Agim Baci.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje