“Agonia” e Odise Kotes, mbyllet "Tetori i librit" me takim në Gjirokastër

2 Nëntor 2024, 12:02Kulturë TEMA
“Agonia” e Odise Kotes, mbyllet "Tetori i librit" me takim

Romani “Agonia” sjell detaje nga një periudhë e dëshpëruar e shpqërisë shqiptare pas viteve ’90 e sidomos përgjatë vitit ’97.

Në qendër të romanit është dashuria e dy të rinjve, ku partnerja është e huaj, marrëdhënie që vjen në një kohë të trazuar dhe reflekton agoninë e atyre viteve, dëshpërimin, pasigurinë dhe krizën identitare të personazheve.

“Le ta quajmë një roman të kujtesës kombëtare.Ky roman përmbledh ngjarjet e vitit 1997, ngjarje të cilat janë një qortim i madh i shkrimtarit për klasën politike të asaj kohe që për pak e la Shqipërinë të binte në greminë. Është një qortim i madh edhe për veset, problemet, frakturat për atë zhgun që ishte në triumf gjatë vitit 1997. Si shkrimtar unë e vlerësoj si një qortim të madh për klasën politike por edhe për popullin tim, ashtu si Homeri kritikoi grekët për tejkalimin e së drejtës, ashtu si shkrimtarë të tjerë deri tek Kundera dhe Faik Konica duhet të jemi gjithnjë vigjilentë dhe të mos pranojmë asnjëherë që të triumfojë e keqja, zhguni dhe rruga sepse jo vetëm vëmë në pikëpyetje ekzistencën tonë si njerëz por edhe të familjes, komunitetit dhe vetë Shqipërisë”, tha shkrimtari.

Mimoza Zeko pedagoge e letërsisë në universitetin “Eqrem Çabej” tha se romani ofron një strukturë të thjeshtë pavarësisht ndërlikimeve emocionale. Fjalitë e shkurtra pasqyrojnë forcën e një stili të pahasur shpesh dhe përkojnë me gjendjen komplekse të personazheve dhe agonisë që qëndron mbi ta.

“Natyrisht që libri i drejtohet gjithë lexuesve, do thoja edhe një lexues pak i zgjedhur sepse stili i autorit nuk është thjesht tradicional, me një ngjarje apo subjekt të thjeshtë por është një stil që ndërthur brenda disa elementë. Ndikimi nga publicistika apo rrugëtimi i tij si gazetar reflektohet tek fragmentarizmi që ai përdor në roman ose tek risjellja e subjekteve dhe ngjarjeve me një këndvështrim të ri. Është një vepër që duhet lexuar dhe studiuar”, u shpreh Zeko.

Shkrimtari Odise Kote ka lindur dhe jetuar në Gjirokastër. Një pjesë e subjekteve të librave të tij e marrin inspirimin prej personazheve realë dhe ngjarjeve të jetuara e të përjetuara edhe gjatë ushtrimit të profesionit të tij si gazetar. A.K./TemA

Lini një Përgjigje