Në Akademinë e Shkencave ditën e martë, me 5 Mars 2024 do të mbahen dy evente. I pari, që do të zhvillohet në orën 11:00 do të jetë një bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Intelektuale në MEKI. Kjo e fundit do të zhvillojë një takim informativ “Mbi rëndësinë e mbrojtjes dhe regjistrimit të të drejtave të pronësisë intelektuale” në Sallën “Aleks Buda”. Të pranishëm do të jenë drejtues dhe përfaqësues nga Drejtoria e së Drejtës së Autorit.
Aktiviteti i dytë do të jetë sërish te Akademia e Shkencave në orën 12:00. Instituti ALB-Shkenca dhe Akademia e Shkencave do të firmosin një marrëveshje bashkëpunimi në praninë e kryetarit të Akademisë së Shkencave, akad.Skënder Gjinushi, sekretarit shkencor të Akademisë, akad. Shaban Sinanit dhe kryetarit të Institutin Alb-Shkenca, prof.dr.Fatos Ylli.
Instituti Alb-Shkenca është një organizatë shkencore jo fitimprurëse dhe joqeveritare që bën bashkë studiues të të gjitha disiplinave shkencore nga diaspora dhe mbarë trojet shqiptare.
Marrëveshja mes Alb-Shkenca dhe Akademisë së Shkencave do bëhet në fushën e kërkim zhvillimit dhe ka synim forcimin e lidhjeve me diasporën shkencore shqiptare, me qëllim përfshirjen e saj në programet e zhvillimit kombëtar si dhe dhënia e kontributit në projektet madhore të Akademisë si Fjalori i madh i shqipes, Enciklopedia Shqiptare apo tjetër. A.K./TemA
Lini një Përgjigje