Akademik Aleks Buda u nda nga jeta më 7 korrik 1993, në Tiranë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur që e vendos ndër figurat më të ndritura të historiografisë shqiptare dhe të jetës akademike të vendit, shkruan akademia në fb.
Si kryetar i parë i Akademisë së Shkencave, që në themelimin e saj në vitin 1972, dhe si studiues me formim e kulturë të gjithanshme, historike, gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar e më gjerë, akad. Buda dha një kontribut të çmuar në organizimin e punës kërkimoreshkencore.
Ai lindi në vitin 1911, në një familje fisnike dhe patriote të Elbasanit. I ati, Dhimitër Buda, farmacist i njohur, kontribuoi si delegat në Kongresin e Manastirit dhe si një nga financuesit e Shkollës Normale të Elbasanit, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e arsimit shqiptar.
Shkollimin fillor e kreu në Leçe të Italisë, të mesmen në Zalcburg të Austrisë, ndërsa studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Vjenës. Në vitet 1939–1943 punoi si mësues në Liceun e Tiranës dhe të Korçës. Mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit.
Në vitet 1945–1946 drejtoi Bibliotekën Kombëtare, ku dha një ndihmesë të çmuar në organizimin e fondit të saj. Më pas ishte një ndër organizatorët e Institutit të Shkencave, ku themeloi sektorin e historisë dhe sociologjisë, duke kontribuar në ngritjen e sektorëve të arkeologjisë, historisë së lashtë, mesjetës, kohës së re, artit mesjetar dhe etnografisë. Me formimin e Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë më 1955, Buda hodhi bazat e medievistikës shqiptare, duke e vendosur këtë fushë në themelet e saj shkencore.
Me ngritjen e Universitetit të Tiranës, ai u bë një ndër themeluesit e katedrës së historisë së Shqipërisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Punoi me përkushtim për përgatitjen e historianëve të rinj, sidomos në fushën e historisë mesjetare, duke formuar breza të tërë studiuesish.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë e kujton me nderin akademikun Buda, duke e vlerësuar si një simbol të përkushtimit dhe vizionit europian për zhvillimin e shkencës dhe kulturës kombëtare.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje