Është manifestim i mediumit fotografik në hapësirën virtuale.
“Pamje e çastit” e kanë përkthyer në shqip.
Nëse rrjedhën e informacionit online e përfytyrojmë si një rrymë të vijueshme, screenshot-i është pauza që mundëson daljen sado të përkohshme prej saj.
Nëse mjedisi digjital i rrjetit është lumi i Heraklitit, screenshot-i është fantazia e kujt zhytet atje dhe pastaj ëndërron, symbyllur, kthimin në breg.
Ri-alfabetizimi digjital ngriti në këmbë zombie-n e oralitetit; dhe brenda oralitetit, sekuestrimin e vëmendjes tek e tashmja. Ashtu edhe mundësoi resetimin e së shkuarës.
Si në rastin e faqeve online që nuk gjenden më. Statusi HTTP 404. Mediat online që i zhdukin rregullisht arkivat e tyre, për higjenizim të mendimit.
Sot gjen plot autorë që preferojnë tranziencën e mediave sociale, ndaj botimit tradicional; këtyre vetë ideja se mund të lënë gjurmë të identifikueshme online u shkakton ankth.
Ideja se çfarë kanë shkruar mund të përdoret kundër tyre.
Të tjerë i fshijnë gjurmët që kanë lënë, si kriminelët shenjat e gishtave me leckë nga skena e krimit.
Screenshot-i është antidoti ndaj tanishmërisë digjitale. Suporti material i argumentit “ke thënë”.
Shumë prej nesh, që ndërtojmë personalitete virtuale, tmerrohemi nga inkonseguenca. Nga rreziku që një ditë të na thonë: “po ti ke thënë...”. Nga teatri ku të vënë veten e djeshme përballë vetes së sotme. Akti i tradhtisë (së lartë) ndaj vetes së shkuar.
Ti dje ishe me Saliun, sot me Ramën!
(Ti dje ishe me gjermonin, çne sot me Brazilin?)
Shumë prej nesh e shohin invariancën si virtyt. Unë? Unë këtë kam thënë gjithmonë! Kështu kam menduar gjithmonë! Madje që pa dalë nga barku i nënës!
Përveçse kur nuk ke thënë kështu.
Se ka edhe nga ata që identifikohen me variancën; duke e përsosur rolin e tyre si shapeshifters përballë publikut digjital.
Dhe Feridi faqe ndërron, Dje shante sot lëvdon – shkruante dikur Noli, te “Kënga e Salep Sulltanit”, kur Interneti ende nuk ish “çpikur”.
Sot Feridi i ka mundësitë të shuajë çdo gjurmë të Feridit të djeshëm, të heqë artikujt që ka botuar dhe komentet që ka lënë poshtë e lart, të ndërrojë nick-un, madje edhe foton e profilit. Dhe ashtu të resetohet, për ta filluar nga e para.
Por Feridi nuk ka asnjë fuqi ndaj screenshot-it që ia ruan armiku. Ose edhe më shpesh, miku.
Muri lu burri s’lu, thotë Feridi. Dhe miku i thotë: kadalë pak aty. Se ja ç’ke thënë para tre vjetësh.
Cili është Feridi “i vërtetë”?
Screenshot-i që ka ruajtur ai tjetri është versioni bashkëkohor i shkrepjes së aparatit, i kamerës në rrugë, i arkivit digjital. Ti mund të kesh harruar, por unë mbaj mend.
Vërtet nuk të kujtohet, Ferid, se ç’ke shkruar dikur, për shefin e tanishëm të cilit i jargavitesh në krah?
Se nëse nuk të kujtohet, unë jam gati të ta freskoj kujtesën.
(Siç i ke ruajtur ti të miat.)
Është prova që tregon se ti nuk je ai që hiqesh. Ose e kundërta, se nuk ke qenë ai që hiqeshe.
Vegla për të futur në krizë gramatikën e kohëve të foljes.
Pasqyra që e thith gjestin tënd dhe e mban në gji, me orë e me ditë e me muaj pasi ti je larguar dhe ke shkuar ta admirosh veten në pasqyra të tjera.
Fotografia ku ke dalë me flokë të shkurtra.
Screenshot-i konfirmon që ke tradhtuar. Edhe thjesht ngaqë nuk mund të kthehesh dot mbrapsht dhe të bëhesh sërish ai që ke qenë atëherë.
Kur ta vënë përpara, edhe ti vetë nuk e beson. Ia ke harruar arsyet. Ti vetë e urren çfarë ke qenë atëherë. Siç urren maska jote e tanishme maskën që tani e ke hedhur tutje.
Është zëri yt, por i dëgjuar nga jashtë. Sa i shtirë aq edhe i pështirë. Zëri i një impostori, që të fyen duke të personifikuar shkeleshko. Zëri i një imituesi amator.
Prova – sado të mos jesh gati që ta besosh – se rritja jote ka qenë një distancim gradual nga qelbësira që ishe dikur.
Ose një lloj bërjeje pis ndryshe.
Screenshot-i është si fotot që detektivët privatë u bënin dikur zonjave, kur tradhtonin burrin në hotele të fshehta. Me shoferin, me trajnerin personal, me mësuesin e tenisit.
Foto me miza, nxjerrë me teleobjektiv, pa dalë nga makina e vjetër. Foto me rezolucionin e tabloidit që shpërndahet falas, te stacioni i autobusit.
Foto me jehona të shtënash në errësirë, trupa të shtrirë në morg, skandale që rrëzojnë versionin 1.0 të realitetit.
Foto si zhurmat që dalin nga kinemaja verore.
Screenshot-i është arma e kujt nuk ka më nevojë për këta filma, për të krijuar një vrasje.
E vërteta, që detyrohet të marrë formën banale të shantazhit për të mbijetuar.
Prova e vetme. Bari që pezullon efektet e pendesës. Ti e hoqe statusin, por unë ndërkohë...
Një kombinim i thjeshtë tastesh mjafton për ta kyçur ngjarjen në kullën e memories. Madje edhe kur ti e ke fshirë komentin 10 sekonda pasi e le – sa kohë që shfletuesi im nuk është freskuar.
Është një përgjigje e mundshme, ndaj Heraklitit – mund të lahesh dy herë në të njëjtin lumë, me kusht që ta ndalësh kohën krejt.
Dhe ta presësh ujin me thikë.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje