Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha priti sot në Tiranë një delegacion të Komisionit për Çështjet Evropiane të Asamblesë Kombëtare të Francës, të kryesuar nga Kryetari, z. Pieyre-Alexandre Anglade.
Në takim u diskutuan dinamikat aktuale në kuadër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësia e ruajtjes së ritmit dhe besueshmërisë së procesit të anëtarësimit.
Ministri Hoxha rikonfirmoi angazhimin dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur reformat dhe për të avancuar pa asnjë mëdyshje në rrugën e saj drejt së ardhmes evropiane.
"Me një plan të qartë, rezultate konkrete dhe ambicien për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade, Shqipëria është e vendosur të shfrytëzojë këtë dritare historike mundësie, duke kontribuar njëkohësisht në një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar", tha Hoxha.
Në këtë proces, sipas tij, mbështetja dhe angazhimi i partnerëve tanë, veçanërisht i Francës në të gjitha nivelet, përfshirë edhe dimensionin parlamentar, janë të një rëndësie të veçantë për ecurinë e suksesshme të zgjerimit dhe besueshmërinë e perspektivës evropiane për Shqipërinë dhe për gjithë BallkaninPerëndimor.
Në fokus të takimit ishte edhe roli kyç që Franca luan në ndërtimin e një Evrope më të fortë, më të bashkuar dhe më strategjike.
Lini një Përgjigje