“Ministri” titullohet romani i shkrimtarit Ahmet Prençi, i cili u promovua dje në Akademinë e Shkencave.
Në promovimin e librit të organizuar në përvjetorin e lindjes së autorit Prençi ishin të pranishëm shkrimtari Besnik Mustafaj, Rudolf Marku, Ylljet Aliçka, Behar Gjoka, Arben Cejku, Bislim Ahmetaj, Marçel Hila, por nuk mungonin as dashamirës të librit dhe krijmtarisë së Prençit, si dhe drejtues dhe ish-drejtues institucionesh dhe gazetarë.
Libri edhe pse nuk ka shumë ditë që ka dal në treg ka zgjuar kureshtjen e lexuesve dhe pse jo ka shënuar rekord shitjesh.
Në këtë takim u sollën analiza mbi librin dhe duke dhënë vlerësimet e tyre. Romani “Ministri” është një pasqyrë e një realiteti të zhveshur nga retorika dhe të zhytur në moralin gri të kompromisit dhe të heshtjes. Ai vjen si një rrugëtim politik, emocional dhe psikologjik drejt pikëpyetjeve rrëqethëse.
Gjatë takimit, fjalën e morën shkrimtari Marçel Hila, i cili duke vlerësuar maksimalisht librin u ndal dhe përmendi disa emra të ish ministrave të Brendshëm që sipas tij mund të ishin personazhi i librit.
Historiani Hila u ndal të mesazhi që jep romani duke theksuar se ai është mjaft i qartë dhe domethënës për shoqërinë tonë dhe duhet të shërbejë si një reflektim të asaj që ka ndodhur.
Studiuesi Behar Gjoka, si redaktor i romanit të parë të Ahmet Prençit (“Anja”), tha se “romanin “Ministri” e kishte lexuar dy herë, të parën ende i pabotuar dhe të dytën dy orë para promovimit dhe theksoi se ndihet mirë që autori ka shkuar drejt rritjes së konsolidueshme të krijimtarisë së tij”.
Ndër të tjera studiuesi Gjoka theksoi se si njohës dhe lexues i romanit, kjo vepër mund të lexohet në të gjitha format dhe të gjitha leximet nuk bëjnë gjë tjetër vetëm e përplotësojnë.
Shkrimtari Arben Çejku në fjalën e tij tha se “romani “Ministri” është një nga veprat më të mirat të Ahmet Prençit, e cila e konsolidon profilin e tij si shkrimtar të angazhuar në kërkim të drejtësisë morale, ligjore, shoqërore dhe institucionale, si një zë të guximshëm intelektual që na fton t’i themi “jo” të keqes, kudo që ajo shfaqet”.
Në vijim të fjalës së tij Çejku theksoi se “në të gjithë tekstin duket qasja e tij kritike ndaj personave dhe fenomeneve të tilla, shprehur nëpërmjet figurës së Arsenit, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Kjo është një arsye më tepër pse unë besoj në sinqeritetin dhe vërtetësinë e kësaj vepre, e cila është jo vetëm pasqyrë e realiteteve që ka njohur vetë zoti Prençi, por edhe një plotësim me ngjarje aktuale që ndodhin përreth tij sot”.
“Unë i besoj autorit dhe mesazhit të romanit, i cili na fton t’i bashkohemi në thirrjen e tij intelektuale për një katarsis, për një pastrim të politikës nga krimi e korrupsioni, për një veting të figurave publike dhe administrative si dhe për një reflektim të të gjithë shoqërisë sonë, e cila është shumë e politizuar dhe fare pak e angazhuar”, tha Çejku.
Shkrimtari Rudolf Marku duke analizuar librin dha vlerësimet e tij mbi romani “Ministri” si dhe shprehu konsideratën e tij për rritjen e Ahmet Prençit si shkrimtar.
Ai bëri apel që krijimtaria e Prençit të lexohet dhe madje bëri dhe krahasime duke theksuar faktin që si letërsi bashkëkohore veprat e tij janë mjaft të lexueshme pasi ke çfarë gjen duke nisur nga personazhet, subjekti i veprës, ngjarje konkretet ndryshe nga shumë libra të tjerë që ndonëse gjen letërsi dhe i lexon me ëndje, në fund nuk mban mend asgjë. A.K./TemA
Lini një Përgjigje