Reklamat dhe marketingu na tregojnë shumë për një shoqëri. Shpesh janë mjete ndoshta më efikase edhe sesa historia, letërsia apo muzeumet dhe galerite e artit për të njohur karakterin dhe mendësinë e një shoqërie. Ato na tregojnë se çfarë shoqëria vlerëson më tepër, cilat janë aspiratat e saj, dhe shpesh edhe se çfarë i shkakton ankth dhe pasiguri. Për më tepër, ne sot jemi gjithnjë e më shumë të formësuar nga reklama—pjesërisht edhe sepse na pëlqen të na thonë çfarë duhet të bëjmë, ku ta gjejmë lumturin, kënaqësinë, apo çfarë duhet të mendojmë. Është më e lehtë sesa t’i gjejmë vetë përgjigjet.
Në episodin e 13-të të podcast-it Apostrof nga Bjorn Runa, i ftuar është Elvin Nuri—ekspert komunikimi, publicist dhe autor i librit "Breve storia della propaganda " (Një histori e shkurtër e propagandës). Një zë i kthjellët në fushën e analizës mediatike, Nuri ka punuar edhe si copywriter dhe konsulent për agjenci marketingu, duke qenë vetë brenda sistemit të ndërtimit të mesazheve.
Por, a ekziston një stil shqiptar i strategjsë së bindjes përmes marketingut?
Gjatë bisedës, Nuri përgjigjet se po dhe se ky stil lidhet edhe me hipokrizinë tonë si shoqëri.
"Ka një stil shqiptar. Jemi pak hipokritë në sensin që [...] jemi të gjithë me flamurin, pro familjes, pro fëmijëve, [por] kur duam të ndërtojmë një narrativë shumë të thjeshtë, e shesim atë familjen për një pako kafe... Për një ulje të lavatriçesh... Iu vëmë njerëzve në gojë fjalë të çmendura, gjëra shumë bazike, argumente dhe filozofi jete shumë të thjeshta. Nga ana tjetër, jemi rritur shumë. Kemi një progresion të paparë në nivel cilësie, figure, audio edhe aktrimi, pavarësisht se shumë njerëz që ne na dalin në ekran, ne nuk e dimë, po ata paguhen shumë pak [...] po ka një rritje të cilësisë. Për sa i përket përmbajtjes, duhet ta rimendojmë pak."
Në një botë ku dëshirat duket se tashmë janë thuajse plotësisht të programueshme, arti i të bindurit sa vjen e bëhet më i padukshëm. Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron rreziku: tek fakti se po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të arrijmë të dallojmë propagandën, reklamën dhe përpjekjet për të na bindur por thjesht “jemi”.
Të dielën, në episodin e 13-të të Apostrof, me Elvin Nurin flasim për propagandën, reklamën dhe mënyrën se si ndërtimi i dëshirës është shnërruar në një industri sa të rafinuar, aq edhe të brishtë.
Lini një Përgjigje