Jo çdo fjalë e huaj vjen për të bërë pis
Në një emision të RAI-t kushtuar 70-vjetorit të lindjes së Pino Daniele-s dëgjova një gazetare ta quante reunion ribashkimin e një grupi të hershëm të Pino-s (James Senese, Enzo Avitabile, Tullio de Piscopo, Joe Amoruso, Tony Esposito, që mund të konsiderohej që atëherë si supergroup), duke e shqiptuar madje anglisht; edhe pse italishtja e ka simotrën riunione, me të njëjtin kuptim, dhe pikërisht si emër veprimi të foljes riunirsi, që i referohet asaj që bëjnë dy ose më shumë persona, që kanë qenë dikur bashkë, janë ndarë ose larguar nga njëri-tjetri, dhe tani mblidhen a bashkohen sërish. Puristi do të kish rrudhur hundët këtu, duke e quajtur anglishten reunion “fjalë të huaj të panevojshme” në italishte; siç do ta quante edhe sikur kjo fjalë të përdorej në shqip, për ribashkimin e një grupi rock; me argumentin se “ne e kemi tashmë fjalën e bukur shqipe ribashkim”, e kështu me radhë.
Natyrisht, gazetarja italiane e dinte që mund ta kish quajtur atë që bëri Pino-ja me të vetët riunione, e megjithatë zgjodhi anglishten reunion; dhe jo ngaqë donte të tregohej snobe dhe as për të sinjalizuar se e njeh anglishten, por – supozoj – vetëm ngaqë besoi, në atë moment, se anglishtja reunion përcjell diçka më shumë se riunione, e pasuron ligjërimin duke evoluar një atmosferë kuptimore dhe, pse jo, kulturore më të shtresuar. Dhe e bëri këtë, duke iu referuar dukurisë së ribashkimit të grupeve të mëdha rock, në vitet 1970-2000 e më tej, si dukuri të kulturës anglofone, ku ngjarje të tilla quhen, pikërisht reunions. Që të funksionojë mirë ky anglicizëm, në italishte por mbase edhe në shqipe, duhet (1) që grupi në fjalë jo vetëm të ketë qenë dikur bashkë, por edhe të jetë njohur nga publiku si i tillë, si grup; (2) që grupi të jetë ndarë dhe kjo të jetë përcjellë me një farë buje nga mediat dhe fans-at, deri në atë shkallë sa këta të fundit ta dëshirojnë ribashkimin; (3) që grupi, tashmë i ribashkuar, të ketë në plan një album ose një tur koncertesh, meqë gjithnjë është fjala për ribashkim artistik, jo për një grup miqsh që vendosin të takohen sërish për një gotë ose për të kaluar pushimet në Bahamas dhe (4) që palët në muhabet të kenë dijeni për tre kushtet e para. Për shembull, gjatë viteve 1970, u fol shpesh për një reunion të mundshëm të Beatles-ve, që nuk ndodhi dhe pas vdekjes së John-it u bë i pamundur; po ashtu, për një reunion të Simon & Garfunkel, që ndodhi me koncertin e mirënjohur në Central Park; dhe siç u fol gjatë viteve 1990 për një reunion të Pink Floyd në versionin me Ëaters dhe Gilmour, që ndodhi edhe ai vërtet por gjithashtu për një koncert të vetëm. Një reunion është, para së gjithash, realizim i një dëshire masive të fans-ave, për ta pasur sërish atë që kanë humbur, me shpërndarjen e grupit; dhe, në planin simbolik, shënjon mrekullinë e ringjalljes.
Duke përdorur fjalën reunion, për grupin e hershëm të Pino Daniele-s, gazetarja la të kuptonte se edhe ai grup kish qenë muzikalisht i madh dhe i papërsëritshëm, dhe jo vetëm e kish transformuar panoramën italiane të rock-ut, të blues-it dhe të folk-ut, por edhe e kish bërë këtë me sukses të pashembullt në publik; të pasqyruar në shitje disqesh dhe në ndjekje koncertesh. Prandaj ribashkimi do të kish efekt të ngjashëm me legjendat rreth grupeve të mëdha të rock-ut global, duke e vendosur Pino-n në hartën e rralluar të yjeve të muzikës pop anembanë botës (do të bashkohen prapë?). Me cilësinë e muzikës që bënte dhe me aftësinë për të joshur publikun anembanë Italisë dhe jo vetëm, Pino Daniele njëfarësoj e pat merituar një reunion, në anglisht, të asaj që po bënte.
Tani, që fjala anglishte ta japë këtë efekt shtesë, në krahasim me simotrën e saj modeste riunione, duhet që marrësit e mesazhit, pjesëmarrësit në muhabet, jo vetëm të dinë (pak) anglisht, por edhe t’i njohin dinamikat e marrëdhënieve të yjeve të rock-ut me publikun dhe dramat, herë reale herë të stisura, të marrëdhënieve brenda grupeve, që shpesh u paraprijnë ndarjeve. Për arsye të njohura, anglishtja është lingua franca e ligjërimit të muzikës pop; dhe termat kyç i bartin konotacionet me vete, edhe kur kalojnë nga një gjuhë në tjetrën. Ashtu, një fjalë si reunion e hedhur në një bisedë për ribashkimin e një grupi të njohur në Itali, ka efekt të ngjashëm me përdorimin e terminologjisë italishte, të themi olio e aglio, fettuccine Alfredo apo pasta alla carbonara, në menynë e një restoranti në Londër ose në Boston; fjalë të tilla sjellin “aromën” e kuzhinës italiane, së bashku me kartën e tyre të identitetit gjuhësor.
Ajo që puristët – dhe të gjithë ata të tjerët që duan të hiqen si puristë, për të sinjalizuar virtyte patriotike – shpërfillin qëllimshëm, është se gjuha, cilado gjuhë, është mjet komunikimi, jo kostum për t’u veshur ritualisht a medalje për t’u mbajtur në gjoks; kur dëshiron të shprehë kuptime të caktuara, folësi nuk ka pse të ngurrojë para huazimit, qoftë edhe të përkohshëm, ose thjesht citimit të një fjale nga një gjuhë tjetër, me kusht që ai tjetri, që e dëgjon, ta kuptojë mirë për çfarë e ka fjalën, të sintonizohet me të. Duke përdorur fjalën reunion, për të rrëfyer historinë e grupit të Pino Daniele-s, gazetarja italiane jo vetëm që tregoi se çfarë kish ndodhur me grupin në fjalë (ribashkimin), por edhe theksoi peshën dhe rëndësinë e fenomenit Pino, në kontekstin e muzikës pop italiane dhe botërore, integrimin e tij në world music (këtu edhe termi world music shënjon diçka të ndryshme nga muzika botërore a e përbotshme), dhe kënaqësinë e asaj vetë, si ndjekëse dhe fans-e e Pinos, për prestigjin që kish fituar i preferuari i saj, duke u rreshtuar mes të mëdhenjve të botës. Çuditërisht, të njëjtin kombinim të lirshëm të frazave e të fjalëve e të frazave italishte, anglishte dhe të dialektit napoletan e pat bërë rregullisht edhe Pinoja, gjatë gjithë trajektores së vet në qiellin e muzikës botërore.
Habitet ndonjëherë njeriu, kur mendon se sa thatë i gjykojnë puristët këto gjëra.
(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është përfytyruar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje