Presidenti Bajram Begaj reagoi për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur Birçe Hasko, duke e cilësuar atë një nga figurat më të spikatura të artit shqiptar.
Në mesazhin e tij, Begaj vlerësoi kontributin e Birçe Haskos në teatër, kinematografi dhe në edukimin e brezave të rinj të aktorëve.
“Bota e artit shqiptar humbi sot një nga figurat më të spikatura të saj. Përveçse la gjurmë të çmuara si një aktor i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, Birçe Hasko ia kushtoi jetën edhe edukimit, si pedagog i nderuar i shumë brezash aktorësh”, u shpreh Begaj.
“Lamtumirë ‘Mjeshtri i Madh’ Birçe Hasko!”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Birçe Hasko ishte një nga emrat më të njohur të teatrit dhe filmit shqiptar, i vlerësuar për interpretimet e tij në skenë dhe ekran ndër vite.
Për dekada me radhë, ai solli në skenë dhe ekran personazhe të dashura për publikun, duke u kthyer në një prej figurave më të veçanta të teatrit dhe filmit shqiptar.
Publiku do ta kujtojë për interpretimet e spikatura në filma si “Radiostacioni”, “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936”, “Përrallë nga e kaluara”, “Dhe vjen një ditë”, “Shkëlqim i përkohshëm” apo “I dashur armik”, si edhe për rolin e paharrueshëm të Milos në komedinë “Shi në plazh”.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje