Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat kanë nisur ndërhyrjet konservuese për dy ikona me vlerë të veçantë historike dhe artistike: Shën Kolli dhe Krishti Pantokrator, të gjetura në kishën e Shën Kollit në lagjen Kala.
Kështu bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se “procesi zhvillohet mbi bazën e analizave të specializuara dhe dokumentimit teknik të çdo faze, duke përfshirë pastrimin, konsolidimin dhe stabilizimin e materialeve, me synimin e ruajtjes së autenticitetit, integritetit artistik dhe vlerës historike të veprave, si dhe garantimin e konservimit të tyre afatgjatë”.
Restaurimi i fundit i realizuar nga laboratori i DRTK Berat ishte ai i ikonës së Krishtit, gjetur në Libofshë të Fierit, me autorë vëllezërit Çetiri.
Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja – sipas mbishkrimeve që mbart – rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine.
Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.
A.K./TemA
I KUJDESNI IKONAT E KAURRVE ,,,SE MYSLYMANET NUK KAN IKONA ,,,