Berati, qytet me shpirt

10 Gusht 2025, 16:33Kulturë TEMA
Berati, qytet me shpirt

Nga Namir Lapardhaja

Ka qytete që i sheh dhe të duken thjesht si grumbull gurësh, rrugësh dhe ndërtesash. Pastaj ka të tjera që, sapo i shkel, ndien se diçka e padukshme të përfshin: një frymë, një kujtesë, një prani që nuk shpjegohet me arkitekturë apo me histori të shkruar në libra. Këto janë qytetet me shpirt. Jovan Duçiq te "Qytete dhe fantazma" thotë se ato janë pikërisht qytetet që kanë një të kaluar, dhe, si njerëzit, bartin plagët, gëzimet, kujtimet dhe legjendat e tyre.

Berati është një nga këto qytete. Ai nuk është vetëm një vendbanim i lashtë i ngritur mbi kodra, por një organizëm i gjallë, ku çdo gur, çdo shkallë guri, çdo dritare e drunjtë, çdo kryq apo çdo minare ka diçka për të treguar. Teksa ngrihesh në mëngjes, e sheh qytetin teksa zgjohet ngadalë nga një ëndërr shekullore. Shtëpitë e bardha, të ngjeshura si të mbështetura tek njëra-tjetra për ngrohtësi, i ngjajnë njerëzve që pëshpërisin me njëri-tjetrin.

Shpirti i Beratit është i ndërtuar mbi shtresa kohe. Aty gjenden gjurmët ilire, gjurmët romake, muret bizantine, minaret osmane dhe shenjat e pakta të hebrenjve që gjetën strehë këtu gjatë Luftës së Dytë Botërore. Secila periudhë ka lënë shenjat e veta, çka e bëjnë qyretin jo vetëm një shtresëzim kulturash, por edhe ëndrrash dhe kujtimesh.  

Në rrugicat e kalldrëmta, këmbët të çojnë pa e kuptuar drejt lagjeve muzeale. Nga aty, shikimi shtrihet mbi çatitë me tjegulla të kuqe dhe mbi lumin që ndan qytetin mëdysh. Është një pamje që të kujton se shpirti i një qyteti nuk është vetëm tek ajo që duket, por edhe tek ajo që nuk shihet – tek fjalët e munguara, tek heshtjet e brezave, tek legjendat e rrëfyera.

Ashtu si njerëzit, Berati ka plagët e tij. Ka kaluar pushtime, shkatërrime, ndryshime të mëdha politike e shoqërore. Por, si çdo njeri me shpirt të fortë, ai i ka përballuar dhe i ka shndërruar në histori. Kjo e bën të ndryshëm nga qytetet pa kujtesë, që rriten shpejt, por nuk mbajnë dot rrënjë.

Në fund, kur e lë pas, Berati nuk mbetet thjesht një vend i bukur që ke vizituar. Ai të ndjek, të shfaqet në kujtesë si një fytyrë e njohur, me të cilën ndan një sekret. Dhe ky është testamenti më i fortë i shpirtit të tij, se, njësoj si njeriu, ka diçka brenda që nuk vdes kurrë.

3 Komente

  1. L
    Luani

    Shume e vertete

    Përgjigjjuni
    1. B
      Berati Qyteti Im i Lindjes dhe Formimit

      Namur Lapardhaja , te uroj gjithe te mirat per kete shkrim te bukur dhe FOTOT aq reale te Beratit tim , ku u linda u Rita u edukova me frymen e nje lashtesie dhe sot ne kete moshe ndjej dhimbje dashuri per ato rrugica qe kam shkelur me kembe ? Kam vrapuar Pa u lodhur neper rruget plot KALLDREM ku u formova si njeri per te mos u ndare kure nga Berati im , edhe pse nuk jetoj me aty ndjenjen dhe dhimbjen qe ndjej per qytetin nuk mund ta krahasoj me asgje ne bote ? Kam qene ne plote vende ,Europe Amerike Kanada , por shijen e qytetin tim nuk nuk mund ta ndjej ne asnje vend te botes ? Po tregoj nje histori te vogel : Berat dikur ka vujt shume per uje , mbaj mend ishte nje cezem tekisha prane fushes se sportit e vjeter, ajo sot nuk eshte as cezma si dhe kisha ? Une e kisha shtepine ne lagjen Vakef po flas me te vjetren sot lagja Kushtrimi , isha 7 vjec dhe bashke me pjestaret e familjes venim per te mbushur uje , per ne ishte e vetmja cezem . Kisha mare nje shtembe te vogel prej balte , te tilla ishin enet e ujit ekisha mbushur me uje dhe kur arita ne shtepi duke u ngjitur neper shkalle me thyhet shtemba dhe uji derdhet !!! Nena ime nuk qante se u they shtemba por per ujin qe u derdh ? Me ka ngele ne kujtese edhe sot kur e kujtoj me duket sa per te qeshur e sa per te qare ???Gezohem qe Berati sot ka uje plot dhe te gjitha cilesite e trasheguara brez pas brezi per arkitekturen qe ka eshte ruajtur dhe nuk eshte prishur per te treguar lashtesine e ketij qyteti kur ata qe e ndertuan nuk jetojne me .Ne na bie detyre per ta ruajtur dhe mirembajme kete histori te bukur mijra vjecare ???? U zgjata shume por nga malli per vendin tim te lindjes .FL

      Përgjigjjuni
      1. L
        Ladi

        Bukur

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje