Pavarësisht zhvillimeve teknologjike, rrjeteve sociale apo aksesit të gjerë në informacion online, ekziston ende një kategori qytetarësh që zgjedh të frekuentojë bibliotekat e lagjeve në kryeqytet.
Numri i tyre mbetet i qëndrueshëm, një dëshmi se dashuria për librin dhe nevoja për një ambient të qetë nuk janë zëvendësuar.
“Frekuentuesit më të mëdhenj të bibliotekave nuk vijnë vetëm për të lexuar, por edhe për të gjetur një ambient të qetë. Frekuentuesit më të mëdhenj të bibliotekave janë grupmosha 13 deri 25 vjeç,” tregon Lorena Prifti nga Drejtoria e Rinisë në Bashkinë Tiranë.
Në ditë të caktuara, kërkesa për libra në këto biblioteka arrin të jetë më e lartë se vetë numri i librave në dispozicion. Megjithatë kjo nuk përbën pengesë për lexuesit, pasi nëpërmjet sistemit online ata mund të aplikojnë për një titull të caktuar dhe ta tërheqin më pas në një bibliotekë tjetër të lagjes.
Nëse duhet të veçojmë një grupmoshë që i frekuenton më shumë ato, janë studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme që mbushin më shpesh sallat e leximit, veçanërisht gjatë periudhave të provimeve.
“Për sa i përket leximeve letrare, pra, literaturës së përditshme, ata e tërheqin librin në shtëpi. Studentët zgjedhin përgjithësisht të qëndrojnë në ambientet e bibliotekave. Disa prej tyre i kemi të pajisura edhe me pajisje teknologjike, si kompjutera, vende dhe tavolina studimi,” thotë znj. Prifti.
Në këto biblioteka nuk mungojnë as lexuesit e moshës së tretë, të cilët vijojnë t’i mbeten besnikë leximit të gazetave të ditës apo librave historikë, transmeton RTSH.
Eshte e vetmja gje e mire qe ka mbet e qe po perdhunohet nga zyrtaret bashkiake, te cilet prej vitesh nuk I furnizojne ne botimet e reja, keto biblioteka.