Bujar Xhaferi – rebel në jetë, rebel në art

17 Gusht 2025, 18:23Kulturë Nga Namir Lapardhaja

(Shënime për poezinë Ushtari i Kolonës “A”)

Aty rreth fundit të viteve ’80, në Berat ia behu i gjithë pushteti komunist i kohës për të përkujtuar krijimin e qeverisë së parë komuniste. Pak ditë më vonë qyteti u vizitua nga Bujar Xhaferi, i cili, teksa hidhte vështrimin mbi Kala, Goricë e kodrinat përreth, u shpreh: “Çudi, që me gjithë këto mundësi që të jep Berati për t’u vetëvrarë, askush nga Byroja Politike nuk u hodh nga ndonjë cep i qytetit.”

Përpara ’90-tës, poeti Bujar Xhaferi e vizitonte shpesh Beratin. Ai vinte për shkak të lidhjes shumë të afërt që kishte me motrën e tij, Shpresën, dhe sa herë që do të vinte do të takonte miqtë e tij, poetët dhe intelektualët e qytetit, një pjesë e të cilëve ishin armiq të hapur të regjimit të kohës.

Ndërsa në një prej vizitave të tij së bashku me poetin e sapo liruar nga burgu Visar Zhiti vizitonin Kalanë, sheh një punëtor që priste barin me kostër. I afrohet dhe i thotë: “Ç’bën, o t’u mbylltë, po na e mbarove barin së preri, çfarë do të hamë nesër?”

Këto dhe grimca të tjera të shumta, thënë sot duken si humor i shpikur dhe i pabesueshëm për kohën, por në të gjithë rrëfimet mbi Bujar Xhaferin, ajo që i përbashkon të gjithë është shpirti i tij antikonformist, rebelizmi i hapur deri në tallje ndaj regjimit dhe figurave të tij dhe disidenca e tij artistike, e cila nuk kishte lidhje fare me gjithçka që shkruhej përreth në ato kohë.

Sigurisht që unë nuk e kam njohur personalisht poetin Bujar Xhaferi, por të gjitha sa më sipër vijnë si rrëfime nga shumë burime nga goja e miqve të mi të besueshëm, të cilët, në ato vite të vëshitra, kanë pasur mirësinë të shoqëroheshin me të sa herë që ai vizitonte qytetin.

Kjo figurë dhe ky personalitet antikonformist i poetit në jetë, është treguesi më i qartë edhe i poezisë së Xhaferit. Madje, rasti i marrë në shqyrtim është domethënia më e mirë se nuk mund të ndahet poezia nga poeti, se arti dhe vepra poetike dhe letrare nuk mund të shihet e shkëputur nga konteksti dhe rrethanat dhe se teori të tilla si ‘vdekja e autorit’ janë marrëzi të strukturalizmit, që nuk kanë të bëjnë fare me atë se çfarë është shpirti i poezisë dhe i artit.

Bujar Xhaferi – rebel në jetë, rebel në art
Në foto: Bujar Xhaferi, Rudolf Marku, Simon Vrusho, Balil Gjini dhe Yzedin Hima. Dalë në Berat. Foto nga Dhimitër Topi.

Xhaferi, elegant në mendime e në sjellje, e dallon të ultën, falsitetin, hipokrizinë, vulgaritetin edhe kur dukuri të tilla fshihen pas një dukje imponuese pushteti, paraje e luksi.

Siç shprehet me të drejtë diku një ndër miqtë e tij studiues që e ka njohur dhe nga afër, Bujar Xhaferi është mjeshtër i vizatimit të mjediseve dhe njerëzve, duke parë tej maskave të mjediseve dhe gjallesave të lumtura që shfaqen në rrugë, në institucione, në ekranet e TV-ve. Me forcën e fjalës gris dhunshëm mbulesën “luksoze” që fsheh të vërtetën. Pastaj shfaqet banaliteti dhe vulgariteti i neveritshëm, i botuar në mënyrën më idiote në fytyrat e tyre dhe të atyre që qëndrojnë pas tyre. Ky pleh luksi ndot fort mjedisin tonë, edhe pa të tejet i ndotur. Lexuesi tronditet nga e vërteta, ndaj shkrimet e Bujarit priten me mjaft kureshti. Bujari është mjeshtër i batutës. Dikush, që ka ndenjur mjaft pranë tij dikur, është aq shumë i ndikuar nga Bujari, sa që, ndonëse tani ka pozicione mjaft të larta publike, ende pozon sjelljen e lirtë të Bujar Xhaferit, gjuhën e lirtë plot ngjyrë, ndonëse tani është i prangosur kokë e këmbë nga pushteti, paraja dhe të gjitha veset që kanë të bëjnë me to.

Bujar Xhaferi ngeli i njëjtë, si para ashtu edhe pas ’90-tës dhe kjo sjellje prej rebeli dhe antikonformisti nuk është se e ka ndihmuar në jetë, mirëpo këtë hyrje të gjatë e bëra për t’u futur në analizën e një prej poezive të tij, që më ra në dorë së fundmi (Ushtari i Kolonës “A” – pjesë e përmbledhjes poetike “Gjërat e përkohshme”, nga të paktat botime që ka realizuar ai).

 

Bujar Xhaferi – rebel në jetë, rebel në art

***

USHTARI I KOLONËS “A”

 

Të parët vërsulen ushtarët

(sigurisht, ata vlejnë me pak).

Figurat struken pas tyre

dhe mbretërit fshihen pas rokadës.

 

Falet një ushtar, pastaj dy;

(diku në botë falen mijëra).

Është thënë që të vdesin të parët,

Të dytat gjithmonë figurat.

 

Po ja, një ushtar bën një hap

në kolonën krejt i lirë, -

befas mbretërit lëvizin me tmerr

në katrorët e bardhë dhe të zinj.

 

Ky është çasti me fatlum për ushtarin,

që vrapon të marrë titullin «Figurë»,

të mos vdesë në një radhe me të parët

në betejën me tym e me zhurmë.

 

Por është çasti më tragjik për mbretërit,

(për fituesin po aq sa për të mundurin)

që gjithçka e marrin të parët

dhe veç vdekjen e marrin të fundit.

 

Kjo poezi është një krijim alegorik, që, përmes imazheve të lojës së shahut, pasqyron realitetin shoqëror dhe fatin e njerëzve të zakonshëm në raport me elitën dhe pushtetin.

Poezia zhvillohet në mënyrë graduale, duke dhënë fillimisht raportin midis të voglit dhe të madhit, mes ushtarit dhe mbretit, mes sakrificës dhe lavdisë. Vargjet janë të shkurtër dhe të drejtpërdrejtë, me një ritëm të qëndrueshëm që i shkon për shtat frymës lakonike dhe therëse të mesazhit. Poeti përdor një gjuhë të thjeshtë në dukje, por me shumëfishim domethëniesh.

Kemi mbizotërim të metaforës së lojës së shaut, ku ushtari simbolizon njeriun e thjeshtë, shpesh të papërfillur, që vihet i pari në rresht për të vdekur në emër të një rendi apo strategjie që nuk e ka krijuar vetë, por që është i destinuar të ‘hedhë vallen’ sipas asaj që i kanë përcaktuar.

Mbretërit dhe figurat (si kali, oficerët, etj.) përfaqësojnë pushtetin,të cilët fshihen dhe mbrohen pas sakrificës së të tjerëve.

Kolona A është një prej kolonave në tabelën e shahut, por në këtë poezi ajo shfaqet si një simbol i rreshtimit, i detyrës, i sistemit ku çdo individ ka vendin e vet të caktuar që nga fillimi, një vend që të dënon me vdekje nëse je ushtar.

Strofa e parë e kësaj poezie hapet me imazhin e ushtarëve që vërsulen të parët, ndërsa figurat dhe mbretërit fshihen pas tyre. Kjo tregon qartë pabarazinë mes atyre që udhëheqin dhe atyre që sakrifikohen. Në strofën e dytë kjo ide thellohet, duke u ironizuar: “falet një ushtar, pastaj dy / diku në botë falen mijëra.”, duke e universalizuar tragjedinë e atyre që nuk kanë zë dhe duke e kthyer sakrificën dhe vdekjen vetëm në një statistikë numerike. Mirëpo, në strofën e tretë kemi një kthesë të papritur. Aty një ushtar bën një hap të lirë. Ky është momenti i guximit individual, i njeriut që nuk pranon të jetë pjesë e verbërisë, edhe pse ky akt trazon "mbretërit". Poezia përmbyllet e strofën e katërt, në të cilën kemi një kontrast tragjik: ushtari që arrin të kthehet në “Figurë” ka kapërcyer kufirin e zakonshmërisë dhe është ngritur në nivel të lartë – ka fituar identitet dhe rol, mirëpo, në të njëjtën kohë, mbretërit përballen me tragjedinë e tyre. Janë ata që gjithmonë kanë përfituar të parët, janë të fundit që përballen me vdekjen dhe, kur ajo vjen, vjen si fund i një hipokrizie.

Tematika e kësaj poezie të shkurar në vitet ’80 është e larmishme. Aty qartazi mbizotëron ideja e individit dhe e hipokrizisë së elitave, ku potencuar me të madhe rolin dhe rëndësinë e madhe që ka individi në një shoqëri.

“Ushtari i kolonës A” është një poezi e shkruar me thjeshtësi, por me një zgjuarsi të madhe poetike dhe filozofike. Ajo mund të lexohet në një shumëllojshmëri mënyrash dhe mund të interpretohet po ashtu në shumë forma, por ajo që ngelet në fund të saj është ideja që njeriu duhet të guxojë për të bërë hapin e tij të lirë.

Poezia e Bujar Xhaferit të ngacmon mendjen dhe ndërgjegjen. Është një poezi e shkurar në kohë dhe periudha të vëshitra, ndaj duhet lexuar si një formë rebelimi dhe nxitjeje e ndërgjegjes njerëzore për më shumë liri dhe për më shumë individualitet.

4 Komente

  1. M
    Mjaftime Xhelo,ish studente I.L.PShkoder.

    Permbledhja poetike"Gjerat e perkohshme" ka poezi shume te bukura. Kush njeh Bujarin ,sheh ne to shpirtin e tij rebel qe ne rinine e tij. Bujari i zgjuar,me humor ,me ironi kundershtonte dhe pedagoget per dicka qe s i pelqente ,kur te tjeret nuk e benin kurre debatin se kishim frike .Vitet 76,77I uroj shendet!

    Përgjigjjuni
    1. N
      Na ruajt zoti

      Rebel me kositësin e barit haha

      Përgjigjjuni
      1. L
        Laura

        Na ruajt zoti.. Siduket se ke haberin e atyre viteve. Shume poezi e bukur! Flm shume per kete artikull

        Përgjigjjuni
        1. L
          Laura

          Na ruajt zoti.. Siduket se ke haberin e atyre viteve. Shume poezi e bukur! Flm shume per kete artikull

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje