Ekspozita “INCLUSIV” bashkon piktorët shqiptarë në zemër të Kroacisë, Arif Lushi: Një frymë e re bashkëpunimi kulturor

16 Tetor 2025, 21:14Kulturë TEMA
Ekspozita “INCLUSIV” bashkon piktorët shqiptarë në

Në qytetin piktoresk të Grožnjanit, i njohur si një nga qendrat më të rëndësishme të artit dhe kulturës në Kroaci, është çelur ekspozita kolektive “INCLUSIV”, një nismë që bashkon disa prej artistëve më të njohur shqiptarë dhe operatorë kulturorë kroatë në kuadër të projektit të shkëmbimit kulturor mes Shqipërisë dhe Kroacisë.

Kuratorët e ekspozitës janë Eugen Borkovsky dhe Anila Zajmi–Katanolli. 

Ky bashkëpunim vjen si pjesë e përpjekjeve të Bashkisë së Grožnjanit për të forcuar marrëdhëniet kulturore ndërkombëtare dhe për të promovuar diversitetin artistik në hapësirën evropiane.

Në njoftimin zyrtar të Bashkisë thuhet:

“Ja ku jemi, gati për të mirëpritur miqtë tanë artistë shqiptarë! Në kuadër të projektit të shkëmbimit kulturor me qendrat ndërkombëtare të artit, Bashkia e Grožnjanit vendosi të ftojë një grup të parë artistësh nga Shqipëria për të forcuar frymën e bashkëpunimit dhe për të pasuruar kulturën ndërkombëtare. Të shtunën, më 18 tetor, në orën 19:00, në Galerinë ‘Fonticus’, do të çelet ekspozita e artistëve shqiptarë. Ajo do të jetë një mundësi për të vlerësuar kreativitetin dhe identitetin e tyre artistik. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 31 tetor 2025.”

Në këtë ngjarje të veçantë marrin pjesë 15 artistë të cilët janë: Adriana Puleshi, Adrian Çene, Alban Çela, Anila Zajmi–Katanolli, Arben Shira, Arif Lushi, Bujar Vani, Fatmir Carkunji, Matlinda Mehmetaj, Nezir Ago, Rikarda Nova–Nenshati, Shaqir Veseli, Shpëtim Xhema, Zef Pepa dhe Zinni Veshi.
Kuratorë të ekspozitës janë Eugen Borkovsky dhe Anila Zajmi–Katanolli, ndërsa fjalën përshëndetëse e mbajti Prof. Claudio Stocovaz, kryetar i Bashkisë së Grožnjanit.

Për “Liberale”, piktori Arif Lushi, një ndër pjesëmarrësit e ekspozitës, ndau emocionet e tij mbi këtë përfshirje të rëndësishme në skenën ndërkombëtare të artit.

Ai u shpreh se pjesëmarrja në “INCLUSIV” është një nder dhe përgjegjësi e madhe, pasi përfaqëson jo vetëm krijimtarinë e tij, por edhe artin dhe shpirtin shqiptar në një platformë që bashkon kultura e vizione të ndryshme.

“Të jesh pjesë e kësaj ekspozite është një ndjenjë krenarie, sepse ne përfaqësojmë një kulturë që ka shumë për të treguar."

Sipas tij, arti nuk ka nevojë për “modesti të sforcuar”, pasi modestia shpesh maskon mediokritetin, ndërsa arti i vërtetë flet vetë përmes krijimit. “Padrejtësia më e madhe është kur gjërat e pabarabarta trajtohen si të barabarta,” shprehet ai, duke cituar Aristotelin për të theksuar mungesën e kritikës së ndershme në artin bashkëkohor.

Piktori e konsideron ekspozitën “INCLUSIV” si një moment për bashkëjetesë artistike, ku secili autor sjell botën e vet krijuese, por në të njëjtën kohë krijohet një dialog i përbashkët përmes veprave.

“Këtu nuk jemi thjesht disa artistë që ekspozojmë piktura. Ne jemi njerëz që ndajmë ndjesi, përvoja, kujtime. Atmosfera mes nesh është shumë pozitive, ka respekt, frymë bashkëpunimi dhe dëshirë për të mësuar nga njëri-tjetri. Kjo e bën këtë ekspozitë të ndjehet si një familje e madhe artistësh.”

Lushi thekson se një artist përfaqëson “unin e tij krijues dhe kredon e tij artistike”, jo thjesht një temë apo ngjarje. Për të, ekspozita ‘INCLUSIV’ është një hap që i jep vlerë shprehjes autentike dhe bashkëpunimit kulturor, përtej hierarkive apo ndarjeve artificiale.

“Unë nuk e ndaj artin në të njohur apo të panjohur. Këtu na bashkojnë vlerat, jo emrat,” shprehet piktori, duke vlerësuar edhe kuratorët e ekspozitës dhe kritikun italian Pino Bonanno, të cilët e kanë mbështetur nismën.

Sipas artistit, arti shqiptar ka nevojë të shihet nga jashtë për të rigjetur autenticitetin e vet. “Në Shqipëri, mediokriteti shpesh lavdërohet, madje edhe dekorohet, ndërsa arti i vërtetë frymon ndryshe — në heshtje, por me thellësi,” shprehet ai.

Në fund, piktori thekson se “INCLUSIV” nuk është thjesht një ekspozitë, por një hapësirë ku arti shqiptar dhe ai kroat takohen në një frymë përfshirjeje dhe respekti të ndërsjellë.

“Një frymë e re bashkëpunimi kulturor”

/liberale/

1 Komente

  1. V
    Vlora 97

    Ky qeka si Gedaf mavria pa.mjekër

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje