Festivali i Venecias- “La Grazia’’ e Sorrentinos çel ngjarjen kulturore më 27 gusht

26 Gusht 2025, 11:08Kulturë TEMA
Festivali i Venecias- “La Grazia’’ e Sorrentinos çel

 “La Grazia”, një histori dashurie, është filmi i regjisorit Paolo Sorrentino që do të hapë ngjarjen më të rëndësishme botërore, Festivalin e Venecias më 27 gusht. Padyshim, për të apasionuarit e Festivalit të Venecias, më i pritur është debutimi i Julia Roberts që për herë të parë në karrierën e saj bashkëpunon me regjisorin italian Lika Guadanjino në filmin jashtë konkursit, ‘’After the Hunt’’ (Pas Gjuetisë).

Julia Roberts, luan rolin e Almës, një profesoreshë e respektuar e filozofisë në Jale, e cila përballet me trauma dhe zgjedhje të së kaluarës kur një koleg dhe mik i ngushtë akuzohet për ngacmim seksual nga një nga studentet më të shkëlqyera.

Debutimi i aktores në festivalin e filmit në Venecia është shumë domethënës për aktoren, që lidhjen e saj me qytetin e ka të lidhur qysh në moshën 20 vjeçare, kur për herë të parë e vizitoi.

Por në ngjarje të tilla, është një rregull i pashkruar, ka filma të destinuar që hyjnë në listën e fituesve, dhe i tillë është “The Voice of Hind Rajab’’(zëri i Hind Raxhab), ku dhimbja e ngjarjet në Rripin e Gazës pritet të shpërthejnë në Venecia.  Një film konkurrues i regjisorit tunizian Kaouther Ben Hania që flet për jetën e një vajze të vogël palestineze, Hind Raxhap,  që kërkon ndihmë e më pas vritet.  Një film që siç e përshkroi drejtori artistik Alberto Barbera, gjatë prezantimit zyrtar të programit të festivalit të filmit, është i mbushur me emocione e ku shpresohet mos të ketë polemika.

Me interes pritet edhe filmi i regjisorit Noah Baumbach, ‘’Jay Kelly”, me aktoret George Clooney, Adam Sandler , por edhe ‘’Magjistari i Kremlinit” i Olivier Asajas, i bazuar në romanin e vitit 2022 me të njëjtin titull të Xhuliano da Empoli e që flet për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe ngjitjen në krye të Rusisë së Vladimir Putin, rol të cilin e luan Jude Law.

Festivali i 82-të ndërkombëtar i filmit, sjell edhe Nënë Terezën me protagoniste Noomi Rapace, ndërsa do të drejtohet nga Alberto Barbera, nga 27 gushti deri më 6 shtator, në ishullin e Venecias, dhe synon të promovojë përhapjen e kinemasë ndërkombëtare në të gjitha format e saj, nga arti, argëtimi, ndërkohë që ngjarjet e fundit si konflikti në Lindjen e Mesme, nuk mbetet jashtë panoramës së festivalit. Një protestë ‘’Nado genocidin-lironi palestinen’’ është planifikuar pasditen e 30 gushtit, teksa aktorja izraelite, Gal Gadot, nuk do të marrë pjesë në festival, ndërkohë që shumë emra të njohur të botës kinematografike nënshkruan një letër ku kërkojnë nga bienalja, Festivali i Venecias, të mbajë qëndrim mbi konfliktin në Lindjen e Mesme.

- RTSH-

Lini një Përgjigje