Një grup akademikësh janë duke punuar për të sjellë një fjalor të ri frazeologjik. Gjuha shqipe është tepër e pasur me njësi të tilla ndaj dhe bazuar në fjalorët e mëparshëm, do të vijë një tjetër fjalor që pritet të përmbajë mbi 40 mijë njësi frazeologjike.
“Në radhë të parë u hartua kartoteka e posaçme mbi bazën e të cilit po bëhet dhe hartimi i fjalorit. Ne jemi një grup hartuesish dhe bashkëpunëtorësh nën drejtimin e akademik Jani Thomai, i cili është dhe frazeologu më i madh. Janë togfjalësha që kanë kuptim të figurshëm, kanë vlerën e një fjalë të vetme, por që sjellin shumë në gjuhë. Kemi arritur në përfundimin që ka mbi 40 mijë njësi të tilla. Për nga vëllimi pastaj, sa përdoren këto, përmban 600 mijë skeda elektronike, pra që janë me shembuj përdorimi nga folklori, nga gjuha e folur, letërsia artistike e të tjera. Të gjitha këto na krijuan besim që po tani ka ardhur koha të hartohet një fjalor i tillë”, u shpreh Prof. dr.Ali Jashari, bashkëhartues i Fjalorit Frazeologjik.
Për hartimin e këtij fjalori, janë duke punuar edhe akademikët Jani Thomai dhe Valter Memishaj.
Profesor Jashari është gjithashtu edhe bashkëhartues për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe që pritet të publikohet shumë shpejt.
Fjalorët me vlerë të përjetshme, edhe si ky i idiomave ("Të rraftë pika" idiomë atomike), nuk arrijnë të përmbushin përjetësinë vlerore. Megjithatë, e cmoj pa masë një ndërmarrje që do punë, durim,përkushtim, pasion, intuitë, sens. Idiomat janë atomi semantik i gjuhës shqipe. Shqipes, besoj, nuk i afrohet ndonjë gjuhë e grupeve INDO-ILIRE. Eficenca dhe Kapaciteti ekspresiv i gjuhës shqipe janë gjenialitet i pa të dytë. ("Bukurisë, moj, i rraftë pika" ! "M´u ka hup udha në oborr" !, Të marrtë lumi" !, " C´më more në qafë"! Kënaqësi...