Forcat e vetmisë mund të nxitin paqëndrueshmëri politike dhe të kërcënojnë demokracinë

5 Shtator 2024, 15:12Kulturë TemA

Forcat e vetmisë mund të nxitin paqëndrueshmëri politike dhe

Nga Eve Ensler,* The Guardian

Ç’ndodh me zemrat tona kur na rrethon një fushë dashakeqësie e urrejtjeje, e cila kërcënon çdo ditë paqen dhe qetësinë e jetëve tona?

Kam menduar për fashizmin shumë kohë para se ta kuptoja që po mendoja për të. Për vite me radhë kam jetuar e izoluar në mendjen, shtëpinë dhe tmerrin e babait tim tiran, i cili e përdorte dhunën si metodë për të ruajtur pushtetin në çdo aspekt të ekzistencës sonë. Por, për ta arritur atë pushtet, ai na ndau dhe përçau. Na izoloi duke na vënë kundër njëri tjetrit dhe na bëri më të vetmuar.

Tek “Origjina e Totalitarizmit,” botuar në vitin 1951, Hannah Arendt shkruante: “Ajo çfarë i përgatit njerëzit për të qenë të shtypur nga diktatura në një botë jodiktatoriale është fakti se vetmia, dikur një përvojë jo fort e zakontë dhe e diktuar nga rrethana sociale izoluese, si për shembull pleqëria, tashmë është kthyer në diçka të zakonshme.”

Në vitin 2023, kirurgu i përgjithshëm i SHBA-ve deklaroi se vetmia përbënte krizën më serioze të shëndetit mendor, me të cilën amerikanët po përballen. Kjo vetmi është një formë ndrydhjeje ekzistenciale, e cila krijon ankth, depresion dhe një gjendje të vazhdueshme mosbesimi ndaj të tjerëve. Është diçka e ngjashme me një atak të lehtë paniku kolektiv. Një ndjesi konstante shqetësimi. Kudo gjenden armiq. Mjedisi që na rrethon dhe kultura në të cilën jetojmë është e helmatisur dhe aspak ftuese. Bota jonë nuk i ngjan aspak asaj në të cilën kemi jetuar gjer tani. Për rrjedhojë, bëhemi më të ftohtë, të tëhuajëzuar, duke u ndjerë të braktisur e të pashpresë. Të gjithë kohën dhe energjitë, ia dedikojmë vetëmbrojtjes dhe nevojës për t’iu provuar të tjerëve se edhe ne kemi të drejtë të ekzistojmë. Është kjo jetesë në kufijtë e mbrojtjes konstante, e cila na shpenzon të gjithë vëmendjen dhe kreativitetin. Është rraskapitëse.

Më kujtohet ajo çfarë Toni Morrison shkruante në lidhje me racizmin: “Detyra madhore e racizmit është të shpërqendrojë. Të na pengojë në punët dhe veprimtaritë tona, duke na detyruar të spiegojmë gjatë gjithë kohës se edhe ne kemi të drejtë të jetojmë.”

Pyes veten se çfarë ndikimi psikologjik specifik ka platforma e Donald Trump “Projekti 2025,” kur e dimë se ekzistojnë forca fashiste, të cilat hartuan hapur dhe me krenari një “bibël politikash” me synimin për të zhbërë çdo të drejtë të fituar me mundim, çdo mbrojtje ndaj grave, afro-amerikanëve,  punëtorëve, të moshuarve, komunitetit LGBTQ+, emigrantëve, muslimanëve dhe cilitdo grup njerëzish.

Ç’ndodh me zemrat tona, aftësinë për të qenë më të bashkuar dhe për të besuar tek njeri-tjetri kur rrethihemi nga një fushë dashakeqësie e urrejtjeje, e cila kërcënon çdo ditë paqen dhe qetësinë e jetëve tona? Ç’ndodh kur e dimë se të tjerët duan të na bëjnë keq dhe se nuk iu vjen aspak turp ta hedhin këtë dëshirë në letër? Çfarë i bën kjo psikës tonë? Si e përpunojnë trupat tanë gjithë këtë urrejtje, dhunë e mizori? Si duhet të transformohemi për të mbijetuar?

Fashizmi është një e keqe mendore, e cila prek gjithë shoqërinë. Gjendet në kulturë, në rrugë në formën e bandave naziste dhe nacionalistëve të zemëruar, në ligjet e reja drakoniane që aprovohen nga një gjykatë supreme e djathtë, duke iu mohuar njerëzve të drejtën e votes, ose duke iu dhënë presidentëve një pushtet ekstrem. Fashizmi fshihet në gënjeshtrat e pastra që thuhen nga Trump, duke akuzuar emigrantët me ngjyrë për krime që nuk i kanë kryer kurrë. Ai gjendet në kampuset e universiteteve ku studentët arrestohen sepse protestojnë kundër masakrimit të fëmijëve dhe grave në Gaza.

Antidoti kundër fashizmit është ndërgjegjia dhe arsmimi. Pikërisht për këtë arsye në Amerikë ekziston një përpjekje për eleminimin e Departamentit të Arsimit. Neve na duhet të mësojmë natyrën e fashizmit, çfarë është dhe si vepron në vitin 2024, që të mund ta ekspozojmë, të ngremë zërin kundër shtypjes, urrejtjes, mizogjinisë e racizmit. Por, e gjithë kjo mund të jetë tmerruese për shumë prej nesh dhe për këtë aryse nuk ia dalim dot të vetëm. Prej kohësh, lëvizjet e organizuara janë përçarë nga etja për burime që sa vijnë e pakësohen, mungesa e shpresës dhe vëmendjes; nga një hierarki vuajtjesh dhe mungesë vizioni e kuptimi se gjithçka është e ndërlidhur dhe e ndërvarur.

Komuniteti dhe solidariteti janë mjetet më të forta që kemi për të luftuar fashizmin. Ato krijojnë një kontekst ku ne mund të komunikojmë të sigurt, në mënyrë që të kuptojmë se ajo çfarë shohim dhe përjetojmë është e vërtetë. Ato nxisin tek ne fuqinë për të refuzuar forcat që duan t’i zhbëjnë liritë tona. Na shtyyjnë të luftojmë për të gjetur një mënyrë tjetër të jetuari, ku njerëzit trajtohen me dinjitet, drejtësi, respekt dhe kujdes.

Tashmë kemi një vizion se si duhet të jetë 2025-a. Një vizion, i cili do të realizohet kur më në fund të bashkohemi  për t’iu dhënë fund forcave të vetmisë dhe urrejtjes që na kanë përçarë kaq gjatë. (Përgatiti për Gazetën TemA: Bjorn Runa)

*Eve Ensler është dramaturge amerikane, shkrimtare dhe themeluese e lëvizjes V-Day –  lëvizja globale për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, vajzave dhe natyyrës.

1 Komente

  1. P
    Poseidon

    PATJETER,POR ESHTE EDHE SE NJEREZIT KANE ME SHUME TE MIRA MATERIALE SE SA DIMUR ,,,,,,DHE KESISOJ MENDOJNE HE MO SE MUND TE JETOJME EDHE PAK ME NGUSHTE ,,,,,,EDHE ME ME PAK GJERA MATERIALE E SHPIRTERORE,,,,,POR KUR KUJTOHESH JE NE NJE BURG KU NUK DEL DOT........ AJO QE DUHET ESHTE TE NGELESH ZERIN ,MINIMUMI,NE RRJETET SOCIALE DUKET SIKUR EKZISTOJNE VETEM NJEREZIT E POSHTE( SIC NDODH NE KOSOVEN,KU DUKET SE ATA QE LUFTUAN DHE PERKRAHEN LUFTEN PER CLIRIMIN NUK EKZISTOJNE ME,,,,POR VETEM NJEREZIT QE PAGUAJNE ,,ALBIN BABA,,SIC EDHE E QUAJNE)...........PRA KETA QE TANI FLENE GJUME DUHET TE ZGJOHEN DHE TE BEJME ATE QE LUFTA DHE HEROJTE TE MOS HARROHEN NE BURGJET E HAGES,,,,TE AFERMIT I ADEM JASHARIT MOS BEHEN ZAGARE TE ATIJ QE NUK E DESHI KOSOVEN E LIRE DHE TANI I KA HIPUR SIC I HIPET GOMARIT......DHE E CON CDO DITE E ME PRANE SERBISE DUKE DESTABILIZUAR ATE ..........

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje