FOTOT – Tenori me famë botërore Saimir Pirgu sjell atmosferë madhështore në Shirokë…

6 Shtator 2025, 12:40Kulturë TEMA
FOTOT – Tenori me famë botërore Saimir Pirgu sjell

Shiroka u shndërrua në skenën më të bukur të artit mbrëmjen e djeshme, ku tenori me famë botërore Saimir Pirgu mahniti publikun shkodran me një performancë të jashtëzakonshme.

Orkestra Simfonike e Shkodrës, nën drejtimin virtuoz të Elda Laro, dhe kori i fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija” krijuan një atmosferë unike, duke ngritur disa herë në këmbë spektatorët mes duartrokitjeve të pandërprera. Prezantimi u realizua nga Ema Ndoja, duke i dhënë mbrëmjes një notë të ngrohtë dhe elegante.

Në fjalën e tij, tenori Saimir Pirgu falënderoi publikun për energjinë e jashtëzakonshme, kryetarin e Bashkisë Shkodër Benet Beci dhe dirigjenten Elda Laro për ftesën, ndërsa kryebashkiaku u shpreh se Shkodra i meriton ngjarje të tilla madhështore dhe se po punohet për projekte kulturore edhe më ambicioze në të ardhmen.

Artistja me përvojë Zana Çela, tashmë Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, si dhe kompozitori Zef Çoba, vlerësuan se Shiroka këtë mbrëmje ishte më e bukur se kurrë, ndërsa publiku shkodran përjetoi një natë të paharrueshme.

Një mbrëmje ku arti, publiku dhe bukuria e Shirokës u bashkuan në një simfoni të përsosur, duke lënë pas emocione që do të mbeten gjatë në kujtesen e të gjithëve.

"Foto Albumi i koncertit të tenorit Saimir Pirgu, Orkestrës Simfonike të Shkodrës dhe Korit të Fëmijëve të Qendrës Kulturore “Kujtim Alija”, mbrëmë në Shirokë." - shkruan kryetari Beci.

/shkodraweb/

Lini një Përgjigje