Ghadames, “perla e fshehur e shkretëtirës Sahariane”

27 Tetor 2022, 21:10Kulturë TEMA

Ghadames, “perla e fshehur e shkretëtirës Sahariane”

E njohur si “perla e shkretëtirës”, Ghadames mbetet një nga destinacionet më të dëshiruara nga turistët e vendasit.

E vendosur 600 km në jug-perëndim të Tripolit, thellë në rajonin djerrë të Tripolitanisë të Libisë, me  mure të larta me ngjyrë të bardhë dhe okër, qyteti  është i rrethuar nga palmat.

Emri Ghadames ka qenë i njohur për të paktën 2 mijë vite, por struktura e tij aktuale kompakte u zhvillua nga myslimanë në shekullin e VII e më pas u zgjerua përgjatë shekujve.

I projektuar në mënyrë perfekte për të luftuar erërat e shkretëtirës dhe klimën e ashpër të Saharasë Veriore, ky qytet oaz, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i njohur si “perla e shkretëtirës” , mbetet një nga ekspozitat më të mëdha arkitekturore të Saharasë dhe një shembull spektakolar i planifikimit mjedisor.

Me temperatura që i kalojnë 40 gradët në verë e përgjatë dimrit ato zbresin nën zero, ky destinacion ofron larmi.

Muret e brendshme të qytetit të cilët mbartin shkëlqimin e bardhë të gëlqeres, ishin ndërtuar me tulla balte të thara në diell.

Sipas ekspertes së arkitekturës Dr. Susannah Hagan këto mure pengojnë nxehtësinë e mbledhur gjatë ditës, duke e lëshuar natën ku temperaturat ulen ndjeshëm.

Në qendër të Medinës, në dy sheshe arkadë dikur shtriheshin tregjet e skllevërve.

Kjo tregti e turpshme shekullore nxiti lulëzimin ekonomik të qytetit në shekullin e XIX dhe më pas rrënimin  e tij pas ndalimit të tregtisë.

Ghadames ndodhet në një pozitë strategjike, aty ku takohen Tunizia, Algjeria dhe Libia sot, dhe nga këtu devetë e ngarkuara lundronin në perëndim në Timbuktu, në jug në Ghat dhe Bornu ose në veri në portet e Mesdheut.

Qyteti u bë një pikë kyçe e takimit të qytetërimeve dhe banorët e tij berber (të njohur në vend si Amazigh), ishin shumë të nderuar.

Në vitet 1980, mungesa e ujit dhe e kanalizimeve moderne bëri që Muammar Gaddafi, politikani revolucionar libian, të urdhëronte ndërtimin e një qyteti të ri në vendin fqinj.

Sot, në Ghadames-in e Vjetër nuk ka banorë të përhershëm, megjithëse gjatë verës, epërsia e tij mjedisore në krahasim me blloqet e apartamenteve prej betoni të qytetit të ri, josh një numër të qëndrueshme të vendasve Amazigh dhe sub-Saharianë, të cilët kthehen për të hyrë në xhamitë dhe dhomat e tij të çajit për të shijuar bukurinë e tij.

Ata gjithashtu vijnë të kujdesen për shumë nga 121 kopshtet familjare, të cilat ujiten nga një sistem kompleks kanalesh, nga puset arteziane dhe burimi nëntokësor Ain al-Faras , origjina legjendare e oazit.

Ndërtesat tipike sahariane shtrihen në të gjithë Magrebin.

Një prej shtëpive private, e hapur për publikun, ofronte një shpërthim ngjyrash e dekoresh.

Piktura muri gjeometrike në flakë të ndezur, jastëkë dhe qilima me modele luksoze, dollapë dhe kamare që përmbajnë kujtime familjare në pluhur, dhjetëra enë bakri të varura në mur dhe pasqyra të dizajnuara për të thyer dritën e disponueshme të ambientit.

Bukuria e këtij qyteti të humbur nën thellësinë e Sahara-së  pritet të tërheqë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Lini një Përgjigje

Blog Tema