Gjërat e përkohshme & kujtesa e ajrit

28 Korrik 2025, 14:54Kulturë Nga Visar Zhiti

- për Bujarin -

Po flasim për Bujarin, poetin e njohur herët, me miq aq sa dhe poezia e tij, me shqetëmet njerëzore, të kuptueshme, me urimet për shendet e të mira plot…

Kam një jetë që e njoh, që në rininë e parë në Lushnjën tonë, në të mirë dhe në të keq, nga afër dhe larg, me të qeshura dhe heshtjet, bisedat me të gjithmonë janë të veçanta, me mençuri dhe humor, filozofi e tallje, të bukura, mbi të gjitha na bashkon poezia që ashtu si të qenit mik apo dashuria, bën që njerëzit të njihen më mirë, qoftë poeti apo lexuesi, po edhe kritiku në mes…

Librin e fundit Bujari e nxori në kohën e ndryshimeve të mëdha, në vitin 1990, kur ai dhe printe, “Gjërat e përkohshme” e titulloi, ndryshe nga rutina e botimeve të tjera, - e përkohshme është dhe diktatura, - sikur donte të thoshte dhe natyrisht që Bujari vazhdon të shkruajë, unë do të isha i vetmi që botova një ese të vogël për atë libër të veçantë, e botova ku na takonte, në shtypin opozitar, në “RD” e atëhershme ku dhe punonim, “Që diktatorët të mos vdesin të fundit” - e titullova, ishte kohë ndryshimesh, - thashë, - protestash dhe britmash, dhune dhe mposhtje të frikës dhe poezinë po e doja më shumë, edhe pse dukej sikur s’ishte dhe aq koha e saj. Po kur ishte, kur mua më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia?

Unë librin tim të parë do ta nxirrja 3 vite më pas, s’kishte letër, kohë krize, pranga kishte… dhe do ta titulloja “Kujtesa e ajrit”. Recensionet i shkruajtën me dashuri poetët Bujar Xhaferri dhe Rudolf Marku, botuesi shkrimtari Zija Çela vuri nga një citat të tyre në kopertinën e pasme.

Për kopertinën e librit tim mora një pikturë të Maestro Ibrahim Kodrës, ishim bërë miq në Milano, kurse kopertinën e librit të Bujarit e punoi një mik i tij atëhere, piktori dhe pedagogu Edi Rama, kryeministri i tanishëm. 

KRYEMINISTRIT

do të doja t’i thosha fare thjeshtë, por s’e di se sa arrijnë fjalët e mia aq larg, që Shqipëri është dhe një njeri i vetëm dhe nuk bëhet vetëm me shëmbje të asaj që mund të jetë pa leje a e vjetër, por me ç’leje është varfëria e njerëzve, pasiguria, ikja, mosshëndeti, braktisja, etj, etj? Kujdes dhe për mikun Bujar Xhaferri, edhe ai është Shqipëri dhe “Gjërat e përkohshme” janë vërtet , por është dhe “Kujtesa e ajrit” ashtu si kujtesa e kujtdo, e kohës dhe e ndërgjegjes njerëzore…

Sidoqoftë librat tanë janë poezi dashurie. Ja, njëra, e Bujarit, e shkruar nën diktaturë, por mbetet poezi universale:

 

E VETMJA PËRSËRITJE, 

QË S'ËSHTË MONOTONE

- nga Bujar Xhaferri - 

 

Gjithmonë kam përsëritur dashurinë 

                                                              për ty;

çdo vit, çdo stinë, çdo minutë, 

çdo sekondë.

Ka shkuar kaq kohë dhe ti megjithatë

Ende s'e ke humbur delikatesën 

                                                          e duarve,

As ngjyrën e gojës,

as kthjelltësinë e syve,

As hirin e shtatit, as dritën 

                                                   nëpër flokë.

Çdo ditë kam përsëritur dashurinë        

                                                              për ty,

Refrenin më të lashtë e më njerëzor në botë,

Simfoninë më të gjatë, më të gëzuar 

e më të trishtë,

(Të pakufizuar kurrë në kohë 

                                                     muzikore,)

Unike si dielli në sistemin tonë,

Origjinale si ëndrra,

E pafund si hapësira,

E pezmatuar si plaga,

Euforike si drita.

Çdo ditë kam përsëritur dashurinë 

                                                               për ty,

Me sigurinë që përsëriten vetë javët dhe ditët.

Dhe s'kam besuar në zemra të lehta, çamarroke,

Që gjurmojnë të hutuara dashuri 

të reja

Çdo ditë kam përsëritur dashurinë 

                                                             për ty,

Të vetmen përsëritje që s'është monotone.

Dhe unë kam shkruar nën diktaturë

një poezi për nënën e mirë të Bujarit, që më priste në shtëpinë e saj me aq përdëllim, kur kisha dalë nga burgu dhe shumë dyer më ishin mbyllur…ashtu siç më kishte pritur dhe nëna-ikonë e Rudolfit para se të bija në burg dhe lotët e saj, - ka qarë shumë, do të më thoshte Rudolfi, - do t’i ndjeja brenda telave me gjemba si një shi timin. Por ata lotë s’do kenë qenë vetëm për mua…

 

NËNA E POETIT

- nga Visar Zhiti - 

Kur troket në derën e saj,

kushdo që të jesh,

           i tëri i dielltë

           apo rrebesh qofsh,

           hije nate,

           ëngjëll

                          apo ushtar,

           grua rruge, jetim,

           pyll lëvizës 

           apo lumi Stiks,

Ajo asnjëherë s’pyet:

“Kush është?”

Se si e hap derën

                    çiltërsisht,

                    menjëherë,

sa të duket se s’ka ekzistuar

                                        ajo derë.

 

(Nga libri “Kujtesa e ajrit”, Tiranë, 1993)

* * *

Lutem për një kohë me përsëritje të dashurisë, me zemër nënash, me bekimet e tyre dhe dritën e shpirtit të tyre. Na jepni nëna të mira që të bëhemi fëmijë të mirë, - thoshin latinët. Dhe Shenjtja Nënë Tereza do të thoshte: “Mësomë të dua!”.

Sidomos ne, bijve të saj…

15 Komente

  1. .
    ......

    E kam lexuar "kujtesa e ajrit" i persosur ne trishtimin e tij .......pastaj e dhurova dhe se kam gjetur dot ne qe atehere nje kopje tjeter ...

    Përgjigjjuni
    1. L
      Luisss

      Faleminderit shumë për këtë shkrim plot emocion, ndjenjë, bukuri dhe qëndresë shpirtërore. Vërtet, me ç'leje janë fukarrallëku, braksisja, pasiguria që na kanë pllakosur si popull!? Poetët, janë njerëz të bukur të popullit të vet, që vuajnë bashkë me të dhe u ka lezet fjala. Ju përshëndes!

      Përgjigjjuni
      1. V
        Vala

        Bukur sa s'ka si behet, por cdo gje e bukur apo e shemtuar ka edhe treguesit e vet konkret: Sa ishte tirazhi I ketyre dy librave poetik dhe sa u shiten nga gjithe tirazhi.? Pa kete tregues gjithe c'fliten me siper jane perralla kafeje.

        Përgjigjjuni
        1. L
          Land karbunari

          Shkrim zhkarashkrusi pa pik kiuptimi mish mash. Se çdon me thane as vete visua se di. E nis me Bujar Xhaferin, e vazhdo me nenen e Rudolf Markut, e perfundo me veten e vet, pa haru burgun qe e ka mburoj. Viso vujti burgun e xhaxhit po ja pa hajrin u bo deputet me Salen dhe sfoli njihere per tpersekutumt e harum, gjalp me Tos Nanon me Ed Ramn. U quravit per mu be ambasador nvatikan.Tash ligjero nga Amerika njejte si Fatmir Mediu.Viso asht shndru ne aristokrat i tpersekutumve nga komunizmi xhaxhit.

          Përgjigjjuni
          1. S
            SOKRATI

            Vetëm poezi nuk shikoj, nuk konstatoj, nuk gjej dhe s'kam për të gjetur dot në këtë trajtë "zaptimi" të letrës fatkeqe në dorën e një masakruesi, që pret me durim të pakrahasuar, që uzurpuesi të thotë ndonjë gjë! Në "vlerësimin" e shpërdoruesit të letrës dhe lapsit gjej vetëm injorancë nga një zhubravitës delirant dhe një "visar" balte...

            Përgjigjjuni
            1. v
              vari l***t

              E bukur shume kjo. Je njesh SOKRAT.

              Përgjigjjuni
              1. A
                Arb

                I nderuar Sokrat, Jeni munduar të tregoheni shpotitës megjithë leksikun dhe njohuritë modeste që kërkon sistemi i përbaltjes; Visari është një shkrimtar, veprën e të cilit e ka vlerësuar Kadare duke e cilësuar atë më të arrirë edhe se vepra Aleksandr Solzjenitsyn, madje edhe shumë shkrimtarë të tjerë të mirënjohur. Po ashtu dhe figurën e Bujar Xhaferit. Me siguri, ju duhet të jeni një nga persekutorët e regjimit të kaluar, të cilët kuptimin e ekzistencës së tyre e gjejnë tek zhbërja e tjetrit. Përderisa nuk guxoni të dilni nga anonimati, përkundrazi jeni duke kryer një masakër përbaltjesh, shekullore, sepse përveç dy shkrimtarëve të nderuar jeni duke përbaltur dhe emrin e Sokratit të madh.

                Përgjigjjuni
              2. A
                Anna Dalassena

                Më vjen mirë për mllefin tënd Sokrat, pasi vërteton qartë që njerëzit kur nuk arrijnë dot të të kontrollojnë me frikë, mashtrim dhe dhunë, përpiqen të kontrollojnë mënyrën se si të tjerët mendojnë për ty! Gjithë të mirat dhe lexoni. Më pak mllef dhe kujdesuni për shëndetin e shpirtit!

                Përgjigjjuni
                1. V
                  Vjosa

                  Neveri për njerëz të këtij takëmi shqyejnë gojën që pak më parë, kur ishin nën ombrellën e hyqymetit, e hapnin vetëm për të thithur jashtëqitjet e kryetarit të vet. Nuk kemi nevojë për Mërgatën e Bufëve.

                  Përgjigjjuni
                  1. A
                    Astrit

                    Vepra e Visarit me e arritur se e Solzenicyn? E bukur kjo! Kadare, po e ka thene tamam keshtu, duhet te kete qene ne gjendje psiqike te renduar. Po vepra e Visarit nuk gjen krahasim kurre me Bujar Xhaferin, qe eshte nje univers poetik edhe pse enigmatik. Ne krahasim me shokun e vet, Bujrain, ai eshte si qiqera me perlen, bile, edhe ne te folur eshte pothuajse gjithmone nje deklarant i dale boje ne krahasime me Bujar xhaferin , qe eshte poezia vete, perhere spontan

                    Përgjigjjuni
                    1. S
                      Shkembi

                      Qe te fluturosh me presh nga pas, duhet te jete gje e bukur.

                      Përgjigjjuni
                    2. D
                      Drini

                      My me pelqeu

                      Përgjigjjuni
                      1. u
                        uskania

                        Po, a nuk varfërohen njerëzit nga rrumpalla, që frymëzon Visari me Bufin?

                        Përgjigjjuni
                        1. M
                          Mjaftina Hitaj

                          Bujari,shok ne I L.P Shkoder. Djale rebel, me talent ,i dashur. Qofte mire me shendet!

                          Përgjigjjuni
                          1. H
                            Henris Balliu

                            Mrom, atje tek kompleksi "Delijorgji" po prishej nje ngrehine qe ishte ne mes t sheshit. Po prishej na IMT. Punonjes te lodhur, te bezdisur. Neper kom u verdallisej nji i ri nja 140 kg, ku koka dhe te pasmet ishin nje. Shikonte me egersi kalimtart, ishte nje figure humane e frikshme. Ishte "pronari". Ky njeri, vetem punen e nershme nuk njifte, çdo gjo e kish bo me forcen e parase ne arrogances. Tash un sun e kuptoj se ku hyjn fjalt e poetit qy na maja e "olimpit" aqe lark n Amerik shef t metat e çeveris qy munohet me nreq naj gjo t shemtume, kur shkrun si ma posht: "KRYEMINISTRIT do të doja t’i thosha fare thjeshtë, por s’e di se sa arrijnë fjalët e mia aq larg, që Shqipëri është dhe një njeri i vetëm dhe nuk bëhet vetëm me shëmbje të asaj që mund të jetë pa leje a e vjetër, por me ç’leje është varfëria e njerëzve, pasiguria, ikja, mosshëndeti, braktisja, etj, etj?"

                            Përgjigjjuni

                            Lini një Përgjigje