Dokumentari “Hacking Hate” u shfaq në ditën e fundit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.
Ky dokumentar është një investigim tronditës mbi mënyrën se si platformat online përfitojnë nga përhapja e urrejtjes, duke nxitur ekstremizmin dhe duke vënë në rrezik vetë themelet e shoqërive demokratike, shkruan atsh.
Me temën e këtij viti, “Të Drejtat e Njeriut në Epokën Digjitale”, festivali u përqendrua te mundësitë, por edhe sfidat dhe kërcënimet e botës online, duke treguar pse mbrojtja e të drejtave themelore është po aq e rëndësishme në hapësirën digjitale sa edhe në atë fizike.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka qenë mbështetësi kryesor i edicionit të këtij viti.
Për 20 vite me radhë, ky festival ka qenë një hapësirë e çmuar dialogu dhe reflektimi për shoqërinë shqiptare, thekson Zyra e BE.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato theksoi gjithashtu se, “ky festival tregon sa i fuqishëm mund të jetë kinemaja për të nxitur debate dhe frymëzuar reflektime mbi shoqërinë tonë”.
“Shoqëritë tona nuk mund të lejojnë që urrejtja, racizmi, bullizmi apo forma të tjera diskriminimi dhe dhune të përhapen në hapësirën digjitale. Kostoja për shoqëritë dhe demokracitë tona është thjesht shumë e lartë”, shtoi ai.
Gonzato nënvizoi se, “mbrojtja e demokracisë sot do të thotë gjithashtu mbrojtje e hapësirës digjitale si një vend ku respektohen të drejtat dhe mbrohet diversiteti”.
“Jemi krenarë që Bashkimi Evropian ka qenë i pari që ka rregulluar hapësirën digjitale dhe që mban kompanitë teknologjike përgjegjëse për atë që publikohet në platformat e tyre”, përfundoi Gonzato.
Lini një Përgjigje