HISTORIA E NJË LIBRI/ "Zhurma e erërave të dikurshme”, libri që shkaktoi zhurmë dhe e futi Dritëro Agollin në telashe edhe me gruan

22 Dhjetor 2025, 16:52Kulturë TEMA
HISTORIA E NJË LIBRI/ "Zhurma e erërave të dikurshme”,

Çdo libër ka një histori që lind, histori që kujtohet herë pas here nëse jetën e ka të gjatë. Kështu ka ndodhur edhe me librin "Zhurma e erërave të dikurshmë". Ai lindi nga një radhë tregimesh të shkruara në fillim të viteve '60 të shekullit XX dhe të botuara kryesisht në revistën "Ylli", ku kryeredaktor ishte Qamil Buxhelli, një burrë i fisëm me ide përparimtare, shkrimtar me një humor të rrallë modern dhe njeri me shije të hollë artistike.

Libri u botua më 1964, me një kopertinë të Safo Markos, me një sfond të zi dhe me një figurë me ngjyrën e një thëngjilli të ndezur. Në atë kohë Safo Markua ishte grafistja më e mirë e librave që botoheshin. Nga botimi i librit unë mora pesë kopje. Ishte një rregull që pesë kopje dërgoheshin në drejtorinë e shtypit të KQ-së të Partisë së Punës. Kaloi një kohë dhe libri "Zhurma e erërave të dikurshme" nuk po dilte nëpër librari. Nuk vonoi edhe shumë dhe mua më thirrën në Komitetin Qendror, bashkë me redaktorin e librit dhe me shefin e redaksisë së tregimit të shtëpisë botuese "Naim Frashëri".

Në atë takim ishim përgjegjësi i shtypit, drejtori i drejtorisë së propagandës dhe një tjetër. Në takim u diskutua, me libër përpara, se çfarë duhej bërë me atë botim: a mund të lejohej të qarkullonte nëpër librari, apo të ndalohej. Vërejtja kryesore ishte se nxihej realiteti i jetës së atëhershme socialiste dhe se deheroizohej Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare: personazhet e partizanëve pasqyroheshin të zymtë dhe me shumë kontradikta mes tyre, pushkatoheshin kur bënin gabime dhe shkelnin rregullat e luftës. Pas këtyre vërejtjeve, një ndër pjesëmarrësit, që nuk më kujtohet se cili ishte, tha se libri duhej ndaluar, një tjetër shtoi se duheshin hequr disa tregime dhe të botohej me një kopertinë tjetër jo aq të zymtë. I treti propozoi të botohej siç ishte dhe pastaj të kritikohej, duke u përcjell me disa artikuj.

Pasi më bënë disa vërejtje të tjera dhe disa këshillime, se si gazetar i "Zërit të Popullit", ku punoja duhej të isha shembull për pasqyrimin e realitetit dhe të mos beja gabime ideologjike, vendosën që libri të shkonte përsëri në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", të hiqeshin disa tregime dhe të zëvendësoheshin me disa të tjerë, të cilët të kishin në qendër "heronj pozitivë".

Sipas këtij këshillimi, unë hoqa disa tregime si, fjala vjen,"Njeriu me veladon", "Egërsia" dhe ndonjë tjetër, duke i zëvendësuar me skica dhe reportazhe. Me këtë ndryshim libri doli në qarkullim pas disa muajve me një kopertinë tjetër, por disa kopje të botimit të parë të tërhequra nga shtypshkronja mbetën në duar të dashamirësve.

Me gjithë këtë ndryshim "Zhurma e erërave të dikurshme" filloi të bënte zhurmë. Në shtyp, ai u kritikua si një vepër me gabime ideologjike. Kritikat u shtuan pas Plenumit të 15-të të KQ-së të PPSH-së së vitit 1965, ku vërejtjet morën një formë zyrtare. Në atë plenum, bashkë me librin tim, u kritikuan edhe dramat e Naum Priftit, Qamil Buxhelit, Fatos Arapit dhe u thumbua Ismail Kadare dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kjo kritikë mund të kishte rrjedhoja të pakëndshme, sikur të mos kishte folur Enver Hoxha në konkluzionet e atij plenumi në mbrojtje të ndonjë autori të këtyre veprave. Kështu, për mua ai tha se Dritëro Agolli është bir i Partisë dhe ka vepra të bukura. Unë atëherë kisha botuar poemën "Devoll, Devoll".

Koha bënte të sajën. Librit tim me tregime i ishte caktuar fati. Pas atij plenumi iu dha orientim shkollave të mesme që të kritikonin veprat që përmendeshin nga Partia. Kjo barrë iu ngarkua mësuesve të letërsisë. Gruas sime, Sadijes, 23-vjeçare, në atë vit e martuar me mua, mësuese e letërsisë në shkollën "Partizani", i ra shorti të kritikonte burrin e saj, me të cilin kishte tre muaj e martuar. Ajo u kthye nga shkolla e habitur dhe e shqetësuar dhe, sa hodhi librat mbi tavolinë, m'u drejtua: "Më thanë në drejtorinë e shkollës që të të kritikoj ty për librin...". Iu përgjigja: "Ti më vrafsh, ti më prefsh, vetëm jo Partia!".

Sadija m'u përgjigj se kjo nuk ishte punë shakaje dhe më kërkoi t'ia shpjegoja gabimet ideologjike që përmbante "Zhurma e erërave të dikurshme". Po kjo është një histori e gjatë, që në këto shënime do të dukej pakëz e tepërt. Megjithatë duhet përmendur se Sadija ime, mësuesja e letërsisë, pasi mori nga unë gabimet e librit, të nesërmen shkoi në shkollë dhe para mësuesve dhe nxënësve analizoi "Zhurmën...". E gjora Sadije, çdo gjë në atë sallë, mund të fshihte, vetëm skuqjen e fytyrës jo!

Dhe ç'të them akoma? Asnjë diktaturë nuk shpik dot armë për të vrarë letërsinë e vërtetë. Armët e shpikura vetëm mund t'ia ndalojnë pakëz udhëtimin, por ajo ecën, mjafton që shkrimtari të mos trembet as nga kritikët e sferave të larta zyrtare, as nga kritikët letrarë dritëshkurtër apo dritëgjatë. Ai shkrimtar që ka frikë nga kritika, dyshon për vlerën e veprës së tij. Çuditërisht unë nuk iu tremba aq kritikave të djeshme, po aq edhe kritikave të sotme. Edhe kur mendoj për të djeshmen, them me vete: e djeshmja vërtet nuk nxiton, por ngacmon të sotmen. Këtë ngacmin të së djeshmes ma bëri miku im Bujar Hudhri, presidenti i shtëpisë botuese "Onufri", kur më tha se kishte dëshirë të ribotonte librin tim "Zhurma e erërave të dikurshme". Unë me gjithë dëshirë e pranova këtë joshje, megjithëse disa autorë të publikuar tek "Onufri" më kanë hedhur në fytyrë më shumë bojë të kuqe seç kanë ikonat e Onufrit. Po unë e kuptoj ekonominë e tregut dhe lirinë e shtypit dhe aspak nuk e qortoj mikun tim të "Onufrit". Ndonjëherë nga goditjet e gazetave dhe të shtëpive botuese mund të bëhesh i çmendur, por unë mendoj se i dituri më mirë të kthehet në të mençur se në budalla, pasi budallai nuk ka alternativa.

I bëj këto ndërhyrje i ngacmuar nga viti 1964, kur u botua "Zhurma e erërave të dikurshme", kur isha një gazetar te "Zëri i Populli" dhe kur kisha një apartament me dy dhoma të vogla, ku jetonim unë, Sadija, nëna ime, im atë dhe një mbesë. Tani ta lëmë mënjanë këtë tregim dhe të themi se çfarë është botimi i ri i librit "Zhurma e erërave të dikurshme". Në botimin e "Onufrit" kryesisht janë tregimet e "Zhurmës...", por janë edhe disa të tjerë të botuar në gazetën "Drita" dhe në revistën "Nëntori" në vitin 1986, si "Nipi plëngprishës", "Martesa e Pasho Velçanit", "Nderi i heshtur" dhe nja dy-tre të tjerë. Po pse janë shtuar këto tregime në botimin e "Onufrit"? Janë shtuar se kanë pasur të njëjtin fat si ato të librit "Zhurma e erërave të dikurshme".

Ato u botuan para Kongresit të 9-të të PPSH-së, kur pritej një entuziazëm pas vdekjes së Enver Hoxhës, që ma merr mendja që edhe ai do t'i pëlqente. Por udhëheqësit e rinj shtrembëruan buzët. Sekretari i KQ-së të PPSH-së, Foto Çami, dërgoi ndihmësit e tij në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, në shtëpinë botuese "Naim Frashëri" dhe në redaksitë e gazetave, për t'i dënuar këto tregime. Pastaj dha urdhër nëpërmjet instruktorëve të komiteteve të partisë në rrethe, që nëpër shkolla të ndalohej leximi i tregimeve të mia. Kur e mora vesh këtë histori, shkova në KQ te Foto Çami, e takova dhe i thashë se unë isha kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i KQ-së të Partisë së Punës pse nuk më kishin thirrur për gabimet ideologjike të tregimeve? Foto Çami bëri mëk-mëk dhe kaq. Ku ta dish se nga i kishte urdhrat i gjori!
Kjo është e djeshmja. Është një ditë që ka ikur dhe nuk mund ta kthesh si një fletë letre për ta redaktuar. Fatkeqësisht , ka shkrimtarë që e redaktojnë ditën e shkuar të tyre dhe bëhen qesharakë. Unë gëzohem kur shoh një plak të qeshur dhe trishtohem kur takoj një plak qerashak. Mendoj se libri im "Zhurma..." bën pjesë te pleqtë e qeshur dhe jo te pleqtë qesharakë.

* DRITËRO AGOLLI (19 tetor 2006)
* Parathënia e librit “ Zhurma e erërave të dikurshme “ botim i v. 2006 …
* Marrë nga profili Facebook i Elona Agolli

/mapo/

4 Komente

  1. J
    Jugu

    Po mor po, hengri sa deshi ne kominizem Agolli, i beri elozhe dhe i dha jet atij sistemi, dhe tani na del i persekutuar. Kjo po ndodh me gjithe ata qe e mbajten gjalle ate sistem makut.

    Përgjigjjuni
    1. n
      na e shpifët

      Boll se na e shpifët me këtë katunarin komunist nga Devolli.

      Përgjigjjuni
      1. S
        Sander

        ti hani karin qe te dy se trima me yll te kuq ne balle keni qene

        Përgjigjjuni
        1. j
          joel shkodra

          Ne kete vellim eshte tregimi "Flutura ne kabinen time" nga i cili eshte realizuar filmi me te njejtin titull. Por, eshte ndryshuar krejtesisht thelbi i tregimit ku shoferi synon per ta "kapur" mesuesen ne kabine e ajo hidhet, ndersa ne film shoferi "e tremb" mesuesen si ujk e ajo hidhet (e pabesueshme). Mbyllja e tregimit, kur shoferi shkon per ta takuar mesuesen ne spital (e per t'i kerkuar falje) me nje qese me qershi dhe qershite lene njollen e tyre te kuqe ne kemishen e shoferit, eshte "fantastike".

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje