Historia e veçantë e farmacistit të njohur në 1970-ën, medikamentet që prodhonte dhe si i kuronte pacientët! Çfarë deklaroi drejtori i parë i Normales, Luigj Gurakuqi

16 Korrik 2025, 17:28Kulturë TEMA
Historia e veçantë e farmacistit të njohur në

HYQMET ZANE/ Niveli i shëndetësisë dhe farmaceutikës janë nga më të lakuarit sot në Shqipëri për shkak të abuzimeve që janë bërë dhe me ndërhyrjen e politikës ato janë bërë të pabesueshme dhe problematike. Sa herë në këto situata rikthej në kujtesë një personalitet të farmaceutikës si Kiço Shqau që u shkollua në Hungari në vitet 1956 – 1960 dhe që në Elbasan u bë njeriu i dashur dhe profesionisti i kërkuar edhe në Tiranë nga ata që e njohën dhe e nderonin.

“Tek xhaxhai im unë kam parë shumë virtyte dhe cilësi ose, e thënë më mirë, vlera që nuk mund t’i përjetosh tek çdo njeri, aq më tepër sot tek një mjek”, – është mendimi i nipit të farmacistit të mirënjohur Kiço Shqau. Nipi i tij, Gjergji Shqau, që është njëherazi edhe një nga njerëzit që me këmbënguljen e tij ka pasur ëndërr nderimin jo si xhaxha, por si një qytetar i nderuar i qytetit “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Me këtë ndjesi edhe unë u ndjeva mirë që të investigoja në jetën e këtij njeriu që qëndroi gjithnjë si një humanist, një njeri në plot kuptimin e fjalës.

Megjithëse lindi në Korçë më 12 gusht 1930, që në moshën 7 vjeç Kiço Shqau do të bëhej një qytetar i nderuar i sistemit shëndetësor në qytetin e mesit të Shqipërisë lëndore, por edhe asaj mendore, siç e ka përcaktuar drejtori i parë i Normales Luigj Gurakuqi më 1 dhjetor 1909. Pikërisht në Elbasan mbaroi edhe mësimet e fillores dhe do të hynte në altarin e Normales, me rezultate të shkëlqyera. Kjo e spikati mjekun–farmacist të ardhshëm që të bëhej një ndër studentët e universitetit të Budapestit në Hungari nga Elbasani, së bashku me Naim Paralloin që studioi për ekonomike, Kadri Gurmani që studioi për mësues, Nazmi Zambaku etj. që, gjithashtu u bënë nderi i shqiptarëve për rezultatet dhe nivelin e përfaqësimit.

Ishte viti 1949 që do të përcaktonte edhe të ardhmen e Kiço Shqaut, si një farmacist me vlera të mëdha dhe një pedagog i respektuar i studentëve që do të mësoheshin nga ai. Sentenca nga jeta e këtij njeriu bëjnë të ditur se në Hungari, aftësitë e këtij studenti ishin aq të larta sa edhe në rastet, kur pedagogu hungarez mungonte për një arsye a për diçka tjetër, ia besonte auditorin studentit të tij Kiço. Dhe kishte të drejtë, se jeta e mëpasshme do të tregonte vërtetësinë e niveleve të arsimimit, jo vetëm të Kiços, por edhe të të gjithë studentëve që mbaruan në Hungari. Që nga ai vit, 1954, e deri më 1991, kur Kiço Shqau doli në pension, do të punonte dhe si drejtues i farmacisë në kompleksin spitalor “Dr. Xhaferr Kongoli”, ku u dallua si një specialist i aftë dhe si organizues dhe drejtues i aktiviteteve shkencore të spitalit, veçanërisht në fushën e farmaceutikës. Vetëm 2 vjet të fillimit të punës së tij si farmacist, ai do t’i niste në qytetin e Shkodrës. Por njëkohësisht ky njeri virtuoz në jetë dhe në profesion, do të ishte edhe një pedagog i jashtëm i fakultetit të Mjekësisë në Tiranë në degën e farmaceutikës, ku spikaste niveli i lartë dhe aftësia për të qenë një pedagog që edhe sot e kësaj dite mbahet mend nga kolegët dhe studentët e tij për njohuritë shkencore që aplikonte në lëndën e tij.

Në vitin 1976 dekorohet me “Medaljen e Punës” Klasi I dhe më 1989 me “Urdhrin e Punës” Klasi I për shërbimet cilësore në mbrojtjen e shëndetit të popullit, për masat profilaktik dhe higjeno-sanitare. Në fushën profesionale Kiço Shqau është jo vetëm një farmacist i zoti dhe i dalluar në Shqipëri, duke prodhuar në kushte të vështira që nga viti 1970 disa medikamente të përdorimit të përditshëm në spital si vitamina C, B dhe B12, kortizon ampulë, solucione zëvendësuese (serume, mentol, ringer), duke e kthyer farmacinë e spitalit në një shkollë edhe për kolegët dhe mjekët e rinj, sepse njihte shumë mirë farmakologjinë mbi bazën e së cilës ai dinte edhe të të kuronte.. Por s’mund të harrohen edhe pjesëmarrjet e tij në simpoziume dhe konferenca shkencore kombëtare, ku binin në sy referimet dhe debatet e tij për një rritje të nivelit të mjekësisë dhe shërbimeve nga pacientëve në ambientet spitalore. Nga viti 1992 e deri sa ndërroi jetë më 14 gusht 2003, punoi si farmacist i respektuar privat i kërkuar nga qytetarët e shumtë që shikonin tek ai me besushmëri njeriun dhe mjekun e devotshëm që mbeti përherë i papërtueshëm në këshillat dhe ndihmën që u jepte pacientëve të tij.

PORTRETI I FARMACISTIT DHE MJEKUT HUMANIST

Cilësia më kryesore që binte në sy të këtij njeriu që e shikoje vetëm të qeshur dhe me opitmizëm, ishte humanizmi, zemërgjerësia, altruizmi i tij në çdo kohë dhe një këshillues i aftë dhe shumë i saktë për këdo që kishte nevojë për mendimet e tij si një mjek e jo vetëm si një farmacist. Duke qenë një bashkëkohës i të nderuarit doktor Nosi, i mirënjohur për virtytet e larta humane, edhe vetë Kiçoja u kthye në një vazhdues i këtyre virtyteve të larta, që e dallonin atë në mes të qytetarëve të tjerë. S’kishte njeri që të përballej me doktor Kiçon, siç e thërrisnin të gjithë, e të mos hiqnin duart nga xhepat në shenjë respekti, se po kalonte ai, njeriu i vlerësuar që ishte i gjendur në hallet e bashkëqytetarëve të tij elbasanas.

Kjo vinte jo vetëm për shkak të origjinës së tij nga një qytet si Korça i vlerësuar historikisht, por edhe për faktin se ai e shikonte profesionin e mjekut si një mision në shërbim të popullit kudo që të ndodhet, gjë që në këto kohët moderne ka humbur shumë nga trashëgimia shumëshekullore dhe mbarëbotërore e këtij profesioni, duke u kthyer në një biznes të mirëfilltë. Brenda njeriu Kiço do të gjeje jo vetëm doktorin që të shëron edhe me fjalën, por edhe enciklopedistin e shumë fushave të jetës si letërsia, muzika, historia për të cilat t fliste me një kompetencë të admirueshme dhe të krijonte një portret të një njeriu të madh, ashtu siç ishte edhe nga trupi e mendja. Shumë nga miqtë e tij, si doktor Naim Demiri, ish drejtor i spitalit, por edhe të tjerë që kishin punuar me të shprehen se ai të çudiste me njohuritë që kishte dhe të fliste me një gjuhë tepër joshëse për fushat e ndryshme ku ai ishte bërë si një specialist për vetë bagazhin që zotëronte në botën e tij si një intelektual i vërtetë. Por aq të bënte përshtypje njohuria e tij për sportin dhe jetën politike të cilën e shikonte si një fushë që nuk dëshironte kurrë të futej, duke përdorur atë epitafn e famshëm që përdoret për politikën. Ai ishte një demokrat i vërtetë dhe kurrë me parti, që e quante një të keqe që ishte jashtë karakterit të tij. Koha e tij e shtrenjtë ishte e angazhuar me studimin e vazhdueshëm, duke mos e humbur kohën kot.

Ishin këto vlera dhe virtyte njëkohësisht që e kishin bërë doktorin një njeri të respektuar nga rrethet e ndryshme intelektuale në Elbasan dhe në të gjithë vendin, duke mbetur në mendje të tyre si një mik i shtrenjtë dhe i dashur edhe për humorin e këndshëm që ai përdorte shpesh herë. I pëlqente shoqëria dhe shoqërimi me njerëzit e niveleve të ndryshme, duke gjetur tek ata vlerat njerëzore, por dhe duke qenë një njeri i papërtueshëm të gjendje mes tyre sa herë që ata kishin nevojë për të. Sa e sa njerëz kanë ndjerë se jeta e tyre është peshqesh jo vetëm nga Zoti, por edhe nga kujdesi që tregonte doktor Kiçoja. Kolegët e tij tregojnë sentenca nga veprat e doktor Kiços : – Një djalë i vogël që doktorët nuk e merrnin përsipër, sot është 46 vjeç, falë ndihmës që i dha njeriu i urtë Kiço. – Një fëmijë që piu ujë dhe i vajti keq, sot jeton, se ishte doktori që dinte të jepte ndihmë në çaste të tilla. – Shumë këshilla për familjarët e të sëmurëve, të cilat i kanë dhënë vite jete deri edhe në 15 vjet nga që pranë tyre do të gjendej gjithmonë i kërkuari doktor Kiço.

. – Një grua u shërua në momentet e fundit të jetës së saj, sepse në këto momente ishte i kudondodhuri dhe i afti doktor Kiço. – Djegiet në metalurgji, por edhe aksidentet me makinë, kanë pasur si ndihmë të menjëhershme kujdesin e doktor Kiços, që e bëjnë këtë njeri të paharruar ndër qytetarët, miqtë, kolegët, intelektualët, por edhe të rinjtë që ai i shikonte gjithmonë me simpatinë e tij si një bashkëkohor. Si një njeri me besim të madh tek Zoti, doktor Kiço dinte me modesti t’u jepte mendim të kualifikuar shumë kolegëve për shërimin e sëmundjeve. Ai ishte një njeri që përshtatej me shumë njerëz që nga punëtorët e thjeshtë dhe deri tek ministrat. Ishin këto virtyte që e bënin doktorin edhe shumë të dhënë pas familjes së tij dhe të vëllait, Ilos, por edhe pas njerëzve të tij. Respekti i madh për prindërit, sidomos për nënën, me të cilën jetoi edhe më shumë, bënë që edhe amanetin e tij të fundit ta kishte që edhe në botën e përtejme të ishte pranë saj. Emri i mirë që la ky njeri në qytetin e Elbasanit ishin një ndjesi e një njeriu që dinte çfarë bënte dhe që gjithçka e bëri jo për emër, por për të qenë në kujtesën e gjithkujt që e njohu si një farmacist-doktor në shërbim të njerëzve.

Të tillë figura humaniste kanë qenë dhe mbeten shumëdimensionale për vetë edukimin që morën nga trashëgimitë me brumosje atdhetare qytetare. Para se Kiço Shqau të ishte një farmacist i zoti, të ishte një doktor i suksesshëm, të ishte një humanist i madh ai ishte para së gjithash një njeri me plot virtyte që asnjëherë nuk u tërhoq para vështirësive dhe që qëndroi gjithmonë me këmbë në tokë, modest dhe i papërtuar në çdo orë të ditës, duke e parë gjithmonë në farmacinë e tij i papërkulur edhe para smirës dhe ziliqarëve që nuk i mungonin kohë.

Lini një Përgjigje