Homazh intelektual për Mustafa Krujën, profesori nga Kosova: Faji "juaj" që dimë kaq pak për burrat e mëdhenj të kombit

21 Shtator 2025, 17:24Kulturë TEMA
Homazh intelektual për Mustafa Krujën, profesori nga Kosova: Faji

“Për Mustafa Merlika- Krujën ne kosovarët dimë shumë pak ose aspak.” Kështu do ta niste fjalën e tij profesori i filozofisë nga Kosova, Enver Zhinipotoku, në promovimin e biografisë më të re për firmëtarin e Pavarësisë, ish-kryeministrin e intelektualin Mustafa Kruja me autor Eugjen Merlika.

“Nuk më lë ndërgjegjja që të kthehem në Kosovë dhe të mos i them 3-4 fjalë për këtë burrë të madh të kombit”, tha ai më tej, duke shtuar se Mustafa Krujën e ka dëgjuar vetëm si emër, pa ditur veprimtarinë e tij të plotë si gjuhëtar, përkthyes, por edhe kontributin si politikan në çështjen kombëtare.

“Erdha në këtë promovim për një homazh intelektual për Mustafa Krujën, për të cilin fatkeqësisht nuk kemi ditur shumë, sepse faji është i “juaji”, i regjimit komunist, i cili e ka bërë kulturën shqiptare një kulturë kancerogjene. Për figurat më të mëdha të kombit është turp të thuhet se kemi mësuar pas 70 vitesh. Unë Fishtën e kam lexuar në vitet 2000. Mid’hat Frashërin e lexoj ende. Për Fan Nolin dimë vetëm anët pozitive që ka lejuar sistemi. Por këto i takojnë të kaluarës. Porosia ime është se duhet t’i mbledhim mendtë dhe të shikojmë nga po shkojnë shqiptarët sot”, theksoi prof. Zhinipotoku.

Më tej ai tregoi se Mustafa Krujën përkthyes e njohu vetëm para 7-8 vitesh, kur u takua me familjen e Eugjen Merlikës në një darkë në Prizren. Mësoi se ai ka përkthyer nga gjuha serbe librin më antishqiptar që është shkruar ndonjëherë. Libri titullohet “Arnauti i Velike Sile” shkruar nga Vlladan Djordjeviç, kryeministri i parë serb, që më vonë ka qenë ambasador në Turqi.

“Në vitin 1912, më 17 dhjetor, fillon Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila zgjat 8 muaj, deri më 13 gusht të 1913, ku ndahen kufijtë e sotshëm të Shqipërisë. Djordjeviç shpejton dhe për një muaj e shkruan librin dhe ua prezanton ambasadorëve dhe se si duhet të ndahet Shqipëria. Në të thuhet se shqiptarët janë popull i egër që jeton në shpella, nëpër dru, flasin 100 gjuhë, nuk mund të kuptohen mes veti. Kur mendojnë se bie borë mendojnë se bie sheqer”, sqaroi më tej profesori duke shtuar se Kruja ka bërë një përkthim të jashtëzakonshëm.

Si u njoh Mustafa Kruja me librin “Arnauti i Velike Sile”

Në vëllimin e parë të biografisë “Mustafa Merlika-Kruja, histori e dokumentuar e një jete në shërbim të kombit”, autori Eugjen Merlika sjell një pasazh nga mërgimi i dytë i gjyshit të tij, i cili u detyrua të shkonte në Gornja Millanovac të Shumadisë. Aty mësoi gjuhën serbo-kroate dhe një ditë, teksa po ende në një librari pa edhe librin, të cilin në fakt e kishte lexuar më herët të përkthyer në frëngjisht. E përktheu dhe për shkak të pamundësive financiare iu desh që ta botonte shumë më vonë. Në të, Mustafa Kruja bën edhe një parathënie dhe pasthënie, ku jep qëndrimin e tij për librin dhe autorin, për të cilin mësoi nga Martin Camaj se ishte me origjinë shqiptare.

Mërgimi i dytë, së bashku me familjen, i takoi pothuajse në gjysmën e jetës së tij, në moshën 37-vjeçare. Si i pari, ashtu edhe ky u shoqërua nga një vendim dënimi me vdekje për arsye lufte politike, por, siç u shpjegua më sipër, ata vendime mbetën të pazbatuar. Shkoi në Gornja Millanovac të Shumadisë. Aty, siç na shpjegon ai vetë në parathënien e librit, “pa punë tjetër u vûna me nxânë gjuhën e vêndit”, mësoi për gjashtë muaj serbo-kroatishten. Një ditë në një librari t’atij qyteti prej 3000 banorësh, (libraritë ishin objektet më të parapëlqyera të tij kudo ku e çonte fati të jetonte dhe ku ai harxhonte pjesën më të madhe të parave të tij), ai pa librin “Arnauti i Velike Sile”, të cilin e kishte lexuar kohë më parë në përkthimin frëngjisht të Princit trashëgimtar Aleksandër Karagjorgjeviç.

E bleu menjëherë e, në krye të pesë javëve, e përktheu në shqip duke e bërë gati për botim. Bëhej fjalë për shqipërimin e librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, të shkruar nga dr. Vlladan Djordjeviç, ish kryeministër i Serbisë, në vitet e para të dhjetëvjetorit të dytë të shekullit njëzetë. Përkthimin e vuri në sirtar dhe e mori me vete kur u largua nga Gornja Millanovac, vendi ku e kishin internuar serbët si i mërguar politik. Rreth pesë vite më vonë, kur fati e kishte hedhur në qytetin Zara të Dalmacisë, edhe këtë herë si i mërguar politik në Itali u kujtua për përkthimin nga serbishtja. Atëherë mendoi ta botonte me harxhet e tij vetjake. I u deshën disa muaj për të sendërtuar synimin e tij. Këtë na e vërteton fakti që ndërmjet parathënies të shkruar më 4 maj 1928 e “Nji shënim i nevojshëm” të shtuar në fund të librit në datën 20 shtator të po atij viti, kaluan disa muaj që ndoshta përligjen nga vështirësitë financiare.

Është një nga librat më kundër- shqiptarë që mund të jenë shkruar, me qëllimin për të paraqitur shqiptarët si popull që nuk ishte në gjendje të vetëqeverisej, pra që nuk meritonte të kishte një shtet të pavarur. Shumë vite më vonë, në letër-këmbimin me shkrimtarin Martin Camaj, Mustafai mori vesh nga ky i fundit se Vlladani ishte me origjinë shqiptare, një prej atyre që, fatkeqësisht, i kthenin shpinën Shqipërisë kur fitonin poste të larta në vende të tjera.

Librin e shoqëroi me një parathënie dhe një pasthënie, në të cilat shpjegoi pikëpamjet e tij, në lidhje me përkthimin e botimin: “Ma në fund s’ka dyshim se si për njeriun më vete ashtu edhe për nji popull qi dëshiron me dijtun e me qortue të mêtat e veta, opinioni i anmiqvet âsht tepër i dobishëm. Edhe nga kjo pikëpamje pra ky libër asht i interesueshëm në gradën mâ të nâltë për ne shqiptarët. Na zêmërojnë e na indinjojnë pa dyshim shpifjet, aq mâ tepër kur kemi para sŷsh qi na bâhen për të na minue ekzistencën t’onë si komb, për të na skllavnue, për të na shue farën. Por nuk duhet të na idhnojnë aspak të mêtat reale qi na përmênden, makar të zmadhueme e...të zbukurueme me sarkazmat e ironít e gjuhës së nji Vladan Gjorgjeviçi. Nji katalog mâ komplet të mungesavet t’ona kombtare, si edhe të gjithë sa shpifjeve qi mund t’i bâhen nji populli, s’ka mundun bir nâne tjetër me na e vûe përpara kurrë në fytyrë të kësaj toke. A pak shërbim âsht ky?... Anmiku detyrën e tij e ka krye. Ndashti âsht detyra e jonë me përfitue edhe prej nji vepre të këtillë: me qortue gabimet, me ndrequn të mêtat e me u lâmë para botës nga shpifjet.”

liberale

2 Komente

  1. G
    Gjergj Fishta I riu

    Kujtese per profesorin e filozofise Enver Zihnipotoku. Herojte e Shqiperise kane mbetur ata qe na la Enver Hoxha. Pershembull, ne Diber asht mbaruar puna vetem me Elez Isufin. Familjet qe kane sakrifikuar me breza per çeshtjen shqiptare jane fshire se ishin kundra komunizmit, kurse familja Ndreu qe gjysem per gjysem me komunizmin. Duke qene se te tjerat ishin totalisht kundra komunizmit ju kendua Elez Isufit. Por familja Ndreu nuk njihet si familje prijse as ne luften kunder Heredin Pashes, as ne luften e Shkodres, dhe as ne luften e Dibres ose e quajtura Lufta per Kufijt. Kanga: Lufta e Dibres(Lufta per Kufijte). shkeputur pjesa e fundit.//// Mu tek guret e Sel Hasanit/ Pake poshte Rrafshes se Kudhanit/ Esat Pasha ka ndalue/ Veshin e djathte Dibres ka drejtue/ Ushtojne shpatet, ushtojne brinjat/ Ju njihte krismat, kujtonte trimat/ Esat Pasha Thote nje fjale/ Ti moj Diber te qofshim fale/ Ti moj Diber qofsh nderue/ Gjithmone ne lufta na ke nderue/Me Kurt Nel Hoxhen u ndane njaneane/ Do sekrete lufte bashke i bane/ Pastaj dy burrat jane pershendet/ Sejcili shkone ne udhen e vet(!)/ Pasha Kudhanin ngjite tuj shpejtue/ Me shkue Evropen me Lajmeru/ Me shkue Evropen me Lajmeru/ Shqiptaret s'pranojne kufijte e vu// Kurt nel Hoxha bane perpara/ ç'po shpejtojne ksulat e bardha/ Me Hazis Manuken me Luznak takue/ çajne perpara tuj luftue/ Te shtaten dite n'Kerçove kane hy/ Fyt-a-fyt Kerçova me serbli/ Lufte Kerçova e vetme shtate dite/ Kerkone Serbia te tane me i mbyte/ Krismat e maleve kur jane afrue/ Serbte Kerçoven e kane leshue/ Kurt Nel Hoxha i ndjeke matane/ Ktyne shka kote s'ju kane thane/ Me tre vete serbte fjale i kane çue/ Ndale luften ku done me shkue/ Se dhe Turqia n'kambe kur ka qane / Rralle ka sundue n'kto ane// Plaku i Nande Maleve nje rast i rralle/ Trim per lufte, i holle per fjale/Ju kthene pergjigje me Pashen peshue/me frenue Serbine mos me marre nt'hutue/- Kto jane kufije e populli nuk lue/ Ndryshe Dibra ktu ka me u shue/Silluni mire, mos nxitni shamata/Se jane kufij qe si mbane Karta(Harta)/ se si mbane firma e si mbane karta(harta)/// Kurt Nel Hoxha n'ate Kerçove/ SELMAN ALIA n'krahe tjeter n'Tetove/ Nip e daje nje prove kane dhane/ Se Dibra vdese per shqiptaret matane/ Se Dibra vdese per Shqipnine matane(!)//// Selman Alia, xhaxhai i Halil Alise u la ne hije. Dera e Alise udheheqse ne luften kunder Heredin Pashes, krahu i djathe i Esat Pashes ne luften e Shkodres, udheheqse e luftes per kufij te Dibres, ne Shator-tetot 1913. ne balle te Dibres me 1942, ne lufte kunder serbeve e grekeve per te vendosur shkollat shqipe ne tokat e lirueme. E keshtu nje dite mbeti fama e Dibres vetem me Elez Isufin, e gjysma gjysma, se dhe Elezit, komunistet ja vrane djalin e shume djeme te djalit.

    Përgjigjjuni
    1. T
      TOMAHAWK

      Ka mbi 35 vjet qe tek ne shqiptaret, ne Shqiperi dhe jashte kufijve aktuale te saj, shkruan e flet kushdo dhe cfare t'i teket, duke na dhene mesime historie dhe mesime morale, pa qene as historian dhe as i moralshem. Edhe ky fare burri, Enver Zihnipotoku, me nje mbiemer aspak shqiptar, na qenka mahnitur se njefare Mustafa Kruja paska pase perkthyer nje liber nga serbishtja ne shqip. Kush deshiron te dije se kush ka qene, ne te vertete, Mustafa Kruja, nuk duhet t'iu referohet vleresimeve familjare e fisnore te Eugen Merlikes ( i nipi ) sepse te gjithe shkruajne me superlativa per njerezit e familjes, por do t'i mjaftonte te lexonte ne Arkivat e Shtetit Shqiptar ( por edhe Italise dhe Gjermanise ) SHKRIMET DHE FJALET E TIJ GJATE LUFTES DYTE BOTERORE, si dhe te lexonte cfare thone per M. Krujen ish-shefi i misionit amerikan ( Harry Fultz ) ne Shqiperi e Itali dhe cfare thote ambasadori i Vatikanit ne Shqiperi, At Leone Nigris ne librin e tij, te botuar se fundmi ne Shqiperi. Mustafa Kruja ishte nder ata pak shqiptare qe, me shume pasion dhe perkushtim, iu vu punes ( meqe ishte emigrant politik antizogist ne Perendim ) per te nxitur dhe ndihmuar Italine Fashiste ne pushtimin e Shqiperise ne 7 prill 1939. Ishte kryeminister nen pushtimin fashist, i ashper dhe gjakatar dhe, ne thelb fashist i klasit te pare. Edhe kur u arratis ne SHBA, e ka pranuar para autoriteteve te emigracionit te SHBA se " Une jam nje Kuisling i Shqiperise ", dhe dihet se cfare ka qene Kuislingu i Norvegjise, cfare perfundimi pati, ai dhe sishoket e tij neper Evrope. Pra, Mustafa Kruja ishte thjesht nje fashist dhe bashkepunetor i pushtuesve te vendit dhe, ne histori ( pavaresisht perpjekjeve te pandalshme te nje grushti horrash ) do te kete fatin moral te te gjithe bashkepunetoreve te pushtuesve dhe tradhetareve te Atdheut.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje