Hudhri: Ja si e takova për herë të parë Kadarenë

6 Prill 2024, 19:46Kulturë TEMA
Hudhri: Ja si e takova për herë të parë Kadarenë

Zoti Bujar Hudhri, botuesi i “Onufrit”, në një intervistë në RTSH për Anisa Ymerin, ka folur ndër të tjera dhe për njohjen me Ismail Kadarenë.

“Kur themelova Shtëpinë Botuese “Onufri” në nëntor të ’92 unë e fillova me një libër të një autori të dënuar nga diktatura. Et’hem Haxhiademi. E përmend këtë fakt sepse prirja ime ishte e qartë drejt letërsisë shqipe ndërkohë që kolegët e mi kishin prirje krejt tjetër dhe është krejt normale ta kishin dhe ishte një kontribut që ato e jepnin.

Për një letërsi që kishte munguar në bibliotekën shqipe. Me Kadarenë unë jam njohur pastaj pas tre vjetësh që kisha themeluar “Onufrin”. Ai kishte pyetur për mua sigurisht. Se do të lidhte në njëfarë mënyre veprën e tij me një botues. Ishte koha kur Kadare vinte më shpesh në Shqipëri.

Kur u takova me të, pasi i thashë dhe çfarë kisha botuar, më tha, mirë mirë, po lëri këto tani, që nuk kisha libra më të rëndësishëm, aq ishte letërsia shqipe. Dhe, mbaj mend që libri i parë ishte “Dialog me Alain Bosquet”.

Ai ma dha në shtëpinë e tij që tani është bërë muze. Ishte frëngjisht. Tekstin shqip të përgjigjeve të tija ne e kishim por pyetjeve të Alain Bosquet jo dhe u bë një ndërthurje. Ai ishte libri i parë që edhe filluam me Kadarenë.

Dhe, befasia ishte se një libër i tillë, që ngjasonte pakashumë me “Ftesë në studio” të themi, pra nuk ishte letërsi, ngjalli shumë interes dhe kjo ishte një gjë e papritur për mua, i pamësuar me këtë kategori librash.”- foli Hudhri. A.K./TemA