“Kabatë me gërnetë dhe violinë” është promovuar sot më 5 prill 2024 nga Teatri i
Operës dhe Baletit në bashkëpunim me shtëpinë botuese MEDIAPRINT.
Në promovim morën pjesë drejtoresha e Teatrit të Operës dhe Baletit znj.
Abiguela Voshtina, drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Sokol
Marsi, drejtori i Qendrës Kombëtare Tradicionale Niko Kotherja, anëtarë të
kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, personalitete të artit e
kulturës, si dhe artistë të njohur e studentë.
Promovimi u organizua, gjithashtu, me pjesëmarrjen e veçantë të mjeshtërve të
sazeve Aleks Xhelili, Josif Shukallari, Telando Feto, Aurel Qirjo dhe të Orkestrës së
Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Veprimtaria u çel nga drejtuesja e shtëpisë botuese “MEDIAPRINT”, znj. Anila
Bisha, e cila ia dha fjalën drejtoreshës së Përgjithshme të Teatrit Kombëtar të
Operës dhe Baletit, znj. Abigela Voshtinës.
Znj. Voshtina falënderoi akad. Vasil Tolen për kontributin që ka dhënë ndër vite në
studimin e muzikës tradicionale shqiptare dhe përfshirjen e kësaj muzike në
veprat e tij muzikore dhe theksoi se ky libër do jetë një ndihmesë e madhe për
artistët. Libri ka një rëndësi të madhe në promovimin e trashëgimisë sonë
muzikore. Më tej, drejtoresha e TKOB-it premtoi që në kalendarin e koncerteve të
këtij institucioni do të përfshijë edhe një koncert, ku do të internojnë mjeshtrit e
muzikës me saze.
Më pas foli drejtuesja e shtëpisë botuese “MEDIAPRINT”, znj. Anila Bisha. Ajo tha
se ky është libri i 36-të i akademik Vasil S.Toles.
Znj.Bisha kujtoi se kjo gjini muzikore e konsideruar si “koncerti instrumental” i
muzikës me saze është bërë e njohur për publikun e gjerë në Shqipëri dhe jashtë
saj, që para 100 vjetësh, fillimisht përmes regjistrimeve diskografike e më pas
përmes regjistrimeve në shirit, në CD, e sot edhe përmes teknologjive digjitale.
Ajo theksoi se autori i librit “Kabatë me gërnetë dhe violinë”, akad. Vasil Tole ka
vëzhguar, ka kërkuar përmes shumë e shumë arkivave, burimeve njerëzore,
informacioneve nga familjarë apo studiues të këtij zhanri prej 30 vitesh, dhe
tashmë ai na ka lënë një pasuri të trashëgimisë shpirtërore të dokumentuar në
këtë botim të plotë.
Znj. Bisha, duke e vlerësuar librin për vlerat tradicionale dhe bashkëkohore
njëkohësisht, tha se brenda kësaj trashëgimie është e koncentruar e gjithë dija
muzikore, sesi mjeshtrit e muzikës me saze shndërruan në muzikë urbane
trashëgiminë e madhe muzikore shumëzërëshe “a capella” të fshatit shqiptar, një
trashëgimi qindravjeçare, duke përdorur në mënyrë tërësisht krijuese e novative
veglat muzikore të temperuara europiane, si klarineta, violina etj.
Ndërsa kujtoi me nderim dhe respekt mjeshtërit e kabaresë, znj. Bisha tha se ky
botim mbetet një pasuri edhe për studiuesit apo për të gjithë adhuruesit e kësaj
gjinie për të njohur në mënyrë pothuajse shteruese për nga informacioni i plotë
dhe evidentimi i të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë gjini.
Niko Kotherja, drejtor i Qendrës Kombëtare Tradicionale vlerësoi punën e akad.
Vasil Toles për librin. Ai e quajti kabanë si një ishull të veçantë në traditën
muzikore shqiptare dhe e vlerësoi librin edhe për faktin se deri më sot nuk ka
pasur një botim të natyrës antologjike, ku të jenë së bashku mjeshtrit më të
shquar të kabave me audiot e kabave prej vitit 1920 e deri më sot, me analizat
mbi kabanë dhe kabatë, shoqëruar me të dhëna konkrete për ustallarët e kabave,
e më gjerë.
Librin e vlerësoi për ndihmën e madhe që iu jepet instrumentistëve dhe shkollave
të muzikës edhe drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Sokol Marsi.
Një i ftuar i veçantë që vinte nga Italia ishte Emanuel Tufa, nipi i mjeshtrit të
kabasë Bilbil Vlora.
Ai falënderoi prof. Vasil Tolen për ftesën në këtë veprimtari ku nderohen dhe
hidhet akoma më shumë dritë mbi figurën e mjeshtërve të viteve 39;20, të cilët
shënuan historinë e muzikës folklorike te jugut.
Fale botimeve të prof. Toles, -tha Tufa-, ne kemi mësuar dhe jemi njohur me
instrumentistet që kane kontribute të rëndësishme.
Para se te vija këtu mendova ç’të tregoj në lidhje me stërgjyshin dhe kabanë. Me
erdhi në mendje një rrëfim nga një moshatar pothuajse 90-vjeçar para disa vitesh,
dhe mendoj se kjo ngjarje tregon më së miri se çfarë është kabaja. -tha Tufa, duke
kujtuar një histori mbresëlënëse:
Bilbil Vlora kthehej nga një dasmë në lagjen Karabash. Tek zbriste për në shtëpi
gjendet përballë një tragjedie.
Sapo kishin vrare një djalë 20- vjeçar. Prindërit dhe të afërmit po e qanin, ulërimat
alarmuan lagjen dhe njerëzit mblidheshin.
Bilbil Vlora vendosi t’ia jap ngushëllimet kësaj familjeje në mënyrën e tij. Merr
klarinetën dhe fillon të luaj një kaba.
Kabaja e Bilbilit u bë një me dhimbjen e prindërve. Kabaja u kthye ne një
përqafim, në një kurajo, një ngushëllim nga mjeshtri Bilbil Vlora.
Në fund të fjalës së tij Emanuel Tufa tha se këngët, vallet apo kabatë e tyre duhet
të konsiderohen si operat, nuk duhen prekur, nuk duhet t’i shtojmë apo t’i heqim
për t’i zbukuruar, pasi sindroma e kësaj epoke është zbukurimi.
Ato perla janë aq të thjeshta dhe aq të bukura sa që neve na mbetet vetëm t’i
interpretojmë duke respektuar krijimtarinë e kolosëve të folklorit tonë.
Në fjalën e tij, akad. Tole vlerësoi mjeshtrit e mëdhenj të kësaj muzike, duke
spikatur faktin se ata kanë krijuar identitetin shqiptar në muzikë.
“Kabatë, me gërnetë dhe Violinë” është konceptuar nga autori si një përmbledhje
dhe dokumentim i mjeshtërve më të mëdhenj që kanë lënë gjurmë në këtë gjini
muzikore.
Sipas tij libri është multifunksional pasi shërben edhe si guidë edhe si libër
studimor, e në mënyrë të veçantë si dokumentim.
Akad. Tole tha se libër janë të dokumentuara 30 kabatë më të mira në klarinetë e
violinë.
“M’u deshën 35 vite pune për të mbledhur ato që unë i quaj 100 vjet kaba me
saze, -thotë akad. Tole, -pasi e vërteta kërkon të thuhet, që deri më sot nuk ka
pasur një botim të natyrës antologjike, ku të jenë së bashku mjeshtrit më të
shquar të Kabave, me audiot e kabave prej vitit 1920 e deri më sot (QR CODE), me
analizat mbi kabanë dhe kabatë, shoqëruar me të dhëna konkrete për ustallarët e
kabave, etj.
Kabatë me gërnetë dhe violinë janë kryeveprat e muzikës me saze të Shqipërisë së
Jugut, një trashëgimi muzikore që do të bënte krenar çdo vend që do ta kishte
atë.
Prej sot ato janë së bashku në një botim të vetëm, si një dëshmi e artit të madh të
popullit, pjesë e muzikës popullore qytetare të Shqipërisë së Jugut dhe e listës së
Dukurive jo materiale të mbrojtur nga UNESCO!
Kjo vepër që ka parë së fundmi dritën e botimit vjen edhe me një risi. Tashmë të
gjithë lexuesit përmes një kodi skanimi do të kenë mundësi të njihen me të gjitha
krijimtaritë e autorëve në libër, përmes platformës youtube.
“Me teknologjinë e krijuar përmes QR code ku me Cd e munguar mund të skanosh
përmes celularit e lidhesh direkt me kabanë e mjeshtrit. e në këtë mënyrë vë në
punë edhe të lexuarin edhe të dëgjuarin”, -tha Tole.
Në fund akad. Tole falënderoi për mbështetjen e botimit fondacionin Niko Gjika,
Klodian Qafokun për masterizimet dhe shtëpinë botuese MEDIAPRINT për
botimin e librit!
Veprimtaria vijoi me interpretime të kabave nga mjeshtërit e sazeve Aleks Xhelili,
Josif Shukallari, Telando Feto dhe Aurel Qirjo dhe Orkestra e Ansamblit Kombëtar
të Këngëve dhe Valleve Popullore, të cilat u duartrokitën nga pjesëmarrësit.
Promovimin e mbylli kori i Ansamblit që përshëndeti me këngën “A kanë ujë ato
burime”.
Libri “Kabatë me gërnetë dhe violinë”, përmban shpjegimin e fenomenit të
sazeve, formacionit muzikor me vegla të temperuara (klarinetë, violinë, llahutë
dhe dajre), që në thelb ka krijuar muzikën popullore qytetare të Shqipërisë së
Jugut, nga fundi i shekullit XIX deri në fillimin e shek. .XX, në qytete si Leskoviku,
Përmeti, Korça, Vlora, Berati, Tepelena, etj.
Akad. Tole vë në dukje se kabaja e luajtur me gërnetë apo me violinë e njohur prej
më shumë se 150 vitesh, është llojformimi më i plotë në muzikën popullore me
vegla të Shqipërisë së Jugut.
Në libër janë përzgjedhur interpretimet në gërnetë e violinë të mjeshtërve të së
shkuarës e të së sotmes, të cilët kanë krijuar me interpretimet e tyre një shkollë
kombëtare të kabasë, me plot kuptimin e fjalës.
Pjesë e këtij libri janë mjeshtërit Selim Leskoviku, Biblil Vlora, Riza Berati, Vangjel
Leskoviku, Medi Përmeti, Jonuzi i Lamçes, Llaqi me shokët, Gaqo Lena, usta Laveri,
Sabri Fehimi, Vangjel Poda, Sabri Çaçi, Tuli i Delvinës, Vasil Mastora, Nexhipi i
Fierit, Çerçiz Mehmeti, Lulushi i Korçës, Kristo Jorgo, Sazan Hoxha, Josif Shukallari,
Aurel Qirjo, Aleks Xhelili, Telando Feto.
Një vend te posaçëm zënë mjeshtrit e kabave, nga viti 1920 e deri me 2020, te
dhëna për ta, për kabatë e tyre, të cilat përmes QR CODE mund të dëgjohen nga
youtube për lexuesit e librit. Libri nga dita e hënë do të jetë në librari! Promovimi u organizua nga Teatri i Operës dhe Baletit në bashkëpunim me shtëpinë botuese "MEDIAPRINT”.
A.K./TemA
sot nuk I duhen kujt vallet dhe kabate me fyell apo gernete, sot hyjne ne pune shalet jashte dhe cicat e medha