Inteligjenca në kokën e demit

2 Shkurt 2025, 18:19Kulturë Ardian Vehbiu

Shumë nga ju do ta njohin “Kokën e demit” të Picasso-s; ose më mirë, një prej kokave të tij të demit, një vepër e klasifikueshme si “objet trouvé” (found object), por me elemente të skulpturës. Picasso-ja e krijoi në vitin 1942, duke kombinuar një shalë dhe një timon biçiklete.

Inteligjenca në kokën e demit

Artisti vetë, në bisedë me fotografin George Brassens, e ka shpjeguar kështu si i erdhi ideja:

“Një ditë, duke parë një grumbull sendesh të mbledhura bashkë, më zuri syri një shalë të vjetër biçiklete, me një timon aty afër. Befas, këto u bashkuan në mendjen time dhe ideja e Kokës së demit më erdhi para se madje edhe të filloja të mendoja. Gjithë ç’bëra ishte t’i saldoj së bashku… [por] sikur ti të mund të shihje vetëm kokën e demit, dhe jo shalën dhe timonin që e krijojnë, skulptura do ta humbte një pjesë të impaktit.”

Dy gjëra këtu: skulpturë e quan Picasso-ja, veprën e vet; dhe pastaj e thekson se vlera e saj si art qëndron jo vetëm në çfarë përfaqëson (kokën e demit), por edhe në elementet që e përbëjnë (shala dhe timoni), që me demin nuk kanë ndonjë lidhje, edhe pse hyjnë në lidhje duke u kombinuar.

Na pëlqen jo aq koka e demit, sa ajo kokë demi që përftohet, si me magji, duke vënë bashkë një shalë dhe një timon. Ndërhyrja e artistit, ndaj materies, fillon me imazhin e demit që mishërohet në formën që marrin dy pjesë të biçikletës; dhe puna e tij artistike, nëse mund ta quaj kështu, nuk është ngjitja e sendeve bashkë, por te përpunimi – sado intuitiv – i idesë se këto sende, të ngjitura me njëra-tjetrën, do të lindin befasisht një të tretë.

Çuditërisht, me titullin “Shalë biçiklete”, vepra u ekspozua në Sallonin e vjeshtës të vitit 1944 në Paris, krahas 78 veprave të tjera. Vizitorët u indinjuan me të, a me mënyrën si ajo komunikonte; dhe protestuan aq sa administrata e hoqi shalën nga muri.

Koka e demit e Picasso-s më është kujtuar shpesh këtë periudhë, sa herë që janë hapur diskutime rreth imazheve të krijuara me AI dhe marrëdhënien e tyre me artin. Besoj se AI nuk është më shumë se një vegël, dhe se mund të prodhojë art, me kusht që ai që e përdor, ta përdorë artistikisht dhe të dijë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë me të.

Dhe skulptura, a objets trouvés si Koka e demit ndihmojnë për të kuptuar se ndonjëherë arti zë vend në mënyrën si kombinohen – qoftë edhe në telajo a në imazh – dy a më shumë objekte; duke u shprehur nëpërmjet sintaksës.

Modelet e imazh-krijimit me AI e kanë ende të vështirë të interpretojnë metaforat; po të shkruash në prompt se dëshiron të krijosh portretin e dikujt që ka një çelës në vend të kokës, me gjasë do të marrësh portretin e dikujt që ka një çelës në kokë.

Provova t’u kërkoj modeleve të ndryshme të imazh-krijimit me AI që të më japin një imazh të ngjashëm me skulpturën e Picasso-s, duke kombinuar një shalë biçiklete dhe një timon. Përdora të njëjtin prompt.

Rezultatin më të mirë (strukturalisht besnik) ndoshta ma dha Ideogram:

Inteligjenca në kokën e demit

Diku aty afër, edhe Flux:

Inteligjenca në kokën e demit

Google Imagen krijoi një imazh art deco grafikisht tërheqës, por disi larg metaforës picasso-ane:

Inteligjenca në kokën e demit

Ndërsa imazhin më interesant ma krijoi Midjourney:

Inteligjenca në kokën e demit

Gjithë duke iu larguar prompt-it tim, por duke ndërtuar – në shmangie e sipër – një objekt të çuditshëm, një diçka si një dem të “shkrirë” me një motoçikletë, me një estetikë që e pret njeriu ta ndeshë në filmat Mad Max. Edhe pse një objekt i këtillë vështirë se do të fitojë ndonjëherë ndonjë biennale, mund të përdoret bukur në paradat e motoçiklistëve, në karnavalet dhe në forma të tjera arti të aplikuar, përfshi edhe stripat vizatimorë dhe reklamën – meqë kjo motoçikletë, me demin sipër, të jep idenë e një “charging bull”, në mos të një “raging bull”, madje metaforizimi e bashkon demin që turret dhe motoçikletën e rëndë në të njëjtin objekt të imagjinuar. Nga ana tjetër, imazhi e ruan edhe një farë konsistence në teknikë – duke kombinuar vjetërsinë, metalin e farkëtuar dhe të ndryshkur dhe elemente lëkure dhe brirësh.

Kushedi do të më pëlqente po ta shihja të ekspozuar në një bikers bar.

Por ky dem i hipur, madje i shkrirë në motor nuk ekzistonte si imazh në mendjen time, derisa m’u shfaq në ekran, i krijuar me AI; por disa elemente “semantike”, si shala, timoni, dhe ideja e një mjeti dy-rrotësh gjendeshin tashmë në prompt-in tim.

Mendova se një artisti a disenjatori mund t’i vlejnë modelet imazh-krijuese për sugjerime idesh dhe serendipitet; ato dy sendet që Picasso-ja i gjeti rastësisht, në një pirg rraqesh, mund të t’i sjellë përpara edhe një inteligjencë artificiale – por ti duhet të jesh atje dhe t’i pikasësh, në mes të kaosit. Njëlloj siç ia jep ti një prompt makinës dhe pastaj pret të shohësh se ç’do të marrësh si përgjigje, edhe përgjigjet e makinës mund të shërbejnë si prompt për ty, artistin, duke të orientuar drejt idesh të reja.

© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhet e krijuara me AI nuk janë të mbrojtura me copyright. Botohet me leje te "TemA".

Referencë: https://www.pablopicasso.org/bull-head.jsp

Lini një Përgjigje