INTERVISTA/Bashkim Shehu: Letërsia dhe muzika janë forma të magjisë

5 Maj 2024, 12:34Kulturë TEMA

INTERVISTA/Bashkim Shehu: Letërsia dhe muzika janë forma të

*Bashkim Shehu është shkrimtar dhe përkthyes shqiptar. Në këtë intervistë ai flet për letërsinë, marrëdhëniet e saj me pushtetin dhe letërsinë e madhe e nga buron ajo. Ndër librat e tij mund të përmendim “Kryevepra të pakryera”, “Mozart me vonesë”, “Angelus Novus”, “Triptiku i magjistarëve” apo “Fjalor udhëzues mbi misterin e dosjeve”. Prej përkthimeve veçojmë ato të Kierkegaard (Frikë dhe drithërimë) dhe Roberto Bolaño (2066). Prej 1997 ai jeton në Barcelonë.

1. Kur keni filluar të shkruani?

Kur isha 17 vjeç.

2. Çfarë marrëdhënie keni me letërsinë “e madhe” apo “klasike” dhe sa mendoni se
konsumohet ajo sot?


Me letërsinë “e madhe” apo “klasike” kam marrëdhënie dashurie maksimale. Dhe ajo
letërsi nuk është e konsumueshme, është e dashurueshme. Po fatkeqësisht dashuria
ndaj saj në botën e sotme është në rënie dhe po i afrohet frikshëm zeros.

3. Nga mendoni se buron procesi i krijimit në art në përgjithësi, jo vetëm në letërsi?

Ka teori dhe shpjegime të ndryshme që synojnë t’i përgjigjen kësaj pyetje. Unë, për
vete, anoj nga ajo që thotë Camus në lidhje me artin e romanit, si refuzim i
heteronomisë. Pra, do të thosha se buron nga një nevojë thelbësisht njerëzore për t’i
dhënë kuptim një bote absurde, në të cilën jemi të huaj. Por, njëkohësisht, prirem ta shoh
krijimtarinë letrare dhe artistike si zëvendësim të lidhjes me atë çka psikoanalisti Donald
Winnicott quan “objekt tranzicional”, si objekt që, në fëmijërinë e hershme, ose nga
fundi i foshnjërisë, përbën një urë kalimi ndërmjet imagjinatës dhe botës jashtë saj, si të
veçuar nga “uni”. Thënë më thjesht, krijimtaria letrare dhe artistike paraqitet si njëfarë
zëvendësimi i lojërave ose i lodrave më të hershme të fëmijës.

4. Nëse nuk do ishit shkrimtar me çfarë do të ishit marrë?

Me çfarëdolloj gjëje, sepse do isha tjetër njeri.

5. Kush mendoni se është më i rëndësishëm për letërsinë, një shkrimtar mediokër apo
një lexues i mirë?

Pa dyshim, lexuesi i mirë.

6. Cila është disiplina më e afërt me letërsinë?

Për mendimin tim, piktura dhe arkitektura, muzika dhe mistika. Sigurisht, nëse mund të
quhen disiplina.

7. Çfarë roli ka pasur diktatura e Hoxhës në letërsinë tuaj ?

Një rol ndrydhës para se të hyja në burg. Ndrydhës nga pikëpamja e lirisë së
brendshme dhe nga pikêpamja kufizimit të horizontit letrar te politika, qoftë dhe si
kundërvënie letrare ndaj asaj politike, me aq sa munda. Nga ndrydhja e parë më ka
çliruar burgu, ndërsa nga e dyta u çlirova mbas daljes nga burgu me rënien e diktaturës,
duke kërkuar autonominë e letërsisë, pra letërsinë si qëllim në vetvete.

8. Mendoni se ekzistojnë të atillë “shkrimtarë politikë” apo “intelektualë të angazhuar”?

“Shkrimtarë politikë”, nëse do t’i quajmë të tillë shkrimtarët veprat e të cilëve kanë
përmbajtje qëllimisht politike, kanë ekzistuar në të gjitha kohët, që nga Eskili e deri në
kohën tonë, si për shembull Sollzhenicini, po të përmendim një nga më të shquarit. Por
mendoj se vlera e këtyre veprave nuk qëndron te përmbajtja politike, pavarësisht se
çfarë kauze i kanë shërbyer. Përndryshe, Eskili do ishte harruar tashmë. Ndërsa
shprehja “intelektualë të angazhuar” përbën një keqkuptim, që e ka zanafillën te
koncepti sartrian “letërsi e angazhuar”, sepse letërsia mund të jetë edhe e paangazhuar,
ndërsa veprimtaria e intelektualit jo. Vetë termi “intelektual”, jo thjesht në kuptimin e
njeriut të shkolluar, apo të specialistit, apo të ekspertit, presupozon angazhimin për një
kauzë apo një tjetër nëpërmjet pjesëmarrjes në debatin publik. Në këtë kuptim, siç thotë
filozofi Jürgen Habermas, figura e intelektualit shfaqet njëherësh me lindjen e gazetës,
që është ekosistemi i pjesëmarrjes së intelektualit në debatin publik. Le të kujtojmë
letrën e hapur “J’accuse”, të shkrimtarit Emile Zola, i cili është në rolin e intelektualit jo
me romanet e tij, por pikërisht me këtë tekst, ku merr në mbrojtje një oficer hebre të akuzuar si tradhtar. Intelektualët ekzistojnë edhe në kohën tonë, veçse tani roli i tyre ka
pësuar tkurrje të madhe për shkak të kulturës së spektaklit dhe sidomos për shkak të
realitetit përherë e më të kudondodhur të rrjeteve sociale.

9. Çfarë raporti ka muzika me letërsinë ?


Janë forma të magjisë që të dyja. Te muzika, kjo është më e dukshme. Po a nuk është e
magjishme letërsia në majat e saj? Për shembull, poezia e Dantes. Apo edhe proza që
ka shkruar Kafka, ndonëse në dukje aq e thatë, aq shpesh si shkresat zyrtare. Apo
madje ajo që ka shkruar Camus, që duket edhe më e thatë.

10. Keni provuar ndonjëherë të shkruani poezi dhe si ka qenë kjo përvojë ?


Po, kur kam qenë adoleshent, por shpejt kuptova që s’ishte për mua, ose që unë s’isha
për të.

Intervistoi për TemA: Adri Kalaja

Lini një Përgjigje