Në periudhën kalimtare nga rendi shoqëror feudal në shoqërinë klasore borgjeze, shfaqet në Gjermani një shkrimtar i ri e aktual, i quajtur poet tipik, që ngërthente në vetvete thuajse të gjitha tiparet thelbësore të intelektualit kritik e modern.
Ai ishte Christian Johann Heinrich Heine I cili mbetet një prej poetëve të mëdhenj dhe një ndër gazetarët më të shquar gjerman gjatë shekullit 19. Hajnrih Hajne vlerësohet botërisht si një ndër poetët më të rëndësishëm gjermanë. Veprat e tij poetike janë përkthyer në gjuhët e tërë popujve të kulturuar e në dialekte të shumta të këtyre gjuhëve. Figurat e fantazisë së tij, para së gjithash Lorelaja – një legjendë që vërtet nuk e ka zbuluar ai, por që e ka bërë të famshme – njihen në të gjitha kontinentet. Hajnrih Hajne i ka kënduar vuajtjes nga dashuria si dukuri universale dhe kritika e tij ndaj shfrytëzimit, mendjengushtësisë dhe intolerancës është tejet aktuale edhe sot e kësaj dite.Ai lindi më 13 dhjetor 1797 në Düsseldorf si Harry Heine dhe vdiq më 17 shkurt 1856 në Paris) Hajne u njoh për të parën herë nga të gjithë si poet e prozator i rangut botëror.
Koncepti I intelektualit lindi për herë të parë më 1898- n, gjatë procesit të Drajfusit, por figura e tij është më e moçme sesa përdorimi normativ i kësaj fjale. Para se “intelektualët” të protestonin publikisht, ekzistonin tashmë intelektualë të veçuar, te mishërimi krejt i hershëm i të cilëve bën pjesë edhe shkrimtari aktual Hajne. Gjinia e parapëlqyer për shkrimtarin e kohës është proza, nëpërmjet së cilës realiteti i ri borgjez mund të shprehet më mirë e në mënyrë më të përshtatshme sesa nëpërmjet fjalës poetike. Shkrimtarët e rinj gjermanë nisën t’i jepnin rëndësi “emancipimit të prozës” ose të përshëndesnin kalimin në një prozë poetike, duke thënë se proza ishte gjuha e tyre e zakonshme dhe njëherazi buka e tyre e përditshme, se vetveten e të drejtat e tyre mund t’i mbronin më me forcë në prozë sesa në vargje.
Ky proces, ku dëshmohet largimi prej normave klasiko-romantike të poezisë lirike, u krye në mënyrë të plotë për brezin e ri në prozën novatore dhe eksperimentale të Hajnes. Vepra e tij “Tablo udhëtimi”, e cila solli një gjini të re letrare, ndikoi te brezi i ri i shkrimtarëve duke krijuar një formë e një stil të ri, sepse përzierja e elementeve të ndryshme të formës, përzierje që nuk lejohej në estetikën klasike, ndihmonte për të dhënë një tablo më të saktë të kohës.
Kronikat dhe reportazhet e Hajnes nga Parisi, ku shkrimtari aktual bëhej historian i kohës, arritën, duke qenë një gjini e re në prozë, të gjenin imitues të panumërt, sepse ngërthenin në vetvete aspekte gjer atëherë të panjohura të një realiteti gjithnjë e më kompleks. Shkrimet letrarofilozofike të Hajnes ndikuan edhe në eseistikën moderne. Natyra moderne e tyre u njoh nga shkrimtarët e rinj gjermanë, ndërsa shembulli i tyre mbetet i padiskutueshëm edhe sot e kësaj dite.
Në luftën e tij publicistike kundër rrethanash e idesh historike të vjetruara, Hajnia përdori me vendosmëri qysh në fillim “armët” e reja, me qëllim që të fitonte në publik më shumë terren e të pushtonte më shumë mendje. Gjatë viteve studentore në Berlin punoi si korrespondent shtypi dhe, kur e mbaroi universitetin e atjeshëm, kishte botuar nëpër revista më se pesëdhjetë artikuj. Më pas, thuajse të gjitha veprat e veta i botonte së pari në shtypin periodik. Ky shndërrim “nga poet e prozator me prejardhje klasiko-romantike në poet e prozator modern”, shndërrim i nxitur me vendosmëri nëpërmjet Hajnes, bëri që të lëkundeshin parimet themelore të kohës së Gëtes, ku i jepej përparësi botës moralo-estetike ndaj realitetit empirik. Arti dhe realiteti, poezia dhe politika, shkathtësia dhe angazhimi s’mund të ndahen më në atë mënyrën e njohur, përkundrazi, kërkojnë ndërmjetësim, të cilin Hajnia e kërkoi teorikisht dhe e zgjidhi praktikisht. Hajnia e pati njohur shumë herët detyrën e madhe që u takonte betejave publicistike në kushtet e periudhës nga viti 1815 gjer në revolucionin e marsit 1848. Qysh në vitin 1822 ai shkruante se “shtypi është armë”, kurse gjashtë vjet më vonë bëri deklaratën e njohur gjerësisht: “Ka ardhur koha e luftës së ideve, dhe gazetat janë bastionet tona.”
Që nga këto bastione Hajnia ka zhvilluar me rreptësi betejën e vet jetike, si “ushtar trim” në vitet 1820 dhe, më së fundi, në vitet 1850, si “rojë e humbur në luftën për liri”, i plagosur rëndë, por “i pamposhtur”. Nga të njëjtat bastione, kur “lufta”, pas vitit 1830, hyri në një fazë të re dhe përfshiu të gjitha fushat e jetës, ai jepte kushtrimet për luftë, bënte thirrje për të rrokur armët dhe i binte tamburit për kryengritje. Që nga këto bastione ai marshonte vetë i pari me shpatë në dorë, dhe në flamurin e tij pati shkruar: “Unë jam bir i revolucionit dhe do t’i rrok sërish armët mbrojtëse”. Në testamentin frëngjisht të hartuar në vitin 1851, ai e shpreh me këto fjalë amanetin e vet: “Çështja e madhe e jetës sime ka qenë të punoja për mirëkuptimin e përzemërt midis Gjermanisë e Francës, për demaskimin e dredhive të armiqve të demokracisë, të cilët shfrytëzojnë, për interesin e tyre, mëritë dhe paragjykimet ndërkombëtare. Besoj se u kam shërbyer po aq bashkatdhetarëve të mi sa edhe francezëve që të jenë mirënjohës ndaj meje.”/Gazeta Panorama
Lini një Përgjigje