Sot sjellim në vëmendje figurën e Ndre Mjedës, në 88-vjetorin e ndarjes nga jeta. Ai ishte klerik, atdhetar, filolog, poet dhe aktivist i madh i Rilindjes Kombëtare.
Lindi më 20 nëntor të vitit 1866 në Shkodër, ku dhe mori mësimet e para.
Më pas, vazhdoi studimet fetare në Spanjë, Itali dhe Poloni. Në vitin 1883 studioi në Kroaci retorikë, latinisht dhe italisht. Më 1901 bashkë me të vëllanë Lazër Mjedën, themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat ku do të përdorej.
Alfabeti i Mjedës mbështetej në alfabetin latin, por ishte i pasuruar me shkronja të veçanta që pasqyronin me saktësi tingujt e gjuhës shqipe. Ai përfshinte kombinime si “sh”, “zh”, “nj”, “ll”, dhe “rr”, që sot janë pjesë e pandashme e alfabetit standard. I thjeshtë në ndërtim dhe plotësisht fonetik, ky sistem e bënte më të lehtë leximin dhe mësimin e gjuhës shqipe.
Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), si përfaqësues i Shkodrës dhe mbështeti variantin e shkronjave latine bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin. U zgjodh anëtar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit të Njësuar të Shqipes. Në vitet 1916-1917, ishte anëtar i Komisisë Letrare (këshill i formuar nga intelektualët në Shkodër për çështje të gjuhës shqipe). Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924), Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës duke u zgjedhur dhe deputet. Pas ndryshimeve politike në vitin 1924 u tërhoq nga jeta politike dhe shërbeu si prift i thjeshtë në Kukël, Shkodër. Në vitet 1930-1937 shërbeu si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në Kolegjin Jezuit në Shkodër. Ndër poezitë më të njohura përmendim "Gjuha shqipe" në të cilën pasqyrohet dashuria e thellë për gjuhën amtare:
“Përmbi za që lshon bylbyli, gjuha shqipe m’shungullon; përmbi erë që jep zymbyli, pa da zemrën ma ngushëllon.”
Poema “Andrra e jetës” shpalos vuajtjen e përditshme të malësorëve të varfër, poemat “Scodra” dhe “Lissus”, ku përmes historisë së lashtë të dy qyteteve, evokohet e kaluara e hershme e popullit shqiptar. Pak muaj para vdekjes, botoi poemthin 'Liria', një amanet poetik ku shpresa për liri gërshetohet me simbolin e pavdekshëm të Skënderbeut.
Ai dha gjithashtu ndihmesën e tij në fushën e gjuhësisë, me studime në gramatikë dhe leksikologji. Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë së vjetër shqipe, si ato të Pjetër Bogdanit dhe Pjetër Budit.
Ndërroi jetë më 1 gusht të 1937.
Burimi nga: Vehbi Bala, Jup Kastrati, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2009, faqe 1747-1748.
Lini një Përgjigje