Në letërsinë amerikane të pasluftës, James Jones qëndron si një zë i ashpër dhe i drejtë, një rrëfimtar që nuk u tremb të depërtonte në brendinë më të errët të ushtarit amerikan.
Ai nuk e trajtoi luftën si heroizëm, por si humbje të identitetit, si zbërthim të njeriut përballë sistemit, uniformës dhe urdhrave që vijnë nga sipër dhe s’e pyesin më nëse është gjallë apo njeri. Lindi më 6 nëntor 1921, në Illinois, në një familje modeste. Lufta e Dytë Botërore do të bëhej vula e karakterit të tij dhe shkaku i parë për të shkruar. Shërbeu në ushtri dhe përjetoi drejtpërdrejt betejën e famshme të Guadalcanalit një përvojë që do të shndërrohej më vonë në gur themeli të letërsisë së tij. Vepra më e njohur e tij, From Here to Eternity (1951), është një roman i gjatë dhe i ngjeshur që ndjek jetët e disa ushtarëve amerikanë në Hawaii, në ditët që çojnë drejt sulmit japonez në Pearl Harbor, shkruan panorama.
Libri ishte një skandal në kohën kur u botua për gjuhën e tij brutale, për përshkrimet e vrazhda të marrëdhënieve seksuale dhe për mënyrën si e demaskonte hipokrizinë e ushtrisë amerikane. Megjithatë, lexuesit e panë si një pasqyrë të vërtetë, të pabukur, por të domosdoshme. Romani fitoi National Book Award dhe u përshtat në një film të famshëm me Frank Sinatra e Burt Lancaster. Jones nuk u ndal me një libër. Ai vijoi me The Thin Red Line (1962), një roman edhe më i rëndë, më introspektiv, që e zhvesh luftën nga çdo ndjenjë lavdie. Ushtarët e tij nuk janë të pathyeshëm; ata janë të lodhur, të hutuar, shpesh të neveritur nga vetvetja.
Libri do të përshtatej më vonë në një film magjepsës nga Terrence Malick, që ringjalli interesin për Jonesin në fund të shekullit XX. Shkrimtari ishte një bir rebeli letërsisë së asaj kohe. Nuk ishte një stilist i hollë si Hemingway, as një psikolog i thellë si Faulkner. Ai ishte brutal, shpesh i papërpunuar, por me një zë autentik, të drejtpërdrejtë, të pamëshirshëm në sinqeritetin e tij. Jetoi për shumë vite në Paris, si pjesë e diasporës amerikane të shkrimtarëve. Atje ndjeu qetësinë për të shkruar, por nuk u shkëput kurrë nga obsesioni i tij: lufta, burrat në uniformë, gjaku, humbja, kthimi në shtëpi si njeri tjetër. Jones vdiq në 1977, pa arritur të përfundojë trilogjinë e tij të luftës. Por trashëgimia që la ishte më e madhe se çdo përmbyllje. Ai e ndryshoi mënyrën se si Amerika shkruante për luftën. Ai foli për frikën, për padrejtësitë në radhët e veta, për zinxhirin e urdhrave që bëjnë burrat të vrasin edhe kur nuk duan. Në letërsi, si në jetë, ai nuk kërkoi ndonjë dekoratë. Vetëm të vërtetën. Edhe kur ajo ishte e shëmtuar.
Lini një Përgjigje