Jousset: Vila 31 X Art Explora, hapësirë kulturore që do të presë mijëra njerëz çdo vit

9 Prill 2025, 16:43Kulturë TEMA
Jousset: Vila 31 X Art Explora, hapësirë kulturore që do të

Drejtuesi i fondacionit kulturor Art Explora, Frédéric Jousset u shpreh sot gjatë aktivitetit për inaugurimin e Vila 31 x Art Explora, ish-rezidenca e një epoke të errët e kthyer në një qendër inovative artistike dhe kulturore, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, se kjo hapësirë do të presë dhjetëra e mijëra artistë nga e gjithë bota çdo vit.

“Kjo është më tepër se një rezidencë artistësh, është një hapësirë kulturore, e hapur për të gjithë, për vizitorët shqiptarë, për të huajt, për qytetin. Do të keni koncerte, spektakle, performanca, një pishinë që u shndërrua në një vend prodhimi. Ky vend do të presë dhjetëra, mijëra njerëz çdo vit”, tha Jousset.

Drejtuesi i Art Explora ndau gjatë fjalës së tij edhe rrugëtimin drejt kësaj eksperience, nga pikënisja te finalizimi i projektit. Jousset u shpreh se ishte një takim i rastësishëm me Adea Mejdanin që e kishte ftuar për të vizituar Shqipërinë dhe më pas njohja me Kryeministrin Edi Rama që siç e cilësoi ai, hyn tek ato njohje që të ndryshojnë jetën.

“Ka takime që ndryshojnë jetën dhe Edi bën pjesë në këta personazhe jo të zakonshëm dhe kur më propozoi idenë pak të çmendur që ta merrnim vilën, shtëpinë e ish-diktatorit Enver Hoxha dhe ta bënim një rezidencë ndërkombëtare artistësh unë thashë menjëherë po. Besoj mund të themi që nuk ishte diçka e arsyeshme që t’i besohej një fondacioni të ri prej tre vitesh, që ekzistonte një projekt i tillë, por po ta njohësh Edi Ramën kjo është diçka koherente me të”, tha ai.

“Sepse ai është një piktor i talentuar dhe në historinë e njerëzimit pak kryeministra kanë qënë piktorë të shquar. Një lider karizmatik që nuk ngurroi t’i lyente ndërtesat e Tiranës kur ishte kryetar bashkie për të shënjuar fundin e komunizmit. Ishte koherent edhe me ne, Art Explora, sepse ky është një komunitet njerëzish të thjeshtë. Arti është një gjuhë universale, ushqehen shpirtrat, na lidh me njëri-tjetrin dhe mund të ndryshojë jetën”, vijoi Jousset.

Drejtuesi i këtij fondacioni kulturor, pohoi se përmes këtij projekti synohet që t’i jepet zë më i fortë artistëve, qoftë përmes festivaleve, anijes muze, kamionit muze me mijëra vullnetarë me çmimin evropian të Akademisë së Arteve të Bukura, me rezidencën në Mon Marc dhe me vilën 31.

“Faleminderit për besimin, mbështetjen që na angazhon dhe na nderon. Pas një viti e gjysmë po përjetojmë këtë ditë sot, në këtë vend që ka qenë simboli i një pushteti brutal, të dhunshëm të mbyllur në vetvete dhe tashmë një vend i hapur për artistët e gjithë botës dhe kushtuar krijimtarisë”, tha Jousset. 

Lini një Përgjigje