Trupa e Teatrit të Kukullave zhvilloi sot provat gjenerale të shfaqjes “Zemërimi i shkronjave”.
Shfaqja do të vihet në skenë për publikun këtë fundjavë, 40 vjet pas premierës së saj të parë. “Zemërimi i shkronjave” është një komedi me fantazi dhe mesazhe edukuese për fëmijët që sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre shkollor.
“Shfaqja rrëfen mbi “Një luftë gjuhësore”, ku shkronjat e Abetares marrin jetë për t’u treguar fëmijëve sa e rëndësishme është të flasim bukur dhe saktë”, thotë Melsi Qirici, drejtoresha e Teatrit të Kukullave.
Në qendër të rrëfenjës janë Olsi dhe Ini, dy djem që flasin me shkurtime dhe pa kujdes. Ata krenohen se kanë shpikur një shqipe “moderne”, por kjo i zemëron shkronjat, të cilat vendosin të ikin një e nga një prej fjalorit, gjë që i bën djemtë të hasin vështirësi e më pas të kthehen në rrugë të mbarë.
“Zemërimi i shkronjave” është bazuar mbi tekstin origjinal të Minerva Kumit. Mbi të punoi Endri Çela duke sjellë një version më të freskët dhe të përshtatur me kohën.
Nën regjinë e Endri Çelës, interpretojnë aktorët e Teatrit të Kukullave: Florian Kokona, Ilia Kaçi, Esmeralda Kame, Ermonela Alikaj, Erdit Asllanaj, Jorida Meta dhe Madi Selimi.“Zemërimi i shkronjave” është një shfaqje e përshtatshme për fëmijë të moshës mbi 5 vjeç, shkruan atsh.
Drejtoresha e Teatrit të Kukullave tha se, të premten premiera do të jetë me ftesa për personat që nuk shikojnë si dhe për përfaqësitë e Bashkimit Evropian dhe UNOPS-it.
Lini një Përgjigje